Lajme
Flet kundërkorrupsioni | Hëm asamblist, hëm kryeshef ekzekutiv në ndërmarrje publike – a është në konflikt të interesit Faruk Mujka i Vetëvendosjes?
Demokracia
18:35 | 10 Maj 2024

Share:

I dyshuari për korrupsion, Faruk Mujka, po vazhdon të mbajë dy poste publike. Atë të Kryeshefit Ekzekutiv të NH “Ibër-Lepenc” Sh. A., e cila është me 100 për qind të aksioneve në pronësi të Qeverisë së Kosovës dhe postin e asamblistit nga radhët e Vetëvendosjes në Mitrovicën e Jugut, shkruan Demokracia.com.

Njeriu i Vetëvendosjes, i cili ishte arrestuar në vitin e kaluar nën dyshimin për korrupsion, po vazhdon të mbajë dy funksione publike. Dihet se në të kaluarën nuk ishte lejuar që Blerand Stavileci të emërohej në krye të një ndërmarrjeje publike për shkak të postit politik që kishte mbajtur më herët, bazuar në interpretimin që kishte bërë Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, në rastin e kandidimit të tij për Kryeshef të Korporatës Energjetike të Kosovës. Në atë interpretim, ZKM-ja kishte thënë se edhe kryeshefi i ndërmarrjes publike duhet të jetë i pavarur, pra nuk duhet të ketë poste politike dhe të jetë pjesë e organeve vendimmarrëse të partive politike në 36 muajt e fundit.

Demokracia.com ka kërkuar një sqarim nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit lidhur më atë se “A lejohet me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, që një asamblist i një komune të ushtrojë njëkohësisht edhe detyrën e kryeshefit në një Ndërmarrje Publike?”

APK-ja ka thënë se në legjislacionin që mbikëqyrin ata kjo çështje nuk përmban konflikt, por sipas tyre, duhet të shihet me kodin etik të Ligjit për Korporata.

“Edhe pse në pyetje nuk është saktësuar nga ju se a behet fjalë për ndërmarrjen publike qendrore apo ndërmarrje publike komunale, sa i takon Ligjit për Parandalimin e konfliktit të interesit nuk është se ka ndonjë kufizim / ndalesë absolute për ushtrimin e këtyre dy funksioneve. Mund të ketë kufizime të natyrës “konflikt rast pas rasti i interesit” që evitohet me deklarim dhe me shmangie nga situatat e caktuara kur shfaqen. Por, nëse bëhet fjalë këtu për ndërmarrje publike komunale, atëherë sa për sugjerim po ju sqarojmë se te Ligji për Vetëqeverisjen Lokale ekziston një kufizim te neni 65, pika dy që shprehimisht thotë: “Drejtorët komunal, drejtorët e institucioneve dhe ndërmarrjeve nën autoritetin e komunës dhe nëpunësit civil të administratës së komunës nuk mund të jenë anëtar të kuvendit të Republikës së Kosovës apo kuvendit të komunës të komunës ku ata punojnë”. Ndërsa, nëse bëhet fjalë për ndërmarrje publike qendrore, atëherë për zgjedhjen e organeve drejtuese të këtyre ndërmarrjeve vjen në shprehje Kodi i Etikës së Qeverisjes Koorporative, për zbatimin e të cilit përgjegjëse është Njësia për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë”, thuhet në përgjigjen e APK-së për Demokracia.com.

Në korrik të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte urdhëruar arrestimin e ish-drejtorit të Kadastrit në Komunën e Mitrovicës, Hysen Muzliukaj dhe ish-nënkryetarit Faruk Mujka. Të njëjtit ishin nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Të dy ishin liruar pas 48 orësh.

Policia e Kosovës kishte kryer bastisje në dy lokacione të të dy të dyshuarve, kryeshefit ekzekutiv të Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, Faruk Mujka dhe Hysen Muzilukaj, asokohe këshilltar i Ministrit të Bujqësisë.

Sipas njoftimit, nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale, në njërin lokacion ishin gjetur 60 mijë euro, duke ngritur dyshimin se të dyshuarit kanë keqpërdoruar detyrën zyrtare të tyre.

“Nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës, Njësia e Veçantë e Hetimeve, ka kryer bastisje në këto dy lokacione, pronë e dy të dyshuarve. Gjatë bastisjes në njërin lokacion, ndër të tjera janë gjetur dhe sekuestruar shuma e të hollave prej gjashtëdhjetë mijë (60.000.00) euro. Prokuroria Speciale njofton se ekziston dyshimi i arsyeshëm se të pandehurit F.M dhe H.M, në cilësi të personave zyrtarë, me dashje kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete apo për tjetrin, kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare dhe nuk i kanë respektuar detyrat dhe përgjegjësitë e tyre që të ushtrojnë funksionin e tyre në bazë të ligjit”, thuhej në njoftim, përcjell Demokracia.com.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës bënte të ditur se kishte pranuar informacione për keqpërdorim të detyrës zyrtare nga dy personat e lartcekur në maj të vitit të kaluar dhe që atëherë, e njëjta kishte ndërmarrë veprime.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, lidhur me këtë rast njofton opinionin publik se në maj të vitit 2022 ka pranuar informacione, lidhur me dyshimet për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar nga dy persona, në atë kohë pjesë e strukturave udhëheqëse në komunën e Mitrovicës së Jugut. Menjëherë pas pranimit të këtyre informacioneve, PSRK ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve hetimore, me qëllim mbledhjen e provave. Pas marrjes së informacionit në bazë të autorizimeve të PSRK-së, Policia e Kosovës ka ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore, ndërsa me datë 03.07.2023, ka paraqitur Kallëzim Penal ndaj zyrtarëve me inicialet F.M. dhe H.M., me dyshimin se gjatë kohës sa ishin pjesë e udhëheqësisë në komunën e Mitrovicës së Jugut, gjatë vitit 2021, janë përfshirë në kryerjen e veprës penale ‘Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar’, e sanksionuar me nenin 414 të Kodit Penal të Republikë së Kosovës”, thuhej tutje në njoftim.

Deri sa Komuna e Mitrovicës udhëhiqej nga kryetari Agim Bahtiri, Mujka shërbente në cilësinë e nënkryetarit dhe atë të kryetarit të LVV-së në qendrën e Mitrovicës. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme