Lajme
DOKUMENTE | Policia i çon disa miliona te “Beni Dona” për ushqim, paneli dhe eksperti i OSHP-së japin mendime të kundërta për tenderin që ishte bllokuar
Demokracia
13:00 | 15 Nëntor 2023

Share:

Asnjëherë nuk arrihet të lidhet një kontratë pa telashe nga Policia e Kosovës, e cila ka të bëjë me shujtat e tyre ditore. Pas përpjekjeve disamujore, prokurimi i këtij institucioni ka nënshkruar dje një kontratë milionëshe me kompaninë “Beni Dona”, e cila është përfituese e rregullt e kontratave për ushqim, shkruan Demokracia.com.

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), sa herë që pranon ndonjë ankesë për tender nga ndonjë kompani e angazhon ekspertin e vet shqyrtues për të shoshitur të gjitha provat e palëve dhe më pas nxjerr vendimin e vet. Pasi e pranon raportin e ekspertit, mblidhet paneli dhe e shqyrton atë, ku rendom e miraton ekspertizën e ekspertit të vet. Por, tek tenderi i ushqimit për Policinë e Kosovës, paneli i OSHP-së ka dhënë mendim kundër zyrtarit të vet, i cili kishte gjetur se prokurimi i policisë kishte rekomanduar në kundërshtim më ligjin kompaninë “Beni Dona” për furnizim më ushqim. Andaj, kishte rekomanduar që prokurimi i policisë të rivlerësojë edhe një herë tenderin. Por, pas shqyrtimit të lëndës nga ana e bordit, ky i fundit i ka dhënë të drejtë policisë, e cila dje ka nënshkruar kontratën “Shërbime me ushqim (furnizim, përgatitje dhe servim) për nevoja të PK-së”, shkruan Demokracia.com.

Fillimisht, në muajin korrik Policia e Kosovës kishte hapur thirrjen e vlerës së madhe për furnizim më ushqim.

Vlera e parashikuar e kontratës e vendosur nga autoriteti kontraktues ka qenë 5,500,000.00 euro për 36 muaj.

Aty kanë konkurruar Grupi i kompanive “Global Parajsa” NTP; NHT “Edukimi” dhe kompania “Beni Dona Plast” SH.P.K. Në ndërkohë, prokurimi i policisë ka bërë dy herë korrigjime në kriteret e vendosura dhe më pas e ka rekomanduar për kontratë kompaninë “Beni Dona”, e cila kishte çmim më të lirë ose fiks 36.26 euro për njësi.

Konzorciumi tjetër në garë nuk është pajtuar më këtë vendim dhe ka parashtruar ankesë në polici, me arsyetimin se është rekomanduar për kontratë një kompani, e cila ka ofertuar më çmime mashtruese – shumë të ulëta, mandej edhe më të ulëta se çmimi i tregut. Ankesën ia ka hedhur poshtë prokurimi i institucionit të sigurisë dhe e ka lënë në fuqi vendimin e vet.

Më pas kompania është ankuar në OSHP, me pretendimet e njëjta se çmimet e vendosura janë manipulative. (Raporti). Madje, kompania ka ofruar faktet e veta sesi kompania e njëjtë në një kontratë të mëhershme kur inflacioni ishte më i ulët, tash në disa artikuj kishte ofertuar shumë më shtrenjtë. OSHP, siç ka parë Demokracia.com, e ka autorizuar eksperten e vet Blerina Huruglica. E njëjta e ka nxjerrë raportin më 17 tetor dhe e ka dorëzuar tek paneli.

Në raport ka rekomanduar që të anulohet vendimi i policisë për dhënie të kontratës dhe lënda të kthehet në rivlerësim.

“Tutje, ekspertja shqyrtuese, duke marrë parasysh dëshmitë dhe faktet e OE ankuesit lidhur me çmimet e ofruara nga OE i rekomanduar, konsideron se AK duhet të kthej lëndën në rivlerësim, duke kërkuar sqarime shtesë nga OE i rekomanduari, për faktin se AK ka parashikuar një çmimore për ofertuesit, e cila bie ndesh me çmimet e OE të rekomanduarit dhe si rrjedhojë konform nenit 61 të LPP-së, gjegjësisht nenit 41, par:41.6, 41.7, 41.8, 41.9, 41.10, 41.11 të udhëzuesit me nr 002/2023 për prokurim publik, lënda kthehet në rivlerësim dhe rekomandohet AK që procesin e rivlerësimit të bëjë konform dispozitave ligjore të LPP-së, udhëzuesit nr 001/2023 për PP si dhe rregullorja nr 002/2023 për PP. Duke u bazuar në sqarimet e lartpërmendura, eksperti shqyrtues i propozon panelit shqyrtues që ankesa e OE ankues të aprovohet si e bazuar, të anulohet njoftimi për dhënie të kontratës dhe rekomandon që lënda të kthehet në rivlerësim”, ka shkruar Huruglica në vendimin final, raporti i të cilës përmban 9 faqe. (Raporti)

Më pas, më 10 nëntor, paneli i OSHP-së ka nxjerrë një vendim ku e ka hedhur poshtë në tërësi ankesën e kompanisë “Global Parajsa”, rrjedhimisht dhe ekspertizën e ekspertit të vet, duke i dhënë të drejtë Policisë së Kosovës.

“Andaj përfundimisht duke u bazuar nga të gjitha që u thanë si mësipër, PSH konstaton se është arritur deri tek vendimmarrja sikurse në dispozitiv të këtij vendimi, ku në këtë rast OE ankues nuk ka arritur të dëshmojë mjaftueshëm dhe të argumentoj duke vërtetuar përgjegjshmërinë e OE të rekomanduar, ndaj të cilit ka ngritur pretendime që sipas panelit nuk kanë orientuar drejt ndonjë vendimmarrje, megjithatë paneli vlerëson se në rast dyshimi nga ana e AK-së lidhur me vështirësitë në implementin e kontratës, AK mund të veprojë duke aplikuar nenin 63, LPP-së, për sigurimin e ekzekutimit të kontratës, të cilat janë lënë në përgjegjësinë e AK-së që si veprime ligjore që mund ti ndërmerr, në rastet e shkeljes se kontratës nga operatori ekonomik”, thuhet në vendimin përfundimtar të panelit. (Raporti)

Siç shihet në fund të raportit, kryetar i panelit ka qenë Isa Hasani. Demokracia.com ka mesuar se i njëjti e ka nisur punën si Anëtar i Bordit në OSHP, më 1 nëntor.

Më pas (dje), zyra e prokurimit të policisë ka nënshkruar kontratën.

Gjatë këtyre zhvillimeve, policisë i kishte skaduar kontrata e rregullt për furnizim me ushqim dhe më 20 tetor nëpërmjet procedurave emergjente ka nënshkruar një tender me “Beni Dona” për furnizim më ushqim për dy muaj. /Demokracia.com/

Të ngjashme