Lajme
Edhe EULEX përgënjeshtron Qeverinë: S’u koordinua me ne për shpalljen e dy organizatave si terroriste
Demokracia
13:28 | 02 Korrik 2023

Share:

Për kapjen e veturës së stërmbushur me armë në Zveçan më 23 qershor EULEX ka qenë në dijeni sepse edhe “e kanë monitoruar” por për shpalljen e dy organizatave terroriste, përkatësisht “Mbrojtjes Civile” dhe “Bridgadës Veriu” autoritetet kosovare “nuk janë koordinuar me EULEX-in”.

Kështu bëjnë me dije përmes një përgjigje me shkrim nga Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë për Nacionalen, duke e dhënë edhe konfirmimin e fundit (pas QUINT-it edhe KFOR-it) se qeveria kosovare s’e ka konsultuar askënd prej aleatëve, partnerëve por edhe operatorëve të sigurisë në pjesën veriore të vendit.

EULEX ka folur në lidhje me operacionin e kapjes së veturës me targa të Beogradit (BG) në Zveçan, që autoritetet kosovare thanë të ketë qenë 100 metra në afërsi të Komunës së Zveçanit dhe që adresa e furnizimit të saj me armë ishte Beogradi zyrtar. EULEX na konfirmoi se Njësia e Formuar Policore e tyre “ka monituar inspektimin e asaj veture më 23 qershor” por se nuk mund të jep më shumë hollësi rreth saj duke qenë se “ky operacion nuk është kryer nga ne”.

“Ne konfirmojmë se pjesëtarë të Njësisë sonë të Formuar të Policisë kanë monitoruar inspektimin e automjetit më 23 qershor. Duke qenë se operacioni nuk ka qenë kryer prej EULEX-it, ne s’mund të ofrojmë hollësi rreth kësaj. Për detaje, ju lus të kontaktoni me autoritetet e Kosovës”.

Ndërsa sa i përket shpalljes së dy organizatave terroriste në veri – vendim qeveritar ky që Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla tha të ketë qenë në plotni i koordinuar me aleatët perëndimorë, por edhe me reaguesit e parë e të dytë të sigurisë në veri, përkatësisht KFOR-i dhe EULEX-i – misioni evropian e përgënjeshtron atë. Pas demantimeve në varg, prej Departamentit të Shtetit, Mbretërisës së Bashkuar, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe KFOR-it, konfirmimin e fundit se gjoja ka pasur koordinim e hedh poshtë edhe EULEX-i.

“Sa për pyetjen e juaj të fundit, vendimi i Qeverisë së Kosovës që ju i referoheni nuk është koordinuar me EULEX-in”, thanë nga Misioni në një përgjigje.

Dy ditë më parë këtë pretendim të Sveçlës e kishte demantuar edhe Misioni Paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR) me një përgjigje fare të shkurtër: “Nuk kemi qenë të përfshirë”, patën thënë kështu duke dhënë edhe një konfirmim të madh se një vendim i tillë është marrë pa u konsultuar e njoftuar me ta.

Çfarë pretendonte ministri?

“Ne në vazhdimësi koordinohemi me të gjithë aleatët tanë, disa herë pajtohemi disa herë nuk pajtohemi. Patjetër që për ketë hap ne jemi koordinuar.” – deklaroi ai në konferencën për media pas mbledhjes së qeverisë, ndërsa shtoi se me kohë do të ndajnë detaje të këtij procesi me partnerët strategjikë.

Fillimisht, Sveçla u demantua nga aleati më i madh i Kosovës, ShBA-ja. Një zëdhënës i DASH-it tha se ky vendim s’u koordinua, por do të duhej të koordinohej me partnerët ndërkombëtarë.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të shpallur këto grupe si organizata terroriste nuk ka qenë i koordinuar me SHBA-në dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Ky vendim do të duhej të koordinohej me partnerët më të ngushtë ndërkombëtarë të Kosovës, përfshirë ata të cilët kanë përgjegjësinë primare për të siguruar stabilitetin e Kosovës. Ne sërish i bëjmë thirrje Kosovës që të përmbahet nga hapat e njëanshëm përderisa ne po punojmë me të gjitha palët për të zgjidhur krizën aktuale.” – pati thënë një zëdhënës i DASH-it për Radion Evropa e Lirë.

“Vendimi nuk është koordinuar as me Gjermaninë, madje as nuk është informuar qeveria gjermane nga autoritetet kosovare për këtë veprim paraprakisht. Është e rëndësishme që çdo vendim i këtij lloji duhet të respektojë ligjet përkatëse dhe parimin e proporcionalitetit. Ritheksojmë thirrjen tonë për Qeverinë e Kosovës që të përmbahet nga çdo veprim i njëanshëm që mund të përshkallëzojë më tej situatën në komunat veriore.” – u tha nga Zyra për Shtyp e Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë për Klan Kosovën.

Njëjtë edhe Mbretëria e Bashkuar, deklaruan si vijon: “Nuk jemi konsultuar (nga Kosova) për këtë (vendim)”.

Të ngjashme