Lajme
DOKUMENTE | Albert Prenkaj e fiton kontestin me MPJD-në edhe në Apel, a po bie rregullorja e Donika Gërvallës që e çoi diplomacinë drejt humnerës?
Demokracia
22:17 | 14 Maj 2024

Share:

Ish-ambasadori Albert Prenkaj po vazhdon luftën e tij me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës që drejtohet nga Donika Gërvalla-Schwarz.

Ai e ka fituar edhe një betejë. Kësaj radhe në Gjykatën e Apelit, shkruan Demokracia.com.

Ligjshmëria e vendimeve të Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, të cilat lidhen me sistemimin e ish-zyrtarëve të Ministrisë së Diasporës, vazhdon të kontestohet edhe nga gjykatat.

Me vendimin e Gjykatës së Apelit në kontestin e ambasadorit Albert Prenkaj me MPJD-në, gjegjësisht KPMSHCK-në në lidhje me Rregulloren (ZKM) Nr. 01/2022 për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, nënshkruar nga kryeministri Albin Kurti prevalon Ligjin për Shërbimin e Jashtëm, Nr. 03/122, i cili është shkelur me nxjerrjen e kësaj rregulloreje.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative, me aktgjykimin e ankimuar në pikën 1 të dispozitivit ka vendosur: Aprovohet si e bazuar kërkespadia e paditësit Albert Prenkaj, kundër të paditurës Këshilli i Pavarur Mbkqyrës i Shërbimit Civil të Kosovës A.nr.216/2022 datë 14.04.2022 dhe çështja i kthehet të paditurës në rishqyrtim dhe rivendosje”, thuhet në vendimin që e ka siguruar Demokracia.com.

Prenkaj deri në këtë fitore kaloi shumë beteja. Ai posa e fitoi rastin në Gjykatën Themelore të Prishtinës (A nr.1142/2022, datë 14.03.2023), të nesërmen u suspendua nga puna në mënyrë të dhunshme, duke iu pamundësuar qasja në ndërtesën e ministrisë.

Me direktivat politike shpejt e shpejt është mbledhur një komision ligjërisht i kontestueshëm, në përbërje të personave që tashmë janë shpërblyer me grada e misione diplomatike, i cili ka nxjerrë një vendim për largim të ambasadorit Prenkaj nga shërbimi civil.

Ky vendim është ankimuar në KPMSHCK, i cili herën e parë e kundërshtoi vendimin e MPJD-së për “largim nga shërbimi civil”, ndërsa herën e dytë kur MPJD nuk e mori në konsideratë vendimin e KPMSHCK-së dhe kryekëput e kopjoi vendimin e parë, duke ndryshuar vetëm datën, ky i fundit mori  vendim që ishte në kundërshtim me vendimin e tij të parë.

Me datë 03.04.2024, Gjykata e Apelit nxori aktgjykimin që refuzon ankesën e Këshillit të Pavarur Mbikqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës të parashtruar me datë 05.04 2023 dhe vërtetoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës A nr.1142/2022, datë 14.03.2023. Gjykata Themelore, Departamenti për Çështje Administrative ka aprovuar si të bazuar kërkesëpadinë e paditësit Albert Prenkaj kundër të paditurit KMPSHCK, anulohet vendimi i KPMSHCK-së dhe kërkohet të merret një vendim konform ligjit dhe ankesën e institucionit të larpërmendur e gjen si të pabazuar, juridikisht të paqartë dhe të paqëndrueshëm.

Me këtë Aktgjykim të Gjykatës së Apelit që e vërteton Aktpadinë e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Rregullorja 2/2022 bie, shkruan Demokracia.com.

Me këtë shfuqizohet organogrami i paraparë sipas kësaj rregulloreje dhe të gjitha vendimet të bazuara mbi këtë rregullore. Pra, sjellja dhe sistematizimi i personave nga Ministria e Diasporës dhe institucionet tjera, marrja e vendimeve nga ushtruesi i detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm, i cili merr kompetenca nga kjo rregullore që janë në kundërshtim me Ligjin Nr. 03/122, ngritja në grada dhe vendimet për gradime dhe dërgime në misione diplomatike me vendimet e bazuara në këtë rregullore tashmë të rrëzuar nga Gjykata e Apelit, janë subjekte të rishqyrtimit dhe rivendosjes.

Ekspertë që trajtojnë raste të ngjashme juridike nga përvoja thonë se KPMSHCK ka ndërmarrë vendime jo afirmative, duke e ngritur dyshimin e bazuar në koketimin me pushtetin aktual në dëm të shërbyesve civilë të dëmtuar nga vendimet arbitrare të pabazuara në kornizën ligjore, duke shkaktuar dëme enorme juridike dhe financiare institucioneve që në një moment kur shërbyesit civilë t’i fitojnë rastet, do të marrin dëmshpërblime financiare për tërë kohën e qëndrimit jashtë shërbimit civil të Republikës së Kosovës.

Albert Prenkaj ishte pezulluar nga puna me vendim të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Prenkajt i ishte ndaluar hyrja në objektin e MPJD-së dhe çdo veprim tjetër që mund “të cenoj/dëmtoj provat” sipas lëndës së iniciuar ndaj tij.

Vendimi për pezullimin e tij ishte marrë përkundër që Gjykata Themelore e Prishtinës, më 20 mars, e kishte aprovuar si të bazuar kërkesën e Albert Prenkajt kundër Këshillit të Pavarur Mbikqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës.

Po ashtu, sipas vendimit, ishte anuluar vendimi i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës dhe sipas vendimit çështja duhet të kthehet në rishqyrtim dhe rivendosje.

Në arsyetimin e MPJD-së thuhej se ka arsye të besohet se vazhdimi i ushtrimit të detyrës nga Prenkaj do ta pengojë hetimin disiplinor dhe verifikimin e fakteve ndaj tij.

“Udhëheqësi i drejtpërdrejt/Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve te Jashtme dhe Diasporës me datën 28.03.2023, ka iniciuar procedurën disiplinore ndaj z. Albert Prenkaj, Drejtor i Departamentit për Amerikë. Komisioni Disiplinor i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, vlerëson se nëpunësi civil z. Prenkaj, ndaj të cilit zhvillohet procedura disiplinore e pengon hetimin disiplinor dhe cenon ushtrimin e përshtatshëm të detyrës së tij dhe ka arsye të besohet se vazhdimi i ushtrimit të detyrës nga nëpunësi civil z. Prenkaj, ndaj të cilit ka filluar procedura disiplinore pengon hetimin disiplinor dhe verifikimin e fakteve si dhe mund të cenojë ushtrimin e përshtatshëm të detyrës së komisionit, andaj vendosi pezullimin e nëpunësit civil z. Prenkaj, deri në marrjen e vendimit përfundimtar. Komisioni, vendosi si në dispozitë të këtij vendimi”, thuhej në vendim. /Demokracia.com/

Lexo edhe:

DOKUMENT| Këshilli e konfirmon edhe një shkelje të Donika Gërvallës, e kthen në rishqyrtim rastin e Albert Prenkajt

 

Lexo më shumë për këtë temë:

DOKUMENT| MPJD-ja e largon përfundimisht nga puna diplomatin Albert Prenkaj

Lexo edhe:

Prenkaj pas pezullimit nga puna: Në MPJD ka grup kriminal që i shkelë ligjet në baza ditore

 

 

Të ngjashme