Lajme
DOKUMENT| Këshilli e konfirmon edhe një shkelje të Donika Gërvallës, e kthen në rishqyrtim rastin e Albert Prenkajt
Demokracia
17:18 | 03 Gusht 2023

Share:

Ligjshmëria e vendimeve të Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, të cilat lidhen me sistemimin e ish-zyrtarëve të Ministrisë së Diasporës, vazhdon të kontestohet në instanca edhe jashtë ministrisë.

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës e ka aprovuar pjesërisht të bazuar ankesën e Albert Prenkajt, i cili u përjashtua nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Albert Prenkaj është përjashtuar nga shërbimi i jashtëm i Kosovës muaj më parë. Një vendim të tillë e mori Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që udhëhiqet nga Donika Gërvalla, duke e larguar ish-drejtorin e përgjithshëm nga stafi i saj.

Demokracia.com ka siguruar vendimin e KPMSHCK-së, që e obligon sekretarin e MPJD-së që ta kthejë rastin në rishqyrtim.

“Aprovohet pjesërisht e bazuar ankesa me numër A.nr.779/2023 e datës 25.05.2023 e parashtruar nga ankuesi Albert Prenkaj. Anulohet vendimi me numër reference Nr.ref. 157/2023 i datës 26.04.2023 i Komisionit Disiplinor të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe çështja kthehet në rishqyrtim dhe rivendosje të Komisionit Disiplinor të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës”, thuhet në vendimin e siguruar nga Demokracia.com.

Po ashtu, obligohet Komisioni Disiplinor i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës që brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e pranimit të bëjë rishqyrtimin e këtij rasti.

“Obligohet Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës që të kujdeset për zbatimin e këtij vendimi si në pikën 3”, thuhet në vendim.

Ky është vendimi i Këshillit: 

Prenkaj, ambasador i karrierës, i cili ishte pjesë e ministrisë prej themelimit të saj në vitin 2008, ka një historik të gjatë përplasjesh me menaxhmentin e ri, të cilin thotë se nuk e njeh për shkak të paligjshmërive me rastin e emërimeve.

Mbështetur në vendim gjithsej kanë qenë tri masa disiplinore, pas të cilave MPJD-ja mori vendim për përjashtimin e Prenkajt nga ministria.

Me këtë rast ishte konstatuar shkelja e nenit 26 të Ligjit për Zyrtarët Publikë, i cili përcakton se “Zyrtari publik ka detyrimin të veprojë në përputhje me urdhrat e marrë nga mbikëqyrësit e tij, sipas ligjit dhe rregullave të brendshme të institucionit”. /Demokracia.com/

Të ngjashme