Lajme
DOKUMENTE| Statistika të frikshme, 25 vrasje dhe 22 aksidente me fatalitet në muajt e parë të vitit
Demokracia
20:45 | 08 Maj 2022

Share:

Ky vit nuk ka filluar mbarë, pasi statistikat e Policisë së Kosovës tregojnë rritje të vrasjeve dhe të aksidenteve.

Vetëm më 2 maj në Ditën e Fitër Bajramit, në vendin tonë festa u kthye në ditë zie për disa familje.

Në këtë ditë, sipas Policisë së Kosovës, ndodhën 68 aksidente. Dy persona humbën jetën në një aksident trafiku dhe një tjetër ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra nga një armë zjarri.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur për Demokracia.com se që nga muaji janar deri në muajin mars kanë ndodhur gjithsej 4 mijë e 528 aksidente, ku fatkeqësisht 22 prej tyre kanë qenë me fatalitet.

Sipas Policisë së Kosovës, 1 mijë e 583 aksidente kanë qenë me të lënduar, kurse 2 mijë e 923 vetëm me dëme materiale.

Statistikat e Policisë së Kosovës tregojnë se edhe në vitin 2021 kishte rritje të aksidenteve në trafik. Gjatë vitit 2021 ishin regjistruar gjithsej 21 mijë e 275 aksidente, ku fatkeqësisht 111 persona kishin humbur jetën. Ndërkaq, në vitin 2020, Policia e Kosovës ka bërë të ditur për Demokracia.com, se kanë qenë gjithsej 13 mijë e 868 aksidente nga të cilat 81 persona kanë gjetur vdekjen.

Duke e parë këtë rritje të aksidenteve, Policia e Kosovës ka bërë apel te të gjithë drejtuesit e automjeteve që të kenë kujdes gjatë vozitjes.

“Policia e Kosovës me njësitë e saj në vazhdimësi ka ndërmarrë dhe është duke ndërmarrë të gjitha veprimet në parandalimin e aksidenteve dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik. Policia e Kosovës vazhdon të kërkojë nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e në veçanti nga drejtuesit e automjeteve, që të respektojnë shenjat e trafikut rrugor, të ju përshtaten rregullave, kushteve të rrugës,  si dhe të jenë shumë vigjilent. Kujdesi maksimal i pjesëmarrësve në trafik, veçanërisht drejtuesve të automjeteve është i domosdoshëm për  një siguri më të madhe në trafik”, thuhet në apelin e Policisë së Kosovës.

Rritje ka shënuar edhe numri i vrasjeve në vendin tonë. Sipas të dhënave zyrtare të cilat Policia e Kosovës i ka dhënë për Demokracia.com, vetëm nga janari i këtij viti e deri në fund të muajit prill janë vrarë 25 persona.

Ndërkaq, gjatë gjithë vitit 2021, në Kosovë ishin vrarë 27 persona, duke pasur një rënie prej 6.89 për qind apo dy raste më pak se në vitin 2020. /Demokracia.com/

Të ngjashme