Lajme
Nëse Kurti dorëhiqet ose shpërbëhet Kuvendi këtë muaj, zgjedhjet mbahen në maj ose qershor (Afatet ligjore)
Demokracia
17:12 | 22 Mars 2024

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me një hap të vetëm mund t’i hapë rrugë zgjedhjeve të reja dhe të jashtëzakonshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Dorëheqja e parevokueshme nga posti i kryeministrit të Kosovës është mënyra më e shpejtë për të çuar vendin në zgjedhje, shkruan Demokracia.com.

Kosova ka kaluar nëpër një rrugë të njëjtë në verën e vitit 2019, pas dorëheqjes së parevokueshme të kryeministrit Ramush Haradinaj.

Në një situatë të tillë, pra kur dorëhiqet kryeministri, qeveria mund të formohet nga subjekti i dytë politik, por si në vitin 2019, as tani, askush nuk do të dëshironte të drejtonte një Qeveri të re, sidomos kur dihet që të gjitha partitë tjera politike opozitare janë deklaruar se dëshirojnë të shkojnë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Lexo më shumë:

Para se të kërkojë shkarkim me votat e opozitës, pse Kurti nuk po ia bën si Haradinaj të na befasojë me dorëheqje?

Në rrethana të tilla, pas dorëheqjes së kryeministrit, hapi i radhës do të ishte shpërbërja e Kuvendit me vullnetin e deputetëve. Kjo do të ishte një rrugë e lehtë, që gjithashtu është ndjekur nga partitë politike të Kosovës në gushtin e vitit 2019.

ZGJEDHJE TË JASHTËZAKONSHME NË QERSHOR?

Ish-kryeministri Haradinaj kishte dhënë dorëheqje më 19 korrik 2019, kurse Kuvendi ishte shpërbërë pas një muaji, më 22 gusht 2019.

Më 26 gusht 2019, ish-presidenti Hashim Thaçi kishte dekretuar shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës dhe në të njëjtën ditë, kishte caktuar datën e zgjedhjeve për 6 tetor 2019.

Këtë situatë mund ta përsërisë me shumë lehtësi kryeministri Albin Kurti, nëse do të vendoste të dorëhiqej nga pozita që mban dhe nëse pastaj do të udhëzonte deputetët e partisë së tij që të mbështesnin shpërbërjen e kësaj legjislature.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë, “pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës zgjedhjet e parakohshme caktohen nga Preidenti jo më vonë se 10 ditë pas shpërndarjes”.

 

Po sipas nenit dhe paragrafit të njejtë, “Zgjedhjet e parakohshme nuk mund të mbahen më herët se 30 ditë dhe më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes”.

Pra, nëse Kurti do të dorëhiqej deri në fund të muajit mars, pas zhvillimit të procedurave ku partitë opozitare nuk do të pranonin të themelonin Qeverinë e re, kryesia e Kuvendit do të mund të thërriste seancën për shpërndarjen e Kuvendit më së largu deri në fund të muajit prill.

Pas kësaj, vetëm 10 ditë do t’i kishte kohë presidentja Osmani për të caktuar datën për zgjedhjet e parakohshme apo të jashtëzakonshme.

Sipas këtij skenari, i cili varet kryekëput nga kryeministri Kurti, zgjedhjet e reja do të mbaheshin në muajin qershor të këtij viti.

Por, nëse Kuvendi do të vendoste të shpërndahej pa dhënë dorëheqje kryeministri Kurti, zgjedhjet e reja do të mbaheshin edhe më shpejt.

Më 21 mars 2024, në një intervistë për RTK-në, Kurti ka sfiduar partitë opozitare duke u premtuar atyre votat e deputetëve të Vetëvendosjes për ta shpërndarë Kuvendin e Kosovës.

“Mund t’i bëjnë [votat] bashkë me neve, kjo është ofertë e imja. Unë po them që po shkojmë në zgjedhje kur dëshiron opozita. Ne e ndihmojmë opozitën nëse dëshirojnë të shkojnë në zgjedhje”, është shprehur Kurti.

Por, kjo “ofertë” e Kurtit po shihet më shumë si një strategji e tij për t’u viktimizuar dhe për ta paraqitur këtë si një vendim që ia shkurton mandatin një Qeverie plotësisht legjitime. /  Demokracia.com /

Lexo më shumë për këtë temë:

Kurti bllokohet brenda dhe jashtë Kosovës, nisë t’i kërkojë zgjedhjet e reja: Shkojmë në zgjedhje kurdo që dëshiron opozita

Krasniqi i kundërpërgjigjet Kurtit për rrëzimin e Qeverisë: Prej nesër nënshkrimet e PDK-së janë gati

Abdixhiku ia kthen Kurtit thirrjen për zgjedhje: Nëse është dorëzu le të dorëhiqet, jemi gati për zgjedhje

 

Të ngjashme