Lajme
DOKUMENTE: Për dallavere me tender, shefit të prokurimit të “Çlirimtarit” të Shtimes iu pezullua certifikata e prokurimit, por ai vazhdon të sillet kah tenderët
Demokracia
14:05 | 09 Tetor 2023

Share:

Shkeljet e ligjit në tenderët publikë bëhen kryesisht me arsye të caktuara për të favorizuar kompani të ndryshme. Një shkelje të rëndë për ”hava” e ka bërë edhe udhëheqësi i zyrës së prokurimit të Komunës së Shtimes, Muhedin Halili. Kryetari Qemajl Aliu që e quante vetën edhe si “Çlirimtari i Shtimes”, për një vit do të mbesë pa udhëheqës të zyrës së prokurimit. Kjo, sepse atij i është pezulluar certifikata e prokurimit për dallavere në një tender. Por, çuditërisht edhe përkundër këtij fakti, emri i tij është pjesëmarrës përsëri nëpër procedurat tenderuese, shkruan Demokracia.com.

Para pak javëve, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik – KRPP ia ka revokuar certifikatën profesionale të prokurimit për një periudhë njëvjeçare, Muhadin Halilit. Pezullimi i licencës është bërë me kërkesë të Organit Shqyrtues të Prokurimit – OSHP për shkak se shefi i prokurimit, Muhadin Halili, nuk ka përfillur një urdhër të lëshuar nga ky institucion, duke nënshkruar një kontratë në kundërshtim me rregullat e LPP-së, “Rregullimi i parkut në fshatin Davidovc, Komuna Shtime”, në një vlerë prej 144 mijë eurove.

Pas një ankese të bërë, Komuna e Shtimes nuk e ka pritur vendimin e Panelit të OSHP-së, për të cilin ka qenë e obliguar, por ka nënshkruar kontratë me kompaninë NTP “Ardhmëria”, (Dashamir Jashari. BI), pa përfunduar afatet ligjore.

Kjo kompani, e cila është favorizuar në këtë rast është kontraktor i rregullt i komunës. Pronar i saj është Dashnim Jashari nga Shtimja. Ai është djali i vëllait të Ruzhdi Jashari, ish- kryetarit të Kuvendit Komunal të Shtimes nga radhët e PDK-së, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2017 ishte kandidat i Vetëvendosjes për kryetar të komunës, por nuk kishte arritur të fitonte. Nga viti 2017 deri në 2020, ai ka mbajtur postin e asamblistit komunal nga LVV-ja.

“Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), bazuar në Nenin 91 pika b të Rregullores për Prokurim Publik ka parashtruar kërkesë pranë Bordit të KRPP-së, për anulimin e certifikatës profesionale të prokurimit, për Zyrtarin Përgjegjës të Prokurimit Publik të Autoritetit Kontraktues — Komuna e Shtimes, z. Muhadin Halili. Komuna e Shtimes ka bërë shkelje të dispozitave të LPP-së, neni 112, andaj nga KRPP është kërkuar marrja e masave bazuar në atë që konsiderohen të duhurat në relacion me shkeljet e evidentuara të cekura në vendimin e OSHP-së lidhur me këtë lëndë”, thuhet në vendimin e KRPP-së, përcjell Demokracia.com.

Edhe përkundër faktit, emri i Halilit po figuron kohë pas kohe në dosjet e tenderëve të Komunës së Shtimes.

Demokracia.com ka dërguar pyetje në institucionin që ka bërë pezullimin e licencës, për t’u informuar lidhur më atë se çka ka të ndaluar zyrtari i prokurimit në kohën sa nuk ka certifikatë. Ky institucion nuk ka dhënë përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Më datë 29 gusht ose 5 ditë pas pezullimit të licencës, Halili e ka hedhur firmën mbi vulën e komunës edhe tek ‘Njoftimi mbi vendimin e Autoritetit kontraktues”. Pra, tek njoftimi që bënë te ditur fituesin e tenderit, në këtë rast atij për asfaltimin dhe ndriçimin e disa segmenteve të rrugëve në një vlerë monetare prej rreth 40 mijë euro. Kontrata është nënshkruar pikërisht më “Dashamir Jashari B.I”.

Para një jave, Komuna e Shtimes ka nënshkruar një kontratë edhe për rregullimin e vendndaljeve të autobusëve në disa fshatra. Në hapjen e tenderëve, më datë 12 shator ka qenë pjesëmarrës edhe Muhedin Halili.

Edhe tek tenderi “Ndërtimi i parqeve në qytet dhe fshatra, Muzeqinë, Rashincë, Godanc i Poshtëm dhe i Epërm”, person kontaktues në formularin e ‘Njoftimit për dhënie të kontratës’ është Muhedin Halili. Data e nënshkrimit të kontratës është më 9 tetor (sot) dhe është nënshkruar pikërisht më kompaninë Dashnim Jashari B.I në një vlerë prej 99,169.50.

Sido që të jetë, bazuar në dokumentet e publikuara në e-prokurim, kontratat janë duke u nënshkruar nga zyrtarja Feride Rexhaj.

Çfarë shkelje bëri zyrtari i Qemajl Aliut?

Fillimisht, Autoriteti kontaktues Komuna e Shtimes ka publikuar në e-prokurim njoftimin për kontratë për aktivitetin e Prokurimit “Rregullimi i parkut në fshatin Davidovc Komuna Shtime”, duke përdorur Procedurën e Hapur.

Pas hapjes së ofertave, komuna ka bërë vlerësimin e ofertave dhe ka publikuar në e- prokurim njoftimin mbi vendim të Autoritetit Kontraktues, me të cilin ka rekomanduar për dhënie të kontratës “NTP-Ardhmëria- Shtime” ose “Dashamir Jashari. BI., me vlerë të kontratës 144 mijë euro.

Operatori ekonomik “Edona” shpk Ferizaj” ka parashtruar kërkesë për rishqyrtim në komunë, e cila pas rishqyrtimit është refuzuar me vendim të komunës, ku më pas është pezulluar aktiviteti i prokurimit.

Përmes sistemit të e-prokurimit, kompania “Edona SHPK” ka deponuar ankesë në OSHP dhe pas ankesës komuna e ka pezulluar aktivitetin e prokurimit sipas LPP-së.

AK ka pranuar Raportin e Ekspertit Shqyrtues lidhur me këtë aktivitet të prokurimit, i cili i ka dhënë të drejtë kompanisë që ka parashtruar ankesë, duke i rekomanduar panelit shqyrtues në OSHP që lënda të kthehet në rivlerësim.

Komuna është pajtuar me ekspertizën e ekspertit dhe pa marrë një vendim përfundimtar nga Paneli Shqyrtues për të cilën ka qenë e obliguar, në nëntor të vitit 2022 ka themeluar komision të ri për rivlerësim të këtij aktiviteti të prokurimit dhe si rrjedhojë në nëntor të vitit 2022, AK ka rivlerësuar aktivitetin e prokurimit dhe ka publikuar njoftimin mbi vendimin e AK-së, formularin B58, duke shpallur përsëri fitues të njëjtin OE “NTP-Ardhmëria- Shtime”.

OE ”Edona” përsëri ka paraqitur kërkesë për rishqyrtim lidhur me vendimin e AK-së, ku ZPP ka pezulluar aktivitetin e prokurimit pas pranimit të kërkesës për rishqyrtim dhe ka marrë vendim mbi refuzimin e kërkesës për rishqyrtim si të pabazuar.

Pas kësaj date, komuna ka pritur afatet e ankesave në OSHP prej 10 ditëve dhe si rrjedhojë në nëntor 2022 ka publikuar njoftimin për dhënie të kontratës dhe më 12.12.2022 është nënshkruar kontrata dhe është publikuar njoftimi për nënshkrim të kontratës.

Lidhur me këtë lëndë, OSHP i është drejtuar me shkresë AK, duke kërkuar informacionin si në vijim:

“Kërkojnë nga ana juaj që të na informoni nëse kontrata për aktivitetin e lartpërmendur është lidhur dhe nëse eventualisht po, në çfarë faze të zbatimit qëndron momentalisht”?

AK në po të njëjtën ditë është përgjigjur si më poshtë:

“Ju njoftojmë se me datën 12.12.2022 është nënshkrua kontrata “Rregullimi Parkut në fshatin Davidove Komuna e Shtimes” dhe pas emërimit të menaxherit të kontratës dhe hartimin e planit të menaxhimit kontratës, OE ka filluar punimet në teren dhe kontrata është duke u zbatua sipas planit dinamik”.

OSHP-ja ka marrë vendim lidhur me këtë lëndë, duke lënë në fuqi vendimin e AK-së për dhënie të kontratës me arsyetimin e interesit publik dhe njëkohësisht duke paralajmëruar ZPP-në që për këto shkelje do të kërkojnë nga KRPP marrjen e masave në pajtim me nenin 25.8.të LPP-së.

Bazuar në faktet dhe rrethanat lidhur me këtë lëndë, Komisioni ka konstatuar se ZPP pas pranimit të ekspertizës nga Eksperti Shqyrtues lidhur me këtë aktivitet të prokurimit, pa pranuar një vendim përfundimtar të Panelit Shqyrtues, ka themeluar komision të ri për rivlerësim të këtij aktiviteti të prokurimit dhe si rrjedhojë ka rivlerësuar dhe ka publikuar njoftimin mbi vendimin e AK-së, duke shpallur përsëri të njëjtin OE “NTP-Ardhmëria- Shtime”. /Demokracia.com/

Të ngjashme