Lajme
DOKUMENTE | Drejtori i Përparim Ramës nuk ia kthen komunës banesën sociale, i ka dy banesa të deklaruara, një shtëpizë dhe 126 mijë euro në konto
Demokracia
10:27 | 21 Mars 2024

Share:

Në Komunën e Prishtinës janë rreth 1000 raste aktive të familjeve që marrin social. Shumë prej tyre, pos që kanë vështirësi në sigurimin e gjërave elementare, kanë probleme edhe me banimin. Drejtori i Shëndetësisë së Komunës së Prishtinës, Izet Sadiku, hyn tek personat që kanë të ardhura të majme. Por, ai po e mban në çelës një banesë për kategori sociale të Komunës së Prishtinës, që atij i ishte ndarë para shumë vitesh për një periudhë kohore, shkruan Demokracia.com.

Drejtori aktual i Shëndetësisë, Izet Sadiku, pas luftës ka shërbyer si asamblist nga radhët e LDK-së në Prishtinë. Sikurse shumë të tjerëve, edhe atij në vitin 2007 si asamblist i ishte ndarë për banim një banesë, pronë e Komunës së Prishtinës. Sikurse edhe krejt tjerave, edhe Sadikut i ka skaduar kontrata me Komunën e Prishtinës në vitin 2017, por qeverisja e Prishtinës nuk ia ka prishur terezinë drejtorit të Përparim Ramës dhe po vazhdon t’i lërë personat e njëjtë në banesat sociale, pa pasur kontrata me ta.

Me kalimin e kohës, doktor Izeti ka mbajtur poste të ndryshme dhe ka punuar në disa vende të punës. Kësisoj, ai ka arritur të krijojë të ardhura të mira së bashku me bashkëshorten e tij, shkruan Demokracia.com.

Bazuar në deklarimin e fundit të pasurisë që e ka bërë në vitin 2023, llogaria e Izet Sadikut dhe e bashkëshortes së tij numëron afër 130 mijë euro para të gatshme, të cilat i ka përfituar nga puna. Po ashtu, ata posedojnë edhe dy banesa mbi 100 metra katrorë dhe një biznes privat. Banesën sociale të cilës i ka skaduar kontrata me Komunën e Prishtinës ku ai vazhdon të jetë drejtor, nuk e ka deklaruar.

Demokracia.com ka mësuar se drejtori i Përparim Ramës nuk banon qe një kohë në atë banesë, porse e lë të mbyllur në çelës, anise Komuna e Prishtinës numëron rreth 1 mijë raste aktive sociale.

Me autorizim të kryetarit Përparim Rama, Komuna e Prishtinës ka formuar një komision për verifikimin e shfrytëzimit dhe statusit të banesave në Bregun e Diellit, Fushën e Pajtimit dhe në Hajvali.

Ky komision, pas vizitave në terren, ka verifikuar shfrytëzimin e 249 njësive banesore nën pronësinë e Komunës së Prishtinës. Në mesin e tyre është edhe ajo që mbahet e mbyllur nga Izet Sadiku, Drejtor i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës.

Bëhet fjalë për banesën nr. 3/7 në hapësirë prej 63.80 m2 që gjendet te Banesat e Standardit në Bregun e Diellit.

Te këto banesa, Komuna e Prishtinës, shumicën e familjeve i ka vendosur aty në vitin 2007 për një afat të qirasë prej 10 vjetësh. Kjo nënkupton se nga viti 2017, të gjitha familjeve u kanë skaduar kontratat.

Sipas evidentimit të Komunës së Prishtinës të bërë në vitin e kaluar, shumica e personave të vendosur në to nuk punojnë asgjë. Një pjesë e vogël janë të kyçur në institucionet publike dhe kryesisht kanë të ardhura nën mesataren, por i tillë nuk është edhe rasti i drejtorit të Përparim Ramës, i cili ka të ardhura të majme.

Po ashtu, Komuna e Prishtinës ka evidentuar se ka persona që e kanë shitur krejt banesën apo edhe e kanë tjetërsuar. Në raportin komunal, tek tabela me emrat e shfrytëzuesve të banesave, konkretisht tek Banesat në Bregun e Diellit – Banesat e Standardit, ekziston një tabelë me emërtimin “Kategoria II Banorët që nuk shfrytëzojnë banesën sipas kontratës së qerasë”. Tek kjo kategori ndodhet edhe emri i Izet Sadikut.

Pasi i është lejuar qasja në këtë dokument, Demokracia.com e ka pyetur Komunën e Prishtinës se “Cila ka qenë arsyeja që në raport është shkruar se i njëjti nuk e shfrytëzon banesën sipas kontratës së qerasë?”. Zyrtarja për Informim e Komunës së Prishtinës, Arlinda Kastrati, ka thënë se personi në emrin e të cilit është banesa nuk ka qenë në banesë në momentin që Komisioni Komunal ka bërë evidentimin e pronës në vitin e kaluar.

Përgjigje nga Drejtoria e Pronës: Për shkak se gjatë verifikimit nga ana e komisionit nuk ka qenë askush në banesë. Ndërsa, në një nga mbledhjet e ardhshme të asamblesë komunale do të formohet komisioni i asamblesë, i cili në bazë të rregullores në fuqi do të marrë vendime në zbatim të vendimit të Kuvendit të Kryeqytetit nr. 01-035/183659/23 dt. 05.09.2023, sepse për shfrytëzimin e këtyre banesave, vendimet bien në kompetencë të Kuvendit të Komunës së Prishtinës”, ka thënë Kastrati për Demokracia.com.

Redaksia ka drejtuar pyetje të martën edhe në adresë të drejtorit Izet Sadiku lidhur me këtë çështje. Ai nëpërmjet telefonit ka thënë se banesa i ishte dhënë në shfrytëzim në atë kohë nga Kuvendi Komunal dhe se i njëjti ka mandat t’ia marrë. “Është e vërtetë se kontrata ka skaduar sikurse e të gjitha të tjerave. Për atë banesë do të vendosë Kuvendi i Prishtinës, jo kryetari Rama. Andaj unë do të respektoj vendimin e Kuvendit Komunal, çfare do qoftë ai”, ka thënë shkurtër Sadiku.

Bazuar në deklarimin e pasurisë, i cili është publikuar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit – AKK, Mars 2022 – Mars 2023, pasuri të paluajtshme bashkë me bashkëshorten, Sadiku ka deklaruar se ka dy banesa e një garazhë. Një banesë 103.85 m2, e blerë nga kursimet dhe kredia, vlera e të cilës është paraqitur 72, 500.00 euro, e blerë në 2017. Banesa tjetër 107.70 m2, e blerë në vitin 2015, vlera e të cilës është shënuar 80 mijë euro dhe po ashtu garazhe 10m2 në vlerë prej 6500 euro. Ai ka deklaruar edhe një shtëpizë në fshatin e bukur të Orllanit, ku vlera e saj është 30 mijë euro.

Pasuri të luajtshme ka deklaruar edhe dy vetura të tipit ‘Audi’, njëra e tij dhe tjetra e bashkëshortes. Njëra me vlerë 17 mijë euro e tjetra 18,500 euro.

Izet Sadiku ka deklaruar edhe një biznes në emrin e bashkëshortes me 100 për qind të aksioneve: Poliklinika EndoClinic&medical&laboratory.

Sadiku, i cili e mban të mbyllur banesën e marrë si rast social, tani i mban gjithsej tri puna, atë të Drejtorit në Komunën e Prishtinës, të profesorit në Kolegjin AAB dhe të mjekut infektolog në poliklinikën e bashkëshortes së tij “EndoClinic”.

Të hyrat vjetore nga angazhimi në këto tri institucione, Sadiku i ka deklaruar në vlerë prej rreth 41 mijë euro. Të hyrat më të mëdha i ka nga klinika e bashkëshortes në vlerë prej 21,820.00 euro.

Bashkë me bashkëshorten, Sadiku ka paraqitur para të gatshme në bankë në vlerë prej 126 mijë eurove.

Po ashtu, ai ka paraqitur edhe dy kredi të banesave që i ka në emrin e bashkëshortes. Vlera e dy kredive është rreth 28 mijë euro.

Ndonëse poliklinika është në emrin e bashkëshortes së tij, ajo nuk figuron se merr pagë nga kjo klinikë, të paktën sipas deklarimit të pasurisë. Për të ka deklaruar të hyra-mëditje nga KRKA – Qeveria e Kosovës dhe pagë mujore nga “Bahceci Healtc”, në vlerë prej 900 euro.

Anëtarët e Komisionit Komunal të autorizuar nga Përparim Rama, duke u bazuar në kompetencat e tyre dhe me qëllim të verifikimit sa më të saktë të gjendjes faktike, siç thuhet në raport, kanë dalë në terren dhe në secilën njësi banesore, ku kontakti ka qenë në mënyrë direkte me shfrytëzuesit e këtyre njësive dhe informatat janë marrë nga të intervistuarit, si dhe duke u bazuar në dokumentet përkatëse.

Komisioni ka vendosur se raporti duhet të ndahet në tri pjesë, ashtu siç janë të ndara edhe objektet banesore që shfrytëzohen nga marrësit me qira apo pa kompensim për arsye të ndryshme, të cekura në vendimet përkatëse për dhënien e këtyre pronave me qira ose në shfrytëzim nga ana e Komunës së Prishtinës.

Komisioni ka hartuar këtë raport në tri pjesë, duke i ndarë pastaj ato në kategori në mënyrë që për secilën kategori të jepet një pasqyrë më e qartë e gjendjes faktike të shfrytëzimit të pronës komunale dhe, po ashtu, të jepen edhe rekomandimet për të gjeturat përkatëse për secilën prej këtyre kategorive.

Ndonëse kontratat kanë skaduar që 7 vjet, propozim-vendimi i kryetarit Përparim Rama nuk dihet se kur do të dërgohet në Kuvendin Komunal për vazhdimin ose shqyrtimin e këtyre pronave që kanë të bëjnë me kategoritë sociale të Komunës së Prishtinës. /Demokracia.com/

LEXO EDHE:

DOKUMENT | Përparim Rama po e mban të bllokuar procesin, banesave të kategorive sociale u ka skaduar kontrata që tetë vite dhe po tjetërsohen

Të ngjashme