Lajme
E papritur| Albin Kurti e mbron Marrëveshjen për Energjinë me Serbinë të nënshkruar nga qeveritë e kaluara
Demokracia
14:51 | 18 Qershor 2022

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka mbrojtur marrëveshjen për energjinë, e cila ishte nënshkruar nga qeveritë e kaluara.

Në një konferencë për media, Kurti para gazetarëve ka konfirmuar se janë shumë afër nënshkrimit të marrëveshjes për energjinë me Serbinë, raporton Demokracia.com.

Veç kësaj, Kurti ka thënë se nuk do të ketë asgjë shtesë, përveç shërbimeve të dakorduara më herët për katër komunat në veri të Kosovës.

“Duhet të mbahet mend që bëhet fjalë për katër shërbime të dakorduara më herët, vendosja e matësve të energjisë, mirëmbajtja e matësve, faturimin dhe inkasimi. Këtë obligim ne e kemi përmbushur. Nuk do ketë asnjë shërbim shtesë përtej këtyre katër shërbimeve dhe përtej katër komunave në veri të Kosovës”, ka thënë ai, përcjell Demokracia.com.

Kurti mes tjerash ka thënë se ditët në vazhdim janë vendimtare nëse do të ketë finalizim të marrëveshjes për energjinë me Serbinë, negocimin e së cilës e ka në dorë zëvendësi i tij, Besnik Bislimi.

“Ditët në vijim janë vendimtare për të parë se a do të bëhet finalizimi i dakordimit për nisjen e zbatimit të udhërrëfyesit të energjisë, andaj duhet të kemi shumë kujdes që as me gjysmë të vërteta të mos e dëmtojmë procesin në ditët në vijim për shkak se po kërkohen pretekste për të devijuar nga marrëveshja afër së cilës jemi afër. Më lejoni ta potencoj se kjo marrëveshje nuk lidhet me liberalizimin e vizave, ne i kemi plotësuar të gjitha kriteret dhe e kemi rregulluar në masë të madhe imazhin e Kosovës”, tha Kurti./Demokracia.com/

Të ngjashme