Lajme
“E padrejtë, jo fer, e rrezikshme”| Pushteti kritikon BE-në për masat ekonomike e politike ndaj Kosovës
Demokracia
22:19 | 30 Qershor 2023

Share:

Tashmë në Bashkimin Evropian po flet për masa kundër Kosovës, pas refuzimit të kërkesave amerikano-evropiane për shtensionimin e situatës në veri. Në lidhje me këto paralajmërime, kanë reaguar edhe anëtarët e Qeverisë së Kosovës, por edhe figura të rëndësishme të pushtetit, duke e kritikuar BE-në. Çka u tha?

Së pari, kryediplomati evropian, Josep Borrell, e konfirmoi dje se në takimin e udhëheqësve të Këshillit Evropian, do të kërkojë përkrahje që të vazhdohet presioni ndaj Kosovës e Serbisë, me qëllim të deeskalimit të situates, duke përmendur edhe “masat ekonomike e financiare”.

“Do ta kërkoj përkrahjen e udhëheqësve që të vazhdohet vendosja e presionit ndaj tyre (Kosovës dhe Serbisë) me qëllim të shmangies së eskalimit dhe kthimit te normalja. Shtetet anëtare kanë vendosur… që duhet të ndërmerren masa, ekonomike dhe politike, me qëllim që t’u bëhet e qartë atyre se nëse nuk kontribuojnë për de-eskalim, kjo vjen me një kosto.” – u shpreh ai.

Ndërsa në konkluzionet e Këshillit Evropian u theksuan pasojat negative, nëse dështohet për t’u shtensionuar situata në veri.

“Këshilli Evropian dënon incidentet e fundit të dhunshme në veri të Kosovës dhe bën thirrje për një deeskalim të menjëhershëm të situatës, bazuar në elementet kyçe të përshkruara tashmë nga Bashkimi Evropian më 3 qershor 2023. Palët duhet të krijojnë kushtet për zgjedhjet në të katër komunat në veri të Kosovës. Dështimi për të de-përshkallëzuar tensionet do të ketë pasoja negative.” – thuhej aty.

Reagimet…

I pari që reagoi në lidhje me masat e paralajmëruara ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur dje, ai tha disa fjalë për këto masa.

“Më lejoni të adresoj një zhvillim të fundit. Komisioni Evropian dje ka paraqitur para Bashkimit Evropian një listë të masave kundër Kosovës. Bashkimi Evropian te Kosova e gjen partnerin e aleatin më të sinqertë e të qëndrueshëm në rajon të vlerave evropiane, parimeve demokratike e interesave afatgjate. Kosova të tillë e ka qeverinë, popullin. Së pari popullin e pastaj qeverinë. Me raste kemi qenë kritikë ndaj Bashkimit Evropian, por asnjëherë as cinik e as të hidhëruar.” – tha ai në mbledhjen e kabinetit qeveritar, shkruan Nacionale.

Pavarësisht masave të paralajmëruara, Kurti theksoi se Kosova e vlerëson ndihmën e BE-së.

“Pavarësisht zhvillimeve rrethanore, ne vlerësojmë ndihmën e BE-së përgjatë këtyre viteve, dhe mezi e presim pyetësorin për anëtarësim, sepse Evropa është kontinenti ynë, e BE-ja fati ynë.” – u shpreh ai.

Për dallim nga shefi i saj, Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ishte shumë më dorëlëshuar në komentet e saj. Masat e propozuara nga BE-ja, zonja Gërvalla i cilësoi si të rrezikshme.

“Masat që janë ndërmarrë në kuadër të përpjekjeve të Bashkimit Evropian për deeskalim të gjendjes në veri të Kosovës, janë masa të cilat BE-ja i sheh si të arsyeshme. Ne mendojmë se masat e tilla janë të panevojshme për shkak se është e rëndësishme që në një situatë të tillë në të cilën ndodhemi mesazhi t’i dërgohet qartë dhe pa asnjë mundësi për keqkuptim atyre që i kanë krijuar trazirat në pjesën veriore të Kosovës. Personalisht mendoj se mesazhet e tilla janë të rrezikshme sepse mund të krijojnë përshtypjen tek presidenti serb, Vuçiq se mund të vazhdojë me të njëjtën mënyrë të destabilizojë jo vetëm Kosovën, por dhe të gjithë fqinjët që ka rreth e rrotull.” – theksoi ministrja Gërvalla.

Edhe më i ashpër ishte zëdhënësi i Qeverisë Kurti, Përparim Kryeziu, duke i cilësuar këto masa si “të padrejta dhe jo fer”.

“Kosova në qendër ka sundimin e ligjit, pra ne në radhë të parë t’i qëndrojmë besnikë sundimit të ligjit, e të kujdesemi që ata që kanë bërë sulme të kenë pasoja. Nuk mund të shtiremi sikur s’ka ndodhur asgjë nga 29 maji. Në veprimet tona të ardhshme që përfshijnë edhe zgjedhjet e parakohshme, të mos na dërgojnë në të njëjtën situatë si në zgjedhjet e prillit të këtij viti. Pos gatishmërisë, ka edhe qëllimin për të gjetur rrugëdalje drejt një shtensionimi të situatës. Sa i përket masave, nga fillimi kur kanë dalë diskutimet e para për mundësinë e masave të tilla, i kemi konsideruar si të padrejta dhe jo fer në raport me Kosovën, pasi Kosova nuk ka sjellje agresore, por parimore për sundimin e ligjit.” – deklaroi Kryeziu, transmeton Koha.

Ndërsa Mimoza Kusari-Lila, shefe e grupit parlamentar të VV-së, i cilësoi këto masa si “tërësisht e pakuptimtë”.

“Për ne në fakt është tërësisht e pakuptimtë që në këtë formë dhe mënyrë të prezantohen masat ndaj Kosovës për një çështje në të cilën Kosova nuk ka kontribuuar në kuptimin e përkeqësimit të situatës përveç se i ka ndërmarrë të gjitha hapat në të cilat secili shtet sovran edhe i BE-së edhe kudo në botë, do t’i ndërmerrte në raport me shtrirjen e sovranitetit, zbatimit të rendit dhe ligjit, e natyrisht respektimit të ligjeve dhe rezultateve zgjedhore.”- ka thënë Kusari-Lila për Klan Kosovën.

Të ngjashme