Lajme
DOKUMENTE | Komuna e Përparim Ramës tash hap tender 10-milionësh për uljen e kostos së rrymës në ndriçimin publik, rrjeti vazhdon të zgjerohet jashtë standardeve
Demokracia
14:57 | 06 Prill 2024

Share:

Komuna e Prishtinës po synon t’i ulë shpenzimet e energjisë elektrike, duke instaluar trupa ndriçues me eficiencë të lartë. Për këtë ka hapur tender në vlerë prej 10 milionë euro. Nga ana tjetër, komuna ka hapur tender në vlerë prej 200 mijë euro edhe për mirëmbajtjen aktuale të ndriçimit. Këta dy tenderë janë në kundërshtim me njëri-tjetrin, shkruan Demokracia.com.

Komuna e drejtuar nga Përparim Rama po planifikon t’i zëvendësojë të gjithë trupat ndriçues në rrugët e lagjeve të qytetit bazuar në një Plan të Veprimit për Eficiencë të Energjisë. Pos kësaj, me këtë tender synohet të intervenohet edhe në infrastrukturën e rrjetit.

Programi për ofrimin e shërbimeve të energjisë në ulje të shpenzimeve financiare në Komunën e Prishtinës SIPA UA 06 2021”. Kështu quhet kontrata që duhet të përfundojë për 36 muaj, e cila kap një vlerë prej 10.000.000.00 euro.

Tenderi është i hapur deri më 30 prill 2024 dhe në dosje shihet se janë vendosur një sërë kushtesh që duhet të plotësohen, sidomos për nga numri i madh i certifikatave, përcjell Demokracia.com.

Ofruesi i shërbimeve është i obliguar që ta bëjë edhe mirëmbajtjen për punimet – shërbimet në afatin garantues prej 10 viteve.

Komuna e Prishtinës do të ketë çmim maksimal prej 1,000,000.00 euro për një vit, me kohëzgjatje sipas planit të pagesës deri në 10 vite.

Në rast të ngritjes së energjisë elektrike, çmimi i pagesës se energjisë do të rikalkulohet konform rritjes.

Komuna ka vendosur 92 artikuj, ku sasia për secilin është një, por më pas në bazë të kërkesave do të bëhet edhe porosia për secilin artikull. Pra, siç shihet, në këtë tender është përdorur procedura me poentim të çmimit. Një nga format më të shpeshta të keqpërdorimeve është përdorimi i kësaj procedure, ku autoriteti kontraktues “nuk e di” sasinë e artikujve dhe vendosë sasinë 1 për secilin artikuj. Pastaj përmes poentimit të çmimit vendosë për fituesin e kontratës.

Në një dokument janë dhënë sqarime përse është e nevojshme të bëhet ky ristrukturim që synon të ulë koston e shpenzimeve. (Dokument).

Tender i ri për mirëmbajtjen e vjetër

Deri sa komuna e Përparim Ramës po synon të lidh kontratë për të ulur kostot e shpenzimit nëpërmjet intervenimeve në rrjet, ajo ka hapur edhe një tender të ri për mirëmbajtjen e rrjetit të vjetër.

Bazuar në specifikat teknike që janë vendosura aty, Demokracia.com ka parë se ato janë të njëjta me të viteve të tjera. Pra, kërkohen artikuj të njëjtë sikurse në vitet e kaluara në rast të dëmtimit të atyre që janë vendosur.

Tenderi është i ndarë në 7 lot dhe vlera totale është 200 mijë euro. Kontrata do të ketë validitet për 12 muaj. Demokracia.com ka gjetur se Komuna e Prishtinës aktualisht për mirëmbajtjen e rrjetit ka kontratë me disa operatorë deri në korrik të vitit 2024.

Nga ana tjetër, qeverisja e Përparim Ramës është duke bërë zgjerimin e ri të rrjetit elektrik në disa lagje të tjera të Prishtinës dhe punimet nuk janë sipas standardeve të eficiencës që tash po synohet të bëhet. Vetëm në muajin mars 2024, Demokracia.com ka gjetur se komuna ka paguar 176 mijë euro. /Demokracia.com/

Të ngjashme