Lajme
Dokumentet e Beogradit i izolojnë, MPB s’tregon nëse serbët nisën të pajisen me pasaporta të Kosovës
Demokracia
15:53 | 18 Maj 2023

Share:

Pas liberalizimit të vizave për Kosovën, serbët që refuzojnë ta marrin shtetësinë e saj do të jenë të vetmit në Ballkanin Perëndimor që nuk do të mund të udhëtojnë pa viza. Serbia i kërkon BE-së t’i liberalizojë vizat edhe për serbët me pasaporta të lëshuara nga Beogradi. A do të jenë vizat arsyeja që serbët të marrin shtetësinë e Kosovës?

Me heqjen e vizave për kosovarët, serbët e Kosovës që nuk kanë pasaportë kosovare, nuk do të mund të lëvizin pa viza në Zonën Schengen. Pasaportat për serbët e Kosovës që i lëshon e ashtuquajtura Administratë Koordinuese në Beograd, nuk janë të vlefshm për të lëvizur pa viza, ndonëse Serbia si shtet ka liberalizim prej vitit 2009. Në një situatë të tillë, serbëve që refuzojnë shtetësinë kosovare nuk do t’u lejohet lëvizja e lirë në Zonën Schengen.

Është raportuar se Serbia i ka kërkuar Komisionit Evropian shfuqizimin e vendimit për detyrimin për vizë për serbët e Kosovës, të cilët kanë pasaporta të lëshuara nga Administrata Koordinuese në Beograd, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Brendshme të Serbisë.

“Qëndrimi i Republikës së Serbisë për këtë çështje është mjaft i qartë – qytetarët që janë bartës të dokumenteve të udhëtimit të lartpërmendura nuk mund dhe nuk guxojnë të diskriminohen dhe detyrimi për të pasur vizë për udhëtim në BE duhet të hiqet”, është thënë nga MPJ-ja serbe, pas vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Por, çfarë do të bëjnë tani serbët, që “këshillohen” nga shteti serb dhe nga Lista Serbe të mos marrin dokumentet e Kosovës

Gazetari dhe analisti serb që jeton në Mitrovicën Veriore, Branislav Kërstiq, i ka thënë Gazetës Express se zgjidhja është pajisja e bashkëkombësve të tij me pasaporta kosovare.

“Zgjidhja është shumë e thjeshtë. Zyrtarë të lartë të administratës amerikane theksojnë se qytetarët e Kosovës me kombësi serbe duhet të pajisen me dokumente nga të dyja vendet, pra nga Kosova dhe Serbia. Mbetet për t’u parë nëse Beogradi zyrtar fillimisht do të presë që serbët e Kosovës të aplikojnë për pasaporta të Kosovës dhe vetëm më pas t’i pajisë me pasaportat serbe pa viza”, ka thënë Kërstiq.

Ai tutje tregon se personalisht, bashkë me familjen, mban dy shtetësi.

“Nëse më pyesni mua, fëmijët, gruaja dhe unë kemi pasaporta të Kosovës dhe Serbisë. Fatkeqësisht, shumica e serbëve të Kosovës kanë vetëm një ose asnjë pasaportë”, tha gazetari.

Menjëherë pas liberalizimit të vizave, Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që të pajisen me dokumente kosovare.

Gazeta Express ka pyetur Ministrinë e Punëve të Brendshme për trendin e pajisjes së qytetarëve serbë me pasaportë të Kosovës, por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka marrë përgjigje.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka thënë menjëherë pas liberalizimit të vizave për Kosovën, që po provon të gjejë një zgjidhje, ashtu që edhe serbët të mund të udhëtojnë pa viza, pa u pajisur me pasaportë kosovare.

“Nuk mund t’ju premtoj sepse nuk është në dorën tonë, por besoj se do të zgjidhet në tetë muajt e ardhshëm, aq sa kemi kohë. Pra, kemi kohë deri më 1 janar për ta zgjidhur atë problem dhe besoj se do ta zgjidhim atë problem”, ka thënë Vuçiq gjatë prillit.

Bashkimi Evropian nga ana tjetër ka bërë të ditur se liberalizimi do të vlejë vetëm për qytetarët me dokumentacionin që e lëshojnë autoritetet e Kosovës.

Raportuesi i vizave për Kosovën në Parlamentin Europian, Thjis Reuten, ditën e ceremonisë është pyetur për këta serbë të Kosovës që kanë pasaporta të lëshuara nga Beogradi nëse me to mund të udhëtojnë lirshëm pas vendimit për liberalizimin e vizave.

“Legjislacioni është i qartë – pasaportat që lëshohen nga autoritetet kosovare. Dhe për ata që jetojnë në Serbi, ata tashmë kanë viza. Vendimi është formuluar goxha me kujdes. Qytetarët e Kosovës me dokumente të Kosovës do të mund të udhëtojnë lirshëm”, ka thënë Reuten.

Të ngjashme