Sport
E pritshme, goli i Asanit më i miri i xhiros
Demokracia
18:08 | 15 Shtator 2023

Share:

Supergoli i Jasir Asanit është zgjedhur goli më i mirë i xhiros së gjashtë të kualifikimeve për Euro 2024. Përzgjedhja është bërë nga UEFA, përmes votimit të hapur.

Asani shënoi supergol në fitoren 2:0 të Shqipërisë ndaj Polonisë. Ndeshja ishte zhvilluar në “Air Albania” në Tiranë më 10 shtator.

Asani kishte shënuar për 1:0 në minutën e 37-të. Goditi bukur e saktë nga distanca, ndërsa portieri i Polonisë, Wojciech Szczesny nuk mundi të bëjë shumë ndonëse këndi prej nga goditi futbollisti shqiptar ishte shumë i vështirë.

Leandro Trossard i Belgjikës ka shënuar golin e dytë më të mirë të xhiros së gjashtë. Goli i Maxim Samorodovit të Kazakistanit u vlerësua i treti më i miri, ndërsa Joao Felix i Portugalisë shënoi golin e vlerësuar si i katërti më i miri. Katërshen finale e ka përzgjedhur UEFA, ndërsa goli më i mirë u vendos me votat e tifozëve.

Asani për herë të dytë ka shënuar golin më të mirë të xhiros. Goli i tij ishte vlerësuar më i miri edhe në xhiron e tretë. Bëhet fjalë për supergolin e shënuar ndaj Moldavisë, po ashtu në fitoren 2:0. Si ndaj Polonisë, topi i goditur nga Asani kishte bërë lëvizje të veçantë drejt portës.

Në fakt futbollistët e Shqipërisë janë shquar me supergola në këtë cikël eliminator. Këtë e dëshmon fakti që Kristjan Asllani kishte shënuar golin më të bukur në xhiron e katërt. “Perla” e Asllanit ishte parë në fitoren 3:1 ndaj Ishujve Faroe. Ndërkohë Nedim Bajrami ishte kandidat për golin më të mirë të xhiros së pestë, por është përzgjedhur një gol tjetër.

Të tjerë gola të bukur priten nga Asani, Asllani e Bajrami.

Të ngjashme