Lajme
E cilësoi si kundërshtar të Kosovës, por Kurti hante darka e lumturohej kur e takonte Lajçakun në restorantin e Ridit
Demokracia
14:49 | 18 Shtator 2023

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, si kurrë më parë sot u shfaq tejet i ashpër me ndërmjetësuesin evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Ai e akuzoi Lajçakun se u pozicionua kundër Kosovës dhe u koordinua më presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Kurti e quajti ndërmjetësuesin evropian si jo korrekt, aspak neutral dhe si njeri që është pozicionuar kundër Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Por, pak muaj më parë, dyshja qeveritare që sot nuk lanë gjë pa thënë për Lajçakun, Albin Kurti e Besnik Bislimi, darkonin të lumtur më të në restoranin e mikut të tyre, Ridvan Muharremi, i cili ishte arrestuar si i dyshuar për dallavere me rezervat shtetërore.

“Kthehem sot në Kosovë për të vazhduar diskutimet e mia të sinqerta, të hapura dhe intensive me Kryeministrin @albinkurti dhe ZKM @BislimiBesnik për hapat e ardhshëm dhe rrugën përpara për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne gjithashtu ramë dakord që të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut duhet të zbatohen plotësisht”, kishte shkruar Lajçak pas takimit në “Bukë e Zemër”.

Sot, kryeministri Albin Kurti në një konferencë pas takimit të 14 shtatorit në Bruksel, akuzoi Lajçakun se është pozicionuar krah Serbisë.

“E kuptova që ai dokument i Serbisë që në titull tregonte shpërfilljen e zbatimit të marrëveshjes bazike. Që së pari zbatimi i Asociacionit e pastaj diskutimi për planin në fakt tregonte që ishte shndërruar në qëndrim të Lajçakut. Si i tillë, Lajçaku e Vuçiqi duket sikur të jenë koordinuar me një qëllim të vetëm, të bëjnë të pamundur një skenar ku marrëveshja zbatohet në plotni. Dhe t’i japin jetë një skenari alternativ për gjysmën e marrëveshjes e gjysma tjetër që përbën pjesën më të civilizuar fqinjësore dhe evropiane të mos zbatohet asnjëherë”, tha ai.

Kurti shtoi se synimi i vetëm gjysmës së marrëveshjes është i barazvlefshëm me atë që mund të thuhet “se marrëveshja është mbytur”.

“Prandaj nuk e pranova një skenar të tillë, sepse marrëveshja ekziston dhe nuk mund të zhbëhet nga askush. Pas daljes në media, ku ekspozova këtë skenar, ku dëshiron të mbytësh gjithë marrëveshjen, ndërmjetësi lëshoi në media një dokument ku u tha se Kurti e refuzoi, Vuçiqi e pranoi. Në atë plan të Lajçakut zbatohet ajo që Serbia kërkoi. Kjo ishte e pavërtetë”, tha Kurti.

Ai e definoi takimin e nivelit të lartë më 14 shtator duke thënë se pozicioni ishte asisoj i ndërmjetësit që përkthehej në “kundër Kosovës në përgjithësi”, por edhe “kundër marrëveshjes bazike në veçanti”.

“Ata kanë shkuar shumë larg në goditjen e së ardhmes së Kosovës. Nuk mund të shtrembërohet gjykimi im duke hedhur hi syve. Ose e zbatojmë gjithë marrëveshjen, ose nuk mund të zbatojmë vetëm ato që do Serbia. Kjo logjikë ka vdekur”.

“Unë nuk do të thosha që ka pasur koodinim të BE-së me Serbinë, do të thosha emisari ka pasur koordinim me presidentin e Serbisë. Nuk shpjegohet ndryshe fakti që fshihet mungesa e propozimeve të Serbisë dhe në anën tjetër shpërfillen propozimet tona. Gjatë gjithë vitit bëj propozime kreative. Serbia s’ka dhënë asnjëherë propozime”, shtoi ai.

Kurti tha se hasi në “sintoni” mes Lajçakut dhe Vuçiqit dhe madje edhe “në shpërfillje të koordinuar”.

“Presidenti i Serbisë dhe Miroslav Lajçak reaguan me të njëjtin mendim dhe me të njëjtën shpërfillje të koordinuar. Të dy thanë që ky plan është shumë jorealist”, tha Kurti.

Ai tha se në bazë të këtyre gjërave që ka thënë për ndërmjetësin, ai vetë do të duhej të jepte llogari para Komisionit Evropian, Këshillit Evropian dhe Parlamentit Evropian. /Demokracia.com/

Të ngjashme