Lajme
DOKUMENT | Përparim Rama po e mban të bllokuar procesin, banesave të kategorive sociale u ka skaduar kontrata që tetë vite dhe po tjetërsohen
Demokracia
10:20 | 20 Mars 2024

Share:

Që disa vite u kanë skaduar kontratat e shfrytëzimit të pronave komunale dhjetëra personave, të cilët po i përdorin banesat e Komunës së Prishtinës në tri lagje të ndryshme. Një komision i emëruar para dy viteve nga kryetari Përparim Rama ka bërë një raport në 2023-tën për gjendjen e banesave dhe i ka bërë rekomandimet se kujt duhet t’i vazhdohet kontrata e kujt jo. Por, komuna e drejtuar nga Përparim Rama akoma nuk e ka dërguar në Kuvendin Komunal miratimin për shqyrtimin e atyre pronave komunale.

Me autorizim të kryetarit Përparim Rama, Komuna e Prishtinës ka formuar një komision për verifikimin e shfrytëzimit dhe statusit të banesave në Bregun e Diellit, Fushën e Pajtimit dhe në Hajvali.

Ky komision, pas vizitave në terren, ka verifikuar shfrytëzimin e 249 njësive banesore nën pronësinë e Komunës së Prishtinës, shkruan Demokracia.com.

Te këto banesa, Komuna e Prishtinës i ka vendosur shumicën e familjeve aty në vitin 2007 për një afat të qirasë prej 10 vjetësh. Kjo nënkupton se nga viti 2017 të gjitha familjeve u kanë skaduar kontratat.

Nëpërmjet kërkesës për qasje në dokumente publike, Demokracia.com e ka siguruar këtë raport.

Anëtarët e Komisionit, duke u bazuar në kompetencat e tyre dhe me qëllim të verifikimit sa më të saktë të gjendjes faktike, siç thuhet në raport, kanë ka dalur në terren dhe në secilën njësi banesore, ku kontakti ka qenë në mënyrë direkte me shfrytëzuesit e këtyre njësive dhe informatat janë marrë nga të intervistuarit, si dhe duke u bazuar në dokumentet përkatëse.

Komisioni ka vendosur se raporti duhet të ndahet në tri pjesë, ashtu siç janë të ndara edhe objektet banesore që shfrytëzohen nga marrësit me qira apo pa kompensim për arsye të ndryshme, të cekura në vendimet përkatëse për dhënien e këtyre pronave me qira ose në shfrytëzim nga ana e Komunës së Prishtinës.

Komisioni ka hartuar këtë raport në tri pjesë, duke i ndarë pastaj ato në kategori në mënyrë që për secilën kategori të jepet një pasqyrë më e qartë e gjendjes faktike të shfrytëzimit të pronës komunale dhe, po ashtu, të jepen edhe rekomandimet për të gjeturat përkatëse për secilën prej këtyre kategorive. (DOKUMENT)

Fusha e Pajtimit

Pjesa parë e raportit përfshin objektet banesore të vendosura në Fushën e Pajtimit, rr. Bajram Bahtiri, ku ndodhen 2 objekte banesore me nga dy hyrje, të cilat përfshijnë 100 njësi banesore të dedikuara për 2 kategori, njëra për banim social që përfshin 50 njësi banesore dhe tjetra për kategoritë e dala nga lufta që po ashtu përfshin 50 njësi banesore.

Kategoria e banimit social

Nga shkresat që komisioni ka pasur në dispozicion, nga vizitat në terren në secilën njësi banesore që përfshihen në kategorinë e banimit social, komisioni ka gjetur se nga 50 njësi banesore të banimit social, 6 banesa janë te lira dhe 44 janë duke u shfrytëzuar nga familjet sipas vendimit të Komunës së Prishtinës.

Nga këto 44 familje, 7 prej tyre jetojnë nga pensioni invalidor i një anëtari të familjes, 1 nga pensioni i veteranëve të luftës dhe 1 familje nga pensioni i dëshmorit të UCK-së. Pjesa tjetër e familjeve kanë jetuar kryesisht nga asistenca sociale, mirëpo ata i kanë deklaruar komisionit që asistenca u është ndërprerë.

“Rekomandimet e Komisionit për pjesën e raportit: Fusha e Pajtimit; Kategoritë e dala nga lufta: 1. Komuna e Prishtinës të ndërmarrë veprimet e menjëhershme për ndarjen e dy njësive banesore me nr. 6 dhe nr. 7 në Bllokun 2, Hyrja 48, të bashkuara paligjshëm nga shfrytëzuesi i njësisë banesore nr. 7 dhe të njëjtat të kthehen në gjendjen e mëparshme. 2. Komuna e Prishtinës t’ua marrë menjeherë të drejtën e shfrytëzimit dy qiramarrësve të cilët shfrytëzojnë banesat si palë të treta dhe t’i vë ato në dispozicion për familjet në nevojë 3. Komisioni i themeluar si në Rekomandimin 2 të kategorisë së banimit social, t’ua vazhdojë kontratat familjeve që plotësojnë kriteret për shfrytëzimin e pronave komunale dhe të pranojë e shqyrtojë aplikimet nga qytetarët në nevojë që përmbushin kriterin e kategorive të dala nga lufta për banesat që mbesin të lira”, thuhet në raportin e siguruar nga Demokracia.com.

Hajvali

Në Hajvali, Komuna e Prishtinës posedon dy objekte me nga dy hyrje secili, ku përfshihen në total 100 njësi banesore. Edhe në këto objekte janë të ndara dy kategori në secilin objekt. Një objekt është paraparë për kategorinë e banimit social, ndërsa tjetri për kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së.

Kategoria e banimit social

Në raport thuhet se objekti ka dy hyrje me numra 151 dhe 153. Në hyrjen me nr. 151 nga 25 njësi banesore shfrytëzohen 23 sosh, ndërsa dy janë të lira. Ndërsa, në hyrjen 153, nga 25 njësi banesore, 20 shfrytëzohen dhe 5 janë të lira.

Në objektin në tërësi të kategorisë së banimit social, nga 50 njësi banesore në total, 43 janë të shfrytëzuara dhe 7 janë të lira.

Nga 43 familjet që jetojnë në këto banesa që janë prona të Komunës së Prishtinës, 25 janë me asistencë sociale dhe 4 jetojnë nga pensioni invalidor. Ndërsa, pjesa tjetër nuk janë përfitues të skemave sociale. Ajo që komisioni vë në pah është mungesa e skajshme e kushteve higjienike në këto objekte, andaj sipas tij është e domosdoshme që këto familje mos të lihen në atë gjendje si pasojë e papastërtisë dhe e mungesës së kujdesit institucional.

Komisioni ka rekomanduar se kategorisë së banimit social te Fusha e Pajtimit t’u vazhdohen kontratat familjeve që plotësojnë kriteret për shfrytëzimin e pronave komunale dhe të pranojë e shqyrtojë aplikimet. Po ashtu, komisioni ka sugjeruar që Ndërmarrja Publike Banesore të kujdeset për mirëmbajtjen dhe pastrimin e objekteve banesore që shfrytëzohen nga kategoritë sociale.

Raporti për banesat e kategorive të dala nga lufta në HAJVALI

Anëtarët e komisionit kanë vizituar të gjitha njësitë banesore të kësaj kategorie dhe komisioni konstaton se nga 50 njësi banesore sa janë në total të dedikuara për këtë kategori, të gjitha prej tyre shfrytëzohen nga familjet që u përkasin kategorive të dala nga lufta. Komisioni konstaton se të gjitha këtyre familjeve u kanë skaduar kontratat dhe i ka dhënë Asamblesë Komunale këtë rekomandim: “1. Komisioni i themeluar si në Rekomandimin 2 të kategorisë së banimit social te Fusha e Pajtimit, t’ua vazhdojë kontratat familjeve të kategorive të dala nga lufta që plotësojnë kriteret për shfrytëzimin e pronave komunale”.

Bregu i Diellit

Pas shqyrtimit të shkresave dhe materialeve në arkivat e Komunës së Prishtinës, Komisioni ka gjetur se në lagjen Bregu i Diellit, në të ashtuquajturat “‘Banesat e Standardit”, Komuna e Prishtinës posedon 49 njësi banesore si rezultat i një marrëveshjeje të partneritetit publiko-privat ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe Konzorciumit Global dhe Standard me nr. të kontratës Nr. 24-6/05, ku sipas përqindjes, Komuna e Prishtinës në këtë kontratë i ka marrë 40.3% të objektit.

Ndarja e këtyre njësive banesore është bërë në bazë të Rregullores për Dhënien e Banesave në shfrytëzim me qira e nxjerrë nga KK Prishtinë, 01. Nr.215-361, datë 04.05.2006 dhe Vendimit për Ndryshimin dhe Plotësimin c Rregullores për Dhënien e Banesave me qira nxjerrë nga KK Prishtinë 01. Nr.360-543, datë 23.11.2006.

Në Nenin 9 të kësaj Rregulloreje janë përcaktuar kategoritë që mund të përfitojnë nga Komuna e Prishtinës të drejtën e shfrytëzimit me qira të këtyre njësive banesore, të cilat janë: të punësuarit në Shërbimin Civil, Këshilltarët e Kuvendit Komunal dhe kategoritë e caktuara që kanë nevojë për zgjidhje të banimit.

Komuna e Prishtinës shumicën e këtyre familjeve i ka vendosur aty në vitin 2007 për një afat të qirasë prej 10 vjetësh, që nënkupton se që nga viti 2017 të gjitha familjeve u ka skaduar kontrata, përveç familjes së Rrahim Ramadanit, i cili sipas një vendimi të Gjykatës Themelore Nr.A356/19 dt.10.04.2019, ka fituar të drejtën e shfrytëzimit të banesës deri në vitin 2030.

“Pas shqyrtimit të shkresave dhe dokumentacionit në dispozicion, si dhe vizitave në terren në secilën njësi banesore, Komisioni ka gjetur se në banesat – pronë komunale në Bregun e Diellit janë të vendosura familje nga disa kategori: familje të shërbyesve civil të Komunës së Prishtinës, familje të dëshmorëve apo heronjve të Kosovës, familje të këshilltarëve komunal, një familje e një pjesëtari të Policisë së Kosovës i mbetur invalid në vendin e punës, një familje e një pjesëtari të ish TMK-së, i cili shfrytëzon pronën komunale në bazë të një marrëveshjeje ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe TMK-së, si dhe tri familje të vendosura në këto njësi banesore nga Drejtoria e Mirëqenies Sociale e Komunës së Prishtinës”, thuhet në raport, përcjell Demokracia.com.

Komisioni konstaton se nga gjithsej 49 njësi banesore, kategoritë që kanë përfituar nga shfrytëzimi i pronës komunale janë si në vijim:

27 familje të shërbyesve civilë të Komunës së Prishtinës, 11 familje të ish-këshilltarëve komunalë, 9 familje të kategorive të caktuara (familje të dëshmorëve, heronjve dhe veteranëve, pjesëtar i policisë dhe TMK-së, si dhe 3 familje të vendosura nga Drejtoria e Mirëqenies Sociale), por edhe 2 familje që i shfrytëzojnë njësitë banesore në mënyrë të paligjshme (uzurpatore).

Duke u bazuar nga gjendja faktike në terren, pas vizitave që anëtarët e komisionit i kanë bërë të gjitha njësive banesore, konstatohet se në 37 njësi banesore familjet përfituese të shfrytëzimit me qira të këtyre banesave, në bazë të kontratës me Komunën e Prishtinës vazhdojnë t’i shfrytëzojnë ato.

Në 10 banesa nuk është arritur komunikimi ndërmjet anëtarëve të komisionit dhe shfrytëzuesve, pasi në kohën kur është bërë verifikimi nuk është gjendur askush aty.

Ndërsa, për 2 njësi banesore me Nr. 2/12 Nr.12 dhe banesa 2/09 Nr.9, komisioni konstaton se 2 familje i shfrytëzojnë ato në mënyrë të paligjshme për shkak se nuk kanë asnjë vendim nga Komuna e Prishtinës dhe as nuk kanë prezantuar kurrfarë dokumentacioni.

“Rekomandimet e Komisionit për pjesën e Raportit: Bregu i Diellit 1.Rekomandohet lirimi i menjëhershëm i dy njësive banesore Nr. 2/12 Nr.12 dhe banesa 2/09 Nr.9, të uzurpuara. Drejtoria e Pronës dhe ajo e Inspeksionit duhet t’i ndërmarr menjëherë veprimet e nevojshme ligjore për lirimin e këtyre njësive banesore. 2.Rekomandohet themelimi i menjëhershëm i Komisionit prej 5 anëtarëve në bazë të Rregullores për dhënie në shfrytëzim të banesave me qira, i cili komision nga momenti i themelimit, brenda afatit prej 30 ditësh, do t’i rekomandojë kryetarit vazhdimin e kontratave për shfrytëzuesit aktual që vazhdojnë ti plotësojnë kriteret e përcaktuara me këtë Rregullore. Rekomandohet që për pjesën e shfrytëzuesve që nuk vazhdojnë ti plotësojnë kriteret, t’u kërkohet lirimi i pronës komunale në afat prej 30 ditësh. Komisioni duhet të ketë mandat edhe t’i shqyrtojë kërkesat e reja për përfituesit e rinj të njësive banesore në bazë të Rregullores së lartcekur”, thuhet në raport, përcjell Demokracia.com.

Ndonëse verifikimi i banesave është bërë në vitin e kaluar nga një komision i formuar në vitin 2022, në Komunën e Prishtinës nuk kanë dhënë një datë të saktë se kur do të shkojë në Kuvend vendimi për shqyrtimin e këtyre qirave që kanë skaduar që disa vite.

“Në një nga mbledhjet e ardhshme të asamblesë komunale do të formohet komisioni i asamblesë, i cili në bazë të rregullores në fuqi do të marrë vendime në zbatim të vendimit të Kuvendit të Kryeqytetit nr. 01-035/183659/23 dt. 05.09.2023, sepse për shfrytëzimin e këtyre banesave vendimet bien në kompetencë të Kuvendit të Komunës së Prishtinës”, ka thënë zyrtarja për informim në Komunën e Prishtinës, Arlinda Kastrati. /Demokracia.com/

Vazhdon…

Të ngjashme