Sport
Drenica pa “shtëpi” në fillim të stinorit pranveror, Dajaku tregon stadiumin ku pritet të zhvendosen
Demokracia
18:37 | 07 Shkurt 2023

Share:

Për shkak të reshjeve të shumta të shiut në Kosovë javë më parë, Skenderaj ishte ndër qytetet që pësoi më së shumti nga vërshimet.

Ndër objektet që u përmbytën nga vërshimet e mëdha ishte edhe stadiumi “Bajram Aliu” në Skenderaj, në të cilin Drenica zhvillon ndeshjet si vendas.

Kur ka nisur numërimi së prapthi për fillimin e stinorit pranveror në elitën e futbollit kosovar, “kuqezinjtë” nga Skenderaj nuk kanë “shtëpinë” e tyre për të zhvilluar ndeshjet si vendas.

Drenica ndeshjen e parë të stinorit pranveror e luan të shtunën, më 11 shkurt, si nikoqir i Llapit me fillim nga ora 13:00.

Stadiumi “Rexhep Rexhepi” në Drenas është opsion për Drenicën për ta zhvilluar takimin ndaj llapjanëve.

Këtë e ka konfirmuar për Demokracia.com edhe drejtori sportiv, Taulant Dajaku, i cili pohon se vendimi final do të merret nesër (e mërkurë).

“Të mërkurën do të vendosim se ku do të luajmë ndeshjet si vendas. Besoj se në takimet si nikoqir do ta përdorim stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas” – tha Dajaku për Demokracia.com.

I pyetur se kur do të rikthehet Drenica në stadiumin e saj në Skenderaj, Dajaku u përgjigj shkurtimisht.

“Ajo varet krejt nëse do të ketë investime nga institucionet”, u shpreh Dajaku.

Drenica e nis stinorin pranveror në Superligë nga pozita e shtatë me 20 pikë, një pikë larg “zonës së kuqe”./Demokracia.com/

Të ngjashme