Lajme
DOKUMENT| Thesari i shtetit “kërcënoi” organizatat buxhetore për ndryshimet në listat e pagave
Demokracia
19:38 | 05 Prill 2023

Share:

Ministri i Financave, Hekuran Murati, përmes Thesarit i ka kërcënuar organizatat buxhetore për zbatimin e Ligjit të Pagave në harmoni me Ligjin e Buxhetit, ndonëse pagat e muajit të kaluar për më se 80 mijë zyrtarë të punësuar në sektorin publik u kalkuluan gabim dhe pa ndërhyrjen e këtyre organizatave në listat e pagave. 

Demokracia.com ka siguruar shkresën që Thesari u ka dërguar të gjitha organizatave buxhetore.

Kjo shkresë është nënshkruar nga Nysret Koca, zëvendësues i Drejtorit të Përgjithshëm të Thesarit të Shtetit, shkruan Demokracia.com.

“Bazuar në legjislacionin në fuqi për financa publike gjegjësisht Ligjin Nr./03/L-048 për Menaxhimin e FInancave Publike dhe Përgjegjësitë me plotësim ndryshimet e tij (LMFPPP), Ligji Nr.06/L-21 për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike, Ligjin mbi ndarjet Buxhetore, Ligjin Nr.08/L-196 oër “Pagat në Sektorin Publik, dhe legjislacionin sekondar, ju rikujtojmë se Organizatat Buxhetore janë përgjegjëse për menaxhimin e personelit dhe buxhetit të tyre në harmoni me legjislacionin në fuqi dhe të zbatojnë kontrollin e brendshëm të financave publike. Në zbatim të nenit 17 të LMFPP, “Asnjë autoritet publik, organizatë buxhetore, persona apo ndërmarrje nuk mund të devijojnë, keq zbatojnë, ekspozojnë apo të përdorin në mënyrë të parregullt paratë publike. Shpenzimi i parave publike mund të bëhet vetëm nga fondet e ndara dhe të alokuara dhe vetëm në përputhje me procesin i cili është themeluar nga aktet nënligjore”, thuhet në shkresën e siguruar nga Demokracia.com.

Në letër thuhet se planifikimin, mirëmbajtjen e regjistrave dhe përgatitjen e listës së pagave e kryen udhëheqësi i burimeve njerëzore si funksion i deleguar nga ZKA. Me fjalë të tjera dhe në përputhje me nenin 10, paragrafi 2, të LMFPP-së, ZKA/OB mund të delegojë funksione për mbledhje dhe shpenzim të parasë publike. Megjithatë, ky delegim nuk nënkupton lirim nga përgjegjësia dhe rrjedhimisht, mund të konfirmohet që përgjegjësia bie tek ZKA/OB.

“Pra, Udhëheqësi i Burimeve Njerëzore me funksion të deleguar i reflekton ndryshimet në listën e pagave sipas legjislacionit në fuqi. Andaj, në harmoni me legjislacionin në fuqi, në funksion të zbatimit të Ligjit Nr.08/L0196 për Pagat në Sektorin Publik, dhe akteve tjera nënligjore që kanë hyrë në fuqi, për vëmendjen tuaj ju rikujtojmë se: Sipas Ligjit Nr./08/l-1986 për Pagat në Sektorin Publik, konkretisht nënit 5, përcaktohet se: “Mjetet financiare për pagat, shtesat, shpërblimet dhe kompensimet e tjera të të punësuarve që janë subjekt i këtij ligji, sigurohen nga dhe përmes buxhetit të Republikës së Kosovës”.

Andaj OB, sipas tij, është e obliguar dhe mbahet përgjegjëse që ndryshimet në listën e pagave të bëhen në harmoni me legjislacionin në fuqi për pagat dhe Ligjin për Ndarjet Buxhetore të vitit përkatës.

“Zyrtari kryesor Administrativ apo i Autorizuari i  tij, Udhëheqësi i Burimeve Njerëzore dhe Zyrtari Kryesor Financiar (ZKF) janë autoritetet e IB-së që finalizojnë kërkesën për ndryshim të listës së pagave dhe sipas afateve dhe procedurave e përcjellin për procedim nga Thesari.”, thuhet tutje.

Thesari i Kosovës ka kërkuar nga Zyrtari Kryesor Administrativ apo i Autorizuari i tij, Udhëheqësi i Burimeve Njerëzore dhe ZKF që të zbatojnë në përpikëri legjislacionin në fuqi, sepse ligji i mban llogaridhënës për ndryshimet në listën e pagave.

“Në rastet kur ndryshimet në listën e pagave të dorëzuara nga OB përmbajnë pasaktësi dhe gabime sistematike, Thesari do t’i raportojë tek autoritetet përkatëse si dhe tek Zyra Kombëtare e Auditimit në harmoni me kërkesat e Ligjit Nr.03/l-048 për Menaxhimin e Financave Publike dje Përgjegjësit me plotësim ndryshimet e tij.”, thuhet në shkresën e siguruar nga Demokracia.com.

Muajin e kaluar pagat e shumë zyrtarëve ishin kalkuluar gabim. Pas kësaj, Ministria e Financave dhe Ministria e Punëve të Brendshme kanë njoftuar muajin e kaluar të gjithë zyrtarët publikë se shtesat e muajit shkurt për ata që u takojnë, do të paguhen në mars për shkak të vështirësive në mbledhjen e të dhënave.

“Komisionet për përcaktimin e shtesave të parapara me këtë ligj dhe aktet nënligjore që derivojnë prej tij, tashmë janë themeluar dhe janë duke mbledhur të dhënat nga institucionet përkatëse lidhur me zyrtarët që mund/do të përfitojnë këto shtesa, përfshirë këtu komisionet për shtesën për kushte specifike të punës, shtesën për kushte tregu dhe shtesën për ekspertët”.

“Përkundër punës intensive të komisioneve për përcaktim të shtesave, procesi i mbledhjes së të dhënave dhe finalizimit të listave është duke vazhduar, andaj njoftojmë të gjithë zyrtarët publikë se shtesat e sipërpërmendura për muajin shkurt do të paguhen në mënyrë retroaktive në pagën e muajit mars”, thuhej në njoftim.

MPB thotë se me përfundimin e mbledhjes së të dhënave nga ana e komisioneve dhe finalizimit të listave me zyrtarët që do të përfitojnë këto shtesa, të njëjtët do të marrin bashkë me pagën dhe shtesën e muajit mars edhe shtesën përkatëse për muajin shkurt.

“Ftojmë të gjitha institucionet që të dërgojnë të dhënat e kërkuara nga komisionet përkatëse pa vonesë, në mënyrë që procesi të përmbyllet sa më parë”, thuhej tutje në njoftim. /Demokracia.com/

Të ngjashme