Lajme
DOKUMENT | Tenderi i kontejnerëve në Prishtinë u fitua me dokument të falsifikuar, kompania garuese akuzon komunën e Përparim Ramës
Demokracia
13:13 | 28 Shkurt 2024

Share:

Kompania nga Ferizaj “Agrium” Shpk ka hedhur akuza në drejtim të prokurimit të Komunës së Prishtinës se e kanë shpallur fitues të tenderit “Furnizim me kontejner- ritener” një konzorcium të kompanive, që kanë falsifikuar një dokument për pjesëmarrje në këtë tender. Komuna e Prishtinës që udhëhiqet nga Përparim Rama, akuzave u është përgjigjur me lidhje të kontratës, shkruan Demokracia.com.

Në muajin janar e ka shpallur fitues konzorciumin Horn & Co. Kosova SH.P.K.; Knettenbrech + Gurdulic Umwelt GmbH, në vlerë të ofertës 348,743.00. Kontrata është nënshkruar më 15 shkurt 2024.

Tenderi i parë për furnizim me kontejnerë kishte dështuar, pasi Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) kishte konstatuar se Komuna e Prishtinës kishte vendosur kritere të kundërligjshme që e favorizojnë ose që diskriminojnë operatorë të caktuar. Ankesë në OSHP kishte deponuar kompania “Agrium” shpk, shkruan Demokracia.com.

Sapo ka dalë emri i fituesit tek iniciativa e dytë e tenderit, e njëjta kompani është ankuar edhe tek Komuna e Prishtinës, e cila ka kërkuar qasje në ofertën e konzorciumit fitues. Pasi i është dhënë qasje, “Agrium” ka paraqitur ankesë në kompani, nën pretendimin se kanë shpallur fitues një kompani që ka ofertuar me një dokument të falsifikuar, rrjedhimisht me dokumentin e njëjtë që kishte ofertuar në tenderin e parë, por sipas kompanisë ankuese ishte ndërhyrë me photoshop, duke iu ndërruar datat e dokumentit. Këto pretendime, komuna i ka hedhur poshtë dhe çuditërisht me gjithë akuzat e bëra, kompania nuk është ankuar në OSHP, sikur herën e parë, por ka lajmëruar se do t’i drejtohet organeve të hetuesisë për ta zbardhur këtë çështje.

Cili dokument është modifikuar sipas kompanisë ankuese?

Kur një kompani ankuese paraqet ‘kërkesë për rishqyrtim’, ankesa e njëjtë duhet të ngarkohet dhe në sistemin online të E-prokurimit, ndërkohë kjo ankesë nuk është ngarkuar.

Duke u thirrur në Ligjin për Qasje në dokumentet publike, Demokracia.com ka kërkuar qasje në këtë dokument tek prokurimi i Komunës së Prishtinës dhe e njëjta na është ofruar nga komuna.

Në këtë dokument shihet se “Agrium” ka kërkuar që lënda të kthehet në rivlerësim, pasi ka konsideruar se një dokument i autorizimit të kompanisë fituese është i falsifikuar. Komuna e Prishtinës ka pezulluar procesin dhe e ka kthyer lëndën në rivlerësim, duke e shpallur fitues konzorciumin e njëjtë.

“Operatori Ekonomik i shpallur fitues ka dorëzuar dokument të falsifikuar, duke e falsifikuar datën e dokumentit dhe “Titullin e projektit si dhe Numrin e Prokurimit”. OE ka modifikuar dokumentin e Autorizimit nga kompania prodhuese C-TRACE GmbH, ku kjo kompani ka lëshuar autorizimin për kompaninë fituese për tenderin paraprak para tenderimit, e cila ka pasur titull dhe nr. të prokurimit si mëposhtë: • Titulli: “Furnizimi me kontejner per mbeturina”; • Numri i Prokurimit: “616-23-7124-1-1-1”; Pas ankesës tonë pranë AK-së dhe OSHP-së, ku e kemi fituar lëndën, OSHP e ka detyruar AK ta ritenderoj këtë prokurim ku i është ndryshuar automatikisht Nr. i Prokurimit si dhe Titulli, në: • Titulli: “Furnizimi me kontejner per mbeturina – ritender”; • Numri i Prokurimit: “616-23-12035-1-1-1”; Ne këtë mashtrim në këtë dokument e kemi vërejtur pasi që shifet qartë që “DATA” si dhe  “TITULLI & NR. i PROKURIMIT” shihet që është ndryshuar me “PHOTOSHOP”, thuhet në ankesën e kompanisë “Agurium”, përcjell Demokracia.com.

Sipas kompanisë, po të afrohet (Zoom In) pjesa e këtyre dy detajeve shihet qartë se dokumenti është i modifikuar me programe modifikuese/edituese të imazheve.

“Duke mos mjaftuar kjo, pasi që edhe ne si OE kemi të njejtin prodhues si partner të këtij projekti, me datë 20.11.2023 i kemi kërkuar me shkrim se a ju keni dhënë ndokujt autorizim për këtë tender i cili është ritenderu dhe si i tillë është ndryshuar numri i prokurimit dhe titulli, përgjigja e tyre ka qenë si më poshtë:

Kompania ankuese pretendon se paraprakisht kanë qenë të informuar që operatori i shpallur fitues nuk ka autorizim nga ky prodhues për tenderin e RI-TENDERUAR, pasi që sipas tyre, më datë “20.11.2023” kompania prodhuese ua ka konfirmuar që nuk kanë kërkuar autorizim të ri. “OE e shpallur fituese duke mos e pasur këtë dokument, ka modifikuar vetë (Datën, Titullin e Prokurimit & Numrin e Prokurimit) nga ai paraprak në Tenderin e RI-TENDERUAR duke e ndryshuar datën në  “15.11.2023”, e cila e konfirmon falsifikimin pasi që ne e kemi konfirmimin përmes E-mail që ata nuk kanë Autorizim me të dhënat e tenderit të RI-TENDERUAR me datë 20.11.2023”.

Më datë 24.01.2024, komuna ka rivlerësuar lëndën duke e shpallur prapë operatorin e njëjtë si të përgjegjshëm me arsyen se kanë kontaktuar kompanine C-trace rreth autorizimit dhe se të njëjtit e kanë konfirmuar se OE ka autorizim, por sipas kompanisë ankuese, në asnjë rast komuna nuk ka kërkuar nga kompania se “AUTORIZIMI” në fjalë a është i lëshuar nga kompania apo i modifikuar nga kompania fituese e tenderit.

“Është sinqerisht e papranuar nga Komisioni vlerësues si dhe Zyra e Prokurimit si nuk merret me thelbin e problemit (e cila është FALSIFIKIMI i dokumentit) dhe mundohet ta kamuflojë problemin. Ne asnjëherë nuk e kemi mohuar se OE e shpallur fituese nuk është e autorizuar nga kompania prodhuese, por, ne kemi thënë që autorizimin të cilin e posedon OE e shpallur fituese është me detajet e tenderit paraprak, dhe për tenderin e “Ri-tenderuar” nuk ka kërkuar autorizim, me ç ‘rast ka falsifikuar/modifikuar dokumentin duke ndërruar “Emrin e titullit të kontratës”, “Numrin e Prokurimit”, “Datën e dokumentit””, thuhet tutje në kërkesën për rishqyrtim.

Në fund, kompania ankuese ka shkruar se në asnjë mënyrë nuk do të lejojnë shkelje të tillë dhe se do të kërkojnë sqarim/konfirmim pranë Policisë së Kosovës, Departamentit të Krimeve Ekonomike, Departamenti të Falsifikimeve rreth dokumentit të ngarkuar në E-prokurim.

Demokracia.com, ditë më parë ka raportuar se më 17 korrik 2023, Zyra e Prokurimit e Komunës së Prishtinës ka hapur tender për furnizim me kontejnerë. Vlera e paraparë ka qenë 400 mijë euro. Por, tenderi ishte anuluar për shkak se OSHP kishte konstatuar se brenda dosjes së tenderit ishin vendosur kritere të kundërligjshme. /Demokracia.com/

Të ngjashme