Lajme
Edhe një dëshmi e fuqishme që Vuçiq po lidhet më shumë me Moskën: Dinari serb pritet të tregtohet në Rusi
Demokracia
15:19 | 21 Korrik 2023

Share:

Agjencia ruse e lajmeve, Tass, ka njoftuar për një vendim të Ministrisë ruse të Financave rreth tregtimit të valutave të huaja në Rusi.

Rreth këtij vendimi ka alarmuar edhe Ivana Stradner, bashkëpunëtore shkencore në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracisë në Uashington.

“Ministria e Financave e Rusisë propozoi një draft për të lejuar tregtimin e valutës së vendeve të huaja në Rusi. Lista e vendeve tregon… është shumë e trishtueshme të shohësh Serbinë edhe këtu. Një tjetër dëshmi se Vuçiq nuk po e braktis Moskën”, ka shkruar Stradner në llogarinë e saj në Twitter, transmeton Ballkani.info.

Hulumtuesja amerikane, Ivana Stradner, vazhdimisht merret me hulumtimet dhe analizat që zbulojnë lidhjet e Serbisë me Rusinë dhe Bjellorusinë.

Pak kohë më parë, Strandner ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, do të humbasë mbështetjen perëndimore dhe fuqia e tij do të fillojë të bie.

Ajo është shprehur e shqetësuar me gjendjen e lirisë së shprehjes në Beograd derisa ka thënë se po bëhet si në Bjellorusi. “Jam vërtet e shqetësuar për gjendjen e lirive në Serbi, e cila po kthehet ngadalë në Bjellorusinë e Lukashenkos. Çdo ditë njerëzit raportojnë se ftohen të flasin me policinë për postimet e tyre në mediat sociale”, ka shkruar ajo. Ajo ka thënë se kjo edhe pritet nga një politikan i cili mentor e kishte Millosheviqin.

Tutje ajo ka thënë se Rusisë, për ta destabilizuar Perëndimin, nuk i duhet që t’i shtyjë tanket në Uashington ose Bruksel, por i mjafton që të krijojë vatra të reja, në mënyrë që pesha e përqendrimit të zhvendoset plotësisht në veprimet tjera. Dhe, këtu nuk bëhet fjalë vetëm për Kosovën.

Siç thekson ajo, “Rusisë i konvenon konflikti në Ballkan” dhe aty po zhvillon luftë hibride.

Stradner thotë se Rusia kurrë nuk ka investuar vetëm në një parti ose në një njeri dhe ngjashëm ka ndodhur edhe në Serbi.

“Ajo ndikon në pushtetin aktual, në SNS-në [Partinë Progresive Serbe të Aleksandar Vuçiqit] dhe gjithashtu edhe në opozitën, e cila mjaft shpesh i shpreh qartë qëndrimet e saj ruse”.

Përshkallëzimi i konfliktit, sipas saj, është një nga strategjitë ushtarake të Rusisë, në mënyrë që veten ta vendosë si ndërmjetësues. Kjo po ndodh edhe në rastin e Kosovës, vlerësonte Stradner.

Të ngjashme