Mbrëmjen e 21 marsit 2024, kryeministri Albin Kurti “i pushtuar” nga kotësia, po merrej me shpjegimin e një fjale shqipe, kuptimi i së cilës është i qartë lehtësisht.
“Marrëdhënia do të thotë edhe marrje edhe dhënie, jo veç dhënie, por edhe marrje. Marrë – Dhënie”, shpjegonte Kurti në intervistën e tij për RTK-në, gjë që bëri që gazetarja të mos mbajë të qeshurën, shkruan Demokracia.com.
Përgjigjja e Kurtit tregon se sa thellë kryeministri i Kosovës është zhytur në kotësinë e shpjegimit të domethënies së fjalëve shqipe, në vend se të tregonte për zhvillimin e projekteve të mëdha kombëtare apo avancimin e marrë-dhënieve të vërteta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat shënojnë nivelin më të ulët.
DORË + HEQJE = DORËHEQJE
Pikërisht niveli i ulët i marrëdhënieve ndërshtetërore Kosovë – ShBA, që në të shumtën e rasteve ka prodhuar përplasje publike, vjen për shkak të politikave të kryeministrit Kurti, të cilit aleatët amerikanë i kanë kërkuar koordinim paraparak, sepse ato mund të nxisin tensione në mes të Kosovës dhe Serbisë, aq shumë të dëshiruara nga Rusia.
Nuk ka ndodhur kurrë më parë që politika kosovare të konfliktuohet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, madje edhe publikisht, siç po ndodhë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, të cilat sollën në pushtet Lëvizjen Vetëvendosje.
Keqqeverisja brenda vendit, por edhe dëmtimi i marrëdhënieve të Republikës së Kosovës me aleatët e saj perëndimorë, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë arsyet kryesore që kryeministrit Kurti po i kërkohet dorëheqja, në mënyrë që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me një hap të vetëm mund t’i hapë rrugë zgjedhjeve të reja dhe të jashtëzakonshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Dorëheqja e parevokueshme nga posti i kryeministrit të Kosovës është mënyra më e shpejtë për të çuar vendin në zgjedhje. Kosova ka kaluar nëpër një rrugë të njëjtë në verën e vitit 2019, pas dorëheqjes së parevokueshme të kryeministrit Ramush Haradinaj.
Kurti mund ta ndjekë rrugën e ish-kryeministrit Haradinaj dhe të paraqesë dorëheqjen e tij në një mbledhje të rregullt të Qeverisë së Kosovës.
Aty, Kurti mund të shpjegojë edhe përmbajtjen e fjalës: Dorëheqje. /Demokracia.com/