Lajme
DOKUMENTE | Ministria e Hajrulla Çekut tenton ta keqpërdorë buxhetin e shtetit për 74 mijë euro në një tender
Demokracia
11:33 | 23 Janar 2024

Share:

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, po tenton të bëjë ndërtimin e fushave të tenisit “Qendra Sportive në Prizren”. Iniciativa e parë për të angazhuar një kompani për ndërtimin e fushave të tenisit ka qenë e kundërligjshëm ose tentim për të favorizuar një kompani më të shtrenjtë sesa ofertat e tjera më të lira, shkruan Demokracia.com.

MKRS-ja mori oferta më të lira për ndërtimin e fushave të tenisit – Qendra Sportive në Prizren, por është e vendosur që të lidh kontratë më një kompani që është më e shtrenjtë se një tjetër e kompletuar me dokumentacion për 74 mijë euro. Kështu kanë vlerësuar vetë organet që merren më mbarëvajtjen e tenderëve publikë.

Tenderi për këtë punë është hapur më 29 shtator 2023. Më datë 22 dhjetor, ministria ka publikuar rezultatin e tenderit, duke e rekomanduar për kontratë kompaninë “Harst Group” nga Suhareka, më çmim prej 585, 080, 80 euro.

Konzorciumi i kompanive “Pro&Co Group” shpk; “Archi Time”; “Florin G”; “Euro Commerc”; është eliminuar si ofertues i papërgjegjshëm, i cili ka pasur çmim prej 488, 888, 88 euro. Pra, ka pasur ofertë prej 74 mijë euro më të lirë. Në eliminimin e kësaj oferte, ministria ka shkruar vetëm dy arsye, duke konsideruar se nuk i posedon disa dokumente të kërkuara.

Siç ka parë Demokracia.com, ky konzorcium menjëherë pas publikimit të rezultatit ka bërë kërkesë për rishqyrtim në ministri, duke konsideruar se ia ka huqur kur u ka thënë se nuk i posedon disa dokumente që ishin kërkuar. Por, ministria nuk ia ka marrë për bazë përsëri ankesën dhe e ka lënë në fuqi vendimin e vet për dhënie të kontratës.

Më pas, kompanitë janë ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, më të njëjtat pretendime sikur në ministri, se e posedojnë dokumentacionin përkatës të kërkuar dhe janë më të lirë se kompania e rekomanduar për kontratë, meqë kriter kryesor ka qenë ‘çmimi më i lirë’.

Nga dokumentet që ka parë Demokracia.com, OSHP-ja e ka caktuar ekspertin e vet shqyrtues për të shoshitur pretendimet ankimore.

Eksperti Enver Bytyqi më 15 janar e ka dorëzuar raportin më të gjeturat e veta tek Paneli Shqyrtues, i cili pritet për të dhënë vendim final pas disa ditëve. Eksperti i caktuar nga OSHP, ka gjetur se ministria e ka eliminuar ofertën e grupit operator më të lirë kundërligjshëm, pasi sipas tij, ata i posedojnë të gjitha dokumentet e kërkuara.

Operatorët ankues në pretendimin ankimor 1 nuk janë pajtuar me vlerësimin e AK në lidhje me kërkesën kapacitetet teknike dhe profesionale, ku AK ka vlerësuar se OE nuk i ka prezantuar dëshmi të mjaftueshme se në 3 vitet e fundit ka përfunduar me sukses kontrata të ngjashme në vlerën e kërkuar në DT. OE ka ofruar dëshmitë në lidhje me prezantimin e dokumenteve që dëshmojnë përfundimin me sukses të projekteve të natyrës së ngjashme për 3 vitet e fundit. Lidhur me këtë pretendim, eksperti pas shqyrtimit të dokumenteve dhe në bazë të kërkesës së DT konsideron se AK në dosjen e tenderit ka vendosur kërkesën për realizimin me sukses të kontratave të “ngjashme” (jo të njëjta apo identike). “Sipas opinionit të dhënë nga KRPP, termi “e ngjashme” nuk do të thotë se natyra e kontratës të jetë identike apo e njëjtë me përshkrimin e objekteve të dhëna në DT. Kontrata të ngjashme sipas përshkrimit të termit “ngjashme” të dhënë sipas opinionit të KRPP mjafton të jetë projekt objekt ndërtimor sportiv, ku mund të përfshihen edhe kategorizimi i kontratave të objekteve të ndërtimit të lartë. Sa i përket plotësimit të kërkesës, eksperti sqaron se kërkesa e AK ka të bëjë me “objektet sportive, stadiume apo salla sportive që përfshijnë tribuna”, që do të thotë se mjafton njëra nga këto llojet e objekteve të prezantohet në vlerën e kërkuar dhe kërkesa është e arritur sipas natyrës së kontratës. AK gjatë vlerësimit është kufizuar në njërin prej përshkrimit të dhënë konkretisht “tribunat”. Përshkrimi i dhënë “tribunat” për të cilin është bazuar AK është pjesë e objektit ndërtimor dhe nuk paraqet objekt të veçantë ose natyrë specifike të projektit, ku dihet se shumica e objekteve sportive kanë si pjesë të ndërtimit edhe tribunat. Eksperti në bazë të shqyrtimit të dokumenteve të ofertuesit konsideron se OE ankues ka ofruar listën e kontratave të ngjashme të dëshmuara sipas kërkesës së DT dhe ka arritur vlerën e kërkuar nga AK në DT (shënim: pas verifikimit te kontratave ne sistemin e prokurimit elektronik te prezantuara nga OE ankues, pothuaj të gjitha kontratat e objekteve sportive te prezantuara kanë pozicione të ndërtimit të tribunave, po ashtu vlen te theksohet se edhe OE i propozuar për kontratë nga AK në mënyrë të njëjtë i ka te specifikuara pozicionet e tribunave në kontratën e prezantuar). Eksperti shqyrtues konsideron se pretendimi ankimor 1 është i bazuar”, thuhet në raport tek pika e parë, duke i dhënë të drejtë kompanisë ankuese.

Pretendimi ankimor 2 ka të bëjë me çështjet e standardeve ISO, ku ministria këto standarde i ka kërkuar si pjesë e kërkesës 9.1 & 9.2 Kërkesat teknike dhe profesionale: 2. Operatori ekonomik duhet të jetë i certifikuar me – ISO 9001-2015 – ISO 14001-2015 – ISO 31000-2018 – ISO 39001-2012 – ISO 45001-2018.

Dëshmia 1. Kopjet valide te certifikatave. Kompanitë ankuese nuk janë pajtuar me vlerësimin e minsitrisë se të gjithë pjesëmarrësit në grup duhet të kenë certifikatat e kërkuara. OE ka dhënë sqarime se sipas LPP kërkesat teknike dhe profesionale janë kërkesa ku kërkohet që grupi i operatorëve duhet të plotësojë këtë kriter e jo siç pretendon AK që secili anëtar i grupit duhet të plotësojë këtë kriter. Edhe këtu, eksperti u ka dhënë të drejtë kompanive në konzorcium.

“Eksperti i ka shqyrtuar kërkesat e DT dhe dokumentet e ofruara nga OE ankues, eksperti konsideron se AK kërkesën për certifikatat e ka vendosur tek kriteret e FDT neni 9.1 & 9.2 – Kërkesat teknike dhe profesionale. Sipas LPP neni 69, paragrafi 8 e përcakton se një grup i OE për kërkesat sipas këtij neni, mund të mbështetet në aftësitë e pjesëmarrësve në grup ose në subjektet tjera. Gjithashtu, sipas RrPP 001/2022, neni 26.5 e përcakton se çdo kërkesë e vendosur nga AK sipas nenit 66.2, nenit 68 dhe nenit 69 të LPP-së, aftësia teknike dhe profesionale do të aplikohen vetëm ndaj grupit si tërësi dhe jo ndaj anëtarëve individualë të grupit. Pra, çdo kërkesë e AK e vendosur tek Kërkesat Teknike dhe Profesionale ne FDT, neni 9.1 & 9.2, do të aplikohet vetëm ndaj grupit si tërësi e jo ndaj anëtarëve individualë të grupit, kështu që mjafton njëri nga anëtarët e grupit të plotësojë kërkesën e DT. Eksperti konsideron se kërkesa e DT është plotësuar nga OE ankues, pasi që njëri nga anëtarët pjesëmarrës të grupit ka dorëzuar dokumentet e kërkuara. AK në këtë rast ka bërë shkelje, duke vlerësuar se të gjithë anëtarët e grupit individualisht duhet të plotësojnë kërkesat e vendosura ne 9.1&9.2 te DT, sipas nenit 69 të LPP-së. Eksperti shqyrtues konsideron se pretendimi ankimor 2 është i bazuar.

Duke u bazuar në sqarimet e lartpërmendura, eksperti shqyrtues i propozon panelit shqyrtues që ankesa e OE ankues të aprovohet si e bazuar, të anulohet njoftimi për dhënie të kontratës dhe rekomandon që lënda të kthehet në rivlerësim. Sido që të jetë, vendimin final për këtë lëndë do ta marrë Paneli i OSHP-së, i cili në rastet më të shpeshta e mbështet raportin e ekspertit të vet. /Demokracia.com/

Të ngjashme