Lajme
DOKUMENTE | Katër operatorë dorëzojnë zarfet e mbyllura për projektin 2.5 milionësh të Teatrit të Operës dhe Baletit, ministria ua zbulon pak identitetin garuesve
Demokracia
20:00 | 15 Prill 2024

Share:

Objekti i shumëkërkuar, ai për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit në Prishtinë është premtim i kamotshëm dhe kërkesë urgjente e komunitetit artistik. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS), fillimisht ka menduar të bëjë një projekt ideor e pastaj të nisë ndërtimin e tij. Iniciativa e parë i ka dështuar, sepse ministria e drejtuar nga Hajrulla Çeku ka bërë shkelje ligjore, shkruan Demokracia.com.

Fiks 2.5 milionë euro ka vendosur MKRS-ja si shumë për ofertën “Zhvillimi i projektit ideor dhe të hollësishëm, të arkitekturës dhe të inxhinierisë, për ndërtimin e ‘Teatrit të Operës dhe Baletit të Kosovës, në Prishtinë-Ritenderim”.

Thirrja e konkursit të projektimit është hapur më 19 shkurt 2024.

Vlerësimi i tenderit do të bëhet në dy faza: Faza e parë është vlerësimi për projektin ideor që dorëzohet në një zarf të mbyllur bashkë me dokumentacionin e kandidatit dhe faza e dytë do të jetë vendosja e çmimit.

Sot pasdite, ministria e Hajrulla Çekut e ka ngarkuar në E-prokurim dokumentin “Procesverbali i pranimit të ofertave”, në të cilin shihet se kanë garuar 4 operatorë ekonomikë. Bëhet fjalë për dorëzimin e projektit ideor dhe dokumentacionin e kandidatit.

Sipas ligjit nuk duhet të bëhet asnjë zbulim i identitetit të dorëzimit të ofertave, shkruan Demokracia.com.

Ashtu siç e ka përcaktuar ligji, operatorët janë identifikuar me një kod anonim katërshifror dhe kanë dorëzuar ofertën në dy zarfe të mbyllura, i cili pastaj është mbyllur me një zarf të madh.

Por, zyra e prokurimit e di se cilët janë garuesit. Në anën e djathtë në të cilën është ngarkuar dokumenti në E-prokurim janë vendosur edhe nënshkrimet e kandidatëve, gjë që është shumë lehtë e identifikueshëm për prokurimin e Ministrisë së Kulturës.

Ligji për Prokurimin Publik e ka ndaluar çfarëdo zbulimi të identitetit në këtë rast.

Më konkretisht, me këtë çështje merret legjislacioni sekondar, i cili e shpjegon në hollësi procedurën e aplikimit.

Rregullorja nr. 001/ 2022 për prokurimin publik ka paraparë kapitull të veçantë për këtë çështje.

Çka thotë ligji?

Në këtë rregullore, kapitulli “Dosja e konkursit të projektimit. Dërgesa e dosjes së konkursit për projektim”, nuk thotë askund se operatorët ekonomikë duhet të vendosin nënshkrimin në këtë fazë.

Sipas këtij kapitulli, Autoriteti kontraktues do të tregojë në dosjen e konkursit për projektim se pjesëmarrësit në konkurs do t’i dorëzojnë propozimet e tyre në të njëjtën kohë në dy zarfe të mbyllura të veçanta:

  1. Njëra që përmban Projektin Ideor; dhe
  2. tjetra që përmban Dokumentacionin e Kandidatit

55.14 Zarfi që përmban Projektin Ideor do të përmbajë: a. ekzemplarin origjinal të projektit; dhe b. numrin kopjet e projektit siç është specifikuar në Dosjen e konkursit të projektimit;

Pjesëmarrësi do ta mbyllë projektin origjinal dhe secilën kopje në zarfe të veçanta dhe në faqen e përparme të secilit zarf do të: a. Shënojë qartë si “Origjinali – Projekti Ideor” ose “Kopje – Projekti Ideor”;

  1. Shënoj numrin e Prokurimit sikurse ceket në dosjen e konkursit të projektimit; dhe c. Një numër anonim prej katër shifrave sipas zgjedhjes së pjesëmarrësit.

Zarfet pastaj do të mbyllen në një zarf të jashtëm, të shënuar qartë “Projekti Ideor” dhe që mban vetëm numrin e prokurimit dhe një numër anonim katërshifror sipas zgjedhjes së pjesëmarrësit.

Pasi ministria të pranojë ofertat, i vlerëson ato dhe vendos pikët e poentimit në secilën ofertë, duke treguar kodin fitues dhe duke treguar pikët për secilin kod anonim.

Ministria e Hajrulla Çekut bëri shkelje në iniciativën e parë

Ky është tenderi i dytë që po synon të realizohet, pasi herën e parë ministria kishte bërë shkelje të rëndë, duke zbuluar identitetin e ofertuesve.

Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik në janar të këtij viti ka anuluar konkursin e Ministrisë së Kulturës për projektin ideor për ndërtimin e objektit të Operës dhe Baletit.

Sipas OSHP-së, aktiviteti i prokurimit për këtë projekt është përcjellë me disa shkelje ligjore.

“Anulohet, ‘Njoftim Mbi Vendimin e Autoritetit Kontraktues’ i datës 11.08.2023, i AK ,Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për aktivitetin e prokurimit me numër; 207-22-11955-4-1-2, dhe anulohet aktiviteti i prokurimit”, thuhet në njoftimin e OSHP-së.

Vendimi i OSHP-së erdhi pas ankesës së njërës prej kompanive konkurruese. Anulimi i procesit të aktivitetit të prokurimit për këtë projekt është bërë pas konstatimit të OSHP-së se tri kompanitë konkurruese kanë zbuluar identitetin e tyre gjatë procesit të vlerësimit të projekteve konkurruese.

“Aprovohet, si pjesërisht e bazuar ankesa e OE “BIG Partners Ltd”, me nr. 2023/0736, e datës 28/09/2023, e paraqitur kundër “Njoftim Mbi Vendimin e Autoritetit Kontraktues “të datës 11.08.2023, AK Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, lidhur me aktivitetin e prokurimit “Zhvillimi i dokumentacionit teknik – projektit ideor dhe të hollësishëm të arkitekturës dhe të inxhinierisë për ndërtimin e ‘Teatrit të Operës dhe Baletit të Kosovës’ në Prishtinë, më numër të prokurimit 207-22- 11955-4-1-2”, thuhet në vendimin e panelit shqyrtues të OSHP-së.

Paneli shqyrtues, siç thuhet në vendim, konstaton se në këtë aktivitet prokurimi/konkurs projektimi ka pasur disa shkelje ligjore.

“Operatori Ekonomik i shpërblyer me çmimin e parë, me kodin 6842 ka shkelur nenin 80 të Ligjit për ‘Prokurimin Publik, duke e zbuluar identitetin e tij në secilën faqe të pikës 1.5 Exhibition materials të ofertës. Po ashtu të njëjtën shkelje kanë bërë edhe dy operatorët tjerë të përfshirë në listën finale të rezultateve, përkatësisht Operatori Ekonomik me shifrën 0703 dhe ai me shifrën 2008, duke dhënë informata të zbulimit të identitetit, përmes të cilave komisioni ka mundur të kuptoj qartë se kujt i përket Projekti Ideor”, thuhet më tej në vendim, përcjell Demokracia.com.

Sipas vendimit, paneli shqyrtues konstaton se zbulimi i identitetit të OE pjesëmarrës në fazën e vlerësimit të projekt-propozimeve, ka shkelur nenin 80 paragrafi 2 të Ligjit Prokurimit Publik, si dhe nenet; 55.24, 55.25 të Rregullores për Prokurim Publik nr.01/2022 dhe AK Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në këtë rast nuk ka vepruar në pajtim me dispozitat ligjore të lart cituara të LPP, pasi ka pasur zbulim të identitetit të operatorëve ekonomikë pjesëmarrës, gjatë fazës së vlerësimit të ofertave tenderuese në konkursin projektimit.

Tri kompani ishin në garë për këtë projekt: “Gerber Architektekten International GmbH” e vlerësuar me 71 pikë; “Consortium MVRDV” & ‘O.U.D.-Architects’ sh.p.k” e vlerësuar me 5.2 dhe “Big Partners LTd” e vlerësuar me 51.4 pikë. Hapësira prapa Pallatit të Rinisë dhe Sporteve është caktuar si lokacioni për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit. Vendimi për lokacionin u mor pas themelimit të institucionit të operës nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2021. /Demokracia.com/

Të ngjashme