Lajme
DOKUMENTE | Komuna e Bulliqit e rrotullon ligjin sipas dëshirës, bënë shkelje për të favorizuar kompanitë e ndërtimit për mbjelljen e drunjve
Demokracia
21:20 | 19 Prill 2024

Share:

Institucionet publike nuk po heqin dorë nga kurdisja dhe shkeljet me tenderë publikë, të cilët financohen nga taksat e qytetarëve. Komuna e Podujevës, e cila udhëhiqet nga kryetari Shpëtim Bulliqi, ka bërë shkelje ligjore për të favorizuar një konzorcium të caktuar të kompanive për të bërë mbjelljen e drunjve dekorativë, shkruan Demokracia.com.

Prokurimi i Podujevës ka vendosur kritere të qarta për kompanitë që dëshirojnë të bëjnë furnizimin me drunj dekorativë. Por, kur erdhi puna të bëjë vlerësimin e ofertave mbi bazën e kritereve që kishte vendosur vetë, i ka mbyllur të ‘sytë’ për të favorizuar një grup të kompanive.

Për furnizim me drunj dekorativë konkurruan dy kompani, kompania NT “Biti- Com”, e cila merr shpesh tenderë për mbjellje të drunjve, duke ka ofertuar me 116,321.01 euro. Konzorciumi i kompanive “PMC” shpk; “Kastrioti SM” shpk, me ofertë 114,918.14 euro. Të dyja këto kompani që janë rekomanduar për kontratë, nuk kanë asnjë lidhje me mbjellje të drunjve. Bazuar nga të dhënat e ARBK-së, ato merren me ndërtim të lartë.

Se komuna ka bërë shkelje kur ka rekomanduar këtë konzorcium e ka konstatuar edhe një ekspert i Organit Shqyrtues të Prokurimit, pasi në këtë organ është bërë një ankesë.

Eksperti ka gjetur se Komuna e Podujevës kishte kërkuar që operatorët të posedonin licenca për prodhim të drunjve dhe licenca për tregtim të drunjve. Asnjërën prej tyre, kompanitë nuk i kanë poseduar.

“Eksperti Shqyrtues, pas shqyrtimit dhe analizimit të dokumentacionit tenderik dhe shkresave të lëndës në platformën e-prokurim, përkatësisht pretendimit ankimor të OE ankues kundrejt OE të rekomanduar për kontratë, gjithnjë duke u bazuar edhe në kërkesën e lartcekur në dosjen e tenderit, sqaron se: AK në dosjen e tenderit ka kërkuar që “OE duhet të ketë licencë për prodhim, tregtim, importim dhe eksportim për bimë dekorative”, ndërsa sipas dokumentacionit të prezantuar nga GOE i rekomanduar për kontratë “PMC& KASTRIOTI SHPK”, nuk kanë ofruar dëshmi se posedojnë licencë për prodhim, tregtim, importim dhe eksportim për bimë dekorative, por kanë bashkëngjitur një kontratë të nënshkruar nga anëtari i këtij grupi OE “PMC SHPK me “FIDANISHTJA PARKU” SHPK, e që ky i fundit nuk është pjesë e konzorciumit. Pra, bazuar në kërkesën e lartcekur, AK në dosjen e tenderit nuk ka përcaktuar se për operatorët ekonomikë të cilët nuk janë të licencuar, licenca lejohet të ofrohet edhe me marrëveshje. Ndërsa, sa i përket çështjes së validitetit të këtij dokumenti, kjo nuk ka qenë kërkesë e dosjes. Andaj në bazë të sqarimeve të mësipërme, pretendimi i OE në ankesë në këtë pikë është i bazuar”, ka shkruar eksperti i OSHP-së në raportin që e ka parë Demokracia.com.

Po ashtu, Komuna e Podujevës në dosjen e tenderit ka kërkuar që “OE duhet të posedoj certifikatën fitosanitare nga AVUK”. Ndërsa, sipas dokumentacionit të prezantuar, eksperti i OSHP-së ka gjetur se nga GOE i rekomanduar për kontratë “PMC&KASTRIOTI SHPK”, nuk kanë ofruar dëshmi se posedojnë certifikatën fitosanitare nga AVUK, por kanë bashkëngjitur një kontratë të nënshkruar nga anëtari i këtij grupi OE “PMC SHPK me “FIDANISHTJA PARKU” SHPK e që ky i fundit nuk është pjesë e konzorciumit. “Pra bazuar në kërkesën e lartcekur AK në dosjen e tenderit nuk ka përcaktuar se për operatorët ekonomikë të cilët nuk posedojnë certifikatën fitosanitare nga AVUK, lejohet të ofrohet edhe me marrëveshje”, thuhet në raportin e ekspertit Ismail Rushiti.

Në fund, eksperti ka rekomanduar që ky proces të anulohet dhe lënda të kthehet në rivlerësim.

Nëse do të anulohet vendimi i komunës për dhënie të kontratës duhet të vendosë Paneli i OSHP-së, i cili ende nuk ka marrë vendim. /Demokracia.com/

Të ngjashme