A mund ta kuptoni ju kur do të sëmureni? Këtë po e kërkon Komuna e Gjilanit përmes një urdhërese që ka nxjerr Drejtoria e Arsimit.
Çudia e kësaj urdhërese, që mban datën 18 janar 2023, është se kërkon 3 deri 5 ditë më herët nga mësimdhënësit që kur të sëmuren t’i njoftojnë drejtuesit e komunës.
“Drejtoria e Arsimit duhet që të ketë njoftim paraprak 3-5 ditë më herët për pushimet mjekësore të mësimdhënësve, (përjashtohen rastet të sëmundjeve të rënda)”, thuhet në vendimin që e ka siguruar Demokracia.com.
Drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit, Albana Demiri, me këtë urdhëresë ua ka ndaluar edhe përdorimin e telefonave mësimdhënësve dhe nxënësve.
“Të respektohet Udhëzuesi Nr. 20/2018 për ndalimin e përdorimit të telefonave celularë në Institucionet Edukativo-Arsimore”, thuhet në urdhëresë, përcjell Demokracia.com.
Gjithashtu në këtë urdhëresë është kërkuar që të respektohet Kodi i Etikës dhe të mos pihet duhani në objektet arsimore. Në rast të mos respektimit të kësaj urdhërese janë paraparë edhe dënime.
“Të respektohet Kodi i Etikes për Institucionet Edukativo-Arsimore, Nr. 016-32399 i datës 25.03.2021, i miratuar nga Kuvendi i Komunës së Gjilanit, si dhe çdo akt tjetër që ka të bëjë me rendin, disiplinën dhe rregullat në IEA, (pirja e duhanit në objektet e institucioneve edukativo-arsimore nga stafi dhe nxënësit sanksionohet rreptësisht)”, thuhet tutje.
E para e arsimit në Komunën e Gjilanit ka bërë të qartë që drejtoria duhet të lajmërojë çdo rast të dhunës në institucionin përkatës në DKA.
“Drejtoria duhet të lajmërojë DKA-në, për çdo incident në shkollë në rast (dhune, ngacmimi mes stafit ose nxënësve). Në kundërshtim me rastet e lartcekura, Drejtoria Komunale e Arsimit do të ndërmarrë masa ligjore konkrete të menjëhershme në pajtueshmëri me legjislacionin në fuqi. Kjo urdhëresë fillon të zbatohet në të gjitha IEA-të menjëherë pas nënshkrimit të saj”, thuhet në fund të urdhëresës. /Demokracia.com/