Lajme
DOKUMENT| “Degradim, abuzim, shantazh dhe jo transparencë”, sindikata ngre alarmin për shkatërrimin e diplomacisë nga Gërvalla
Demokracia
10:09 | 24 Gusht 2022

Share:

Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të Kosovës është shumë e shqetësuar për zhvillimet në diplomacinë kosovare.

Kjo shoqatë ka ngritur alarmin se ministrja Donika Gërvalla po e dërgon drejt humnerës diplomacinë e Kosovës.

Sipas kësaj sindikate, shërbimi i jashtëm po degradohet në mënyrë të pamëshirshme dhe të vazhdueshme, përcjell Demokracia.com.

Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm krejt shqetësimet e veta nëpërmjet një letre në fillim të këtij muaji ia ka përcjellë Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz.

Demokracia.com ka siguruar letrën e kësaj sindikate dërguar ministres Gërvalla-Schwarz.

Kjo sindikatë ka kërkuar nga Gërvalla që të shfuqizohen të gjitha vendimet e sistemimeve para hyrjes në fuqi dhe procedimit të rregullores për sistematizimin e brendshëm.

Po ashtu, sindikata ka kërkuar të fillojë procedura e tërheqjes së konsujve aktualë të përgjithshëm nga radhët e të emëruarve politikë.

Kjo sindikatë ka kërkuar më shumë transparencë, përcjell Demokracia.com.

“Të ndalohet sa më parë praktika e instaluar e punës në grupe të ngushta, duke anashkaluar procedurat e parapara, si dhe të ketë transparencë dhe informacion, sidomos kur janë në pyetje procese që ndërlidhen direkt me marrëdhënien e punës së zyrtarëve, që sesionet informuese dhe njoftuese të jenë transparente gjë që është edhe obligim ligjor”, thuhet në këtë letër të sindikatës në MPJD.

Po ashtu është kërkuar që të sistemohen të gjithë zyrtarët që kanë mbetur të pa sistemuar dhe të pa informuar.

“Këto do të ishin masa të përkohshme deri në zgjidhjen e duhur në funksion të Shërbimit të Jashtëm e kjo mund të bëhet vetëm me shfuqizimin e Rregullores 1/2022”, thuhet tutje në letrën e siguruar nga Demokracia.com.

Tjetër kërkesë e sindikatës është që të vazhdohet edhe rotacioni për plotësimin e vendeve në Misionet Diplomatike pa anime, paragjykime dhe mangësi të informacioneve apo informacioneve të pabazuara, bazuar në ftesën e hapur për shprehje të interesimit, që ka filluar në shkurt të këtij viti.

Nga kjo sindikatë janë ankuar se po u bëhet presion sindikalistëve, gjë për të cilën kanë kërkuar të ndalohet sa më parë.

“Të lejohet ushtrimi i veprimtarisë sindikale pa asnjë pengesë dhe pa ndërhyrje qoftë kolaterale, mos të atakohen zyrtarët që drejtojnë Shoqatën Sindikale dhe të krijohet hapësira për ushtrim të veprimtarisë së saj duke u përfshirë në grupe punuese dhe komisione në cilësinë e vëzhguesit”, shprehen anëtarët e kësaj sindikate.

Po ashtu, sindikata ka kërkuar të fillohen procedurat për shfuqizimin e rregullores ZKM Nr.01/2022 për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në MPJD dhe të nxirret Ligji për Shërbimin e Jashtëm (Ligj i Posaçëm duke përjashtuar Ligjin për Zyrtarë Publik 06.L-114, duke amendamentuar nenin 3 të këtij ligji dhe në Ligjin për Pagat të përfshihen sugjerimet e Shoqatës Sindikale për trajtimin e posaçëm të diplomatëve të karrierës, të kostos së jetesës gjatë shërbimit në mision diplomatik, sipas listës së OKB-së, si dhe të trajtohet çështja e sigurimeve shëndetësore brenda dhe jashtë vendit).

Në letrën dërguar Gërvallës, sindikata ka shprehur edhe një herë shqetësimin për emërimin në pozita kyçe të ministrisë të ish-zyrtarëve të Ministrisë së Diasporës, e cila është shkrirë në Ministrinë e Jashtme.

“Të gjitha këto e kanë pikënisjen me sistemimin e zyrtarëve të ish Ministrisë së Diasporës në pozitat kyçe të MPJ-së (Me theks të veçantë pozita e zv. sekretarit të Përgjithshëm, Udhëheqësi i Zyrës së Personelit etj), të cilat jo vetëm që ishin veprime të kundërligjshme, por ato janë jashtë çdo kriteri legjislativ dhe logjikës së funksionimit të dikasterit të punëve të jashtme, përfshirë këtu: paaftësinë totale të menaxhimit me strukturën dhe organizimin e MPJD-së, mungesën absolute të përvojës diplomatike, mungesën e gradave, mungesën e verifikimit të sigurisë dhe qasjen e paautorizuar në dokumente zyrtare të rëndësisë së veçantë, si dhe kritere tjera relevante për një anëtar të shërbimit të jashtëm, madje duke shpërfillur e injoruar diplomatët me përvojë shumëvjeçare, kualifikimet adekuate profesionale, të graduar në mënyrë të mirëfilltë, si dhe duke poseduar leje verifikimi për qasje në dokumente zyrtare, proces ky krejtësisht i panjohur për ish zyrtarët e MPJD”, thuhet në letrën që ata nuk morën përgjigje, përcjell Demokracia.com.

Sindikata, po ashtu, ka shfaqur edhe një herë shqetësimin për abuzimet që sipas tyre janë bërë nga Komisioni për Sistemimin e Zyrtarëve në MPJD.

“Kësaj dukurie i parapriu themelimi i komisionit për sistemimin e zyrtarëve në MPJD, të cilët nuk kanë përfillur parimin e ligjshmërisë dhe atë të transparencës (parime obligative), por kanë vepruar në konfidencialitet duke abuzuar me ligjin për interesa personale dhe të këtij klani të instaluar në MPJD”, thuhet tutje në letrën e tyre.

Sindikata ka kërkuar që të hidhet dritë edhe në procesin e sistemimit.

“Duhet të hedhim dritë tek procesi i sistemimit i bazuar në një rregullore që u parapri nga instalimi i një praktike të punës në grupe minore të ngushta me mungesë absolute të transparencës, me ç’rast të gjitha informacionet janë të mbyllura, nuk ka informacion të nevojshëm dhe kur zhvillohen procese të rëndësishme të cilat prekin edhe zyrtarët e Shërbimit të Jashtëm dhe të MPJD-së dhe çdo gjë kalon nën hijen e heshtjes administrative”, thuhet tutje në letrën e sindikatës të siguruar nga Demokracia.com.

Problem tjetër, sipas saj, është edhe shuarja e Drejtorisë së Përgjithshme.

“Referuar argumenteve të mësipërme është po ashtu defunksionimi i Drejtorisë së Përgjithshme, konfirmimi i vendimeve për sistemimet e para kësaj rregulloreje dhe sistemimet e zyrtarëve të ish-Ministrisë së Diasporës në pozitat menaxheriale të MPJD-së, duke zëvendësuar diplomatët me grada dhe me eksperiencë shumëvjeçare që nga themelimi i shërbimit të jashtëm. Madje, një numër i tyre ende janë të pa sistemuar dhe pa u informuar se çfarë po ndodhë me pozitat e tyre. Kjo konsiderohet si veprim jashtë çdo logjike të funksionimit të një administrate. Këto veprime arbitrare nuk përkojnë me normat dhe procedurat e një vendi demokratik”, thuhet tutje në reagimin e sindikatës së anëtarëve të shërbimit të jashtëm.

Një element tjetër me rëndësi për ta vënë në spikamë, sipas kësaj sindikate, është se kjo rregullore nuk parasheh ose së paku komisioni jotransparent nuk është marrë me sistemimin e zyrtarëve/diplomatëve të cilët aktualisht gjenden në misionet e Republikës së Kosovës dhe shtrohet pyetja logjike: gjatë proceseve të rotacionit për sistemimin e tyre a do të trajtohen aktemërimet me të cilat ata kanë vendosur marrëdhënien e punës? Ku do të sistemohen? Çfarë pozita do të ushtrojnë? Të gjitha këto veprime, sipas sindikatës, gjejnë përdorim apo justifikohen me qëllimin e sistemimit të disa zyrtarëve të ish-Ministrisë së Diasporës në pozitat që i kanë ushtruar diplomatët e karrierës, veprime këto që bien ndesh me nenin 4 të Ligjit për Zyrtarë Publik.

“Mungesa e përvojës së këtij grupi të cilët u vunë kundërligjshëm në pozitat kyçe të MPJD-së sidomos në pozitën e zëvendës Sekretarit të Përgjithshëm dhe të Zyrës së Personelit, në mënyrë diletanteske ka shkaktuar pengesa në procesin e rotacionit, derisa ftesa për shprehje të interesit përbrenda Shërbimit të Jashtëm, hapur në shkurt të këtij viti, asnjëherë nuk është përmbyllur, ndërsa misionet funksionojnë me kapacitete të reduktuara”, thuhet tutje në reagimin e kësaj sindikate.

Në letrën e siguruar nga Demokracia.com që i është dërguar Gërvallës, po ashtu, thuhet se disa misione të Kosovës jashtë vendit funksionojnë vetëm me nga një diplomat.

“Si rrjedhojë e kësaj si duket më tepër si qëllim paska qenë hapja e konkurseve por jo procesi i rotacionit përmes së cilit mbahet në kontinuitet funksioni i misioneve, jo siç po ndodh tani. Në disa misione funksionimi mbështetët vetëm në një diplomat. Në vendet ku jeton mërgata jonë misionet konsullore si rezultat i reduktimit të stafit dhe zëvendësimit të tij me staf jo profesional/teknik, terminet për pajisje me dokumente personale janë stërzgjatur”, thuhet tutje në këtë letër.

Sipas sindikatës, deri më tani koha e nevojshme për pajisje me dokumente të udhëtimit ka qenë 20 ditë. Kurse, me tollovinë e shkaktuar nga Gërvalla, mërgimtarëve u duhen muaj të tërë për t’u pajisur me to.

“Koha e nevojshme për pajisje me dokumente të udhëtimit ishte rreh 20 ditë, ndërsa tani kjo është zgjatur me muaj të tërë. Shtrohet pyetja a është kjo që i është premtuar mërgatës?”, thuhet tutje në këtë dokument.

Shumë shqetësuese, sipas tyre, është edhe ushtrimi i presionit që po bëhet mbi anëtarët e sindikatës.

“Duhet shtuar se shkeljet e evidentuara më lart nuk janë të vetmet pasi që vetëm në një periudhë të shkurtër kohore, prej se personat në fjalë janë në këto pozita vendimmarrëse, kemi pasur një sërë shkeljesh procedurale administrative duke vënë në pikëpyetje këto procese, për më tepër është tentuar të kufizohet dhe ndalohet edhe veprimtaria sindikale, madje është ndërmarrë një fushatë hakmarrëse gjatë procesit të sistemimit, ku anëtarë të kryesisë së shoqatës janë transferuar në pozita të tjera pa pëlqimin e tyre dhe në kundërshtim me rregullore dhe ligjet në fuqi (neni 4 i Ligjit për zyrtarë publik)”, shkruan në reagimin e tyre.

Po ashtu, sipas kësaj sindikate, janë ngritur komisione disiplinore dhe sikurse edhe për procese tjera të rëndësishme, MPJD nuk ka ftuar fare asnjë anëtar të shoqatës sindikale për pjesëmarrje, gjë që parashihet edhe ligjërisht. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme