Lajme
DOKUMENT | Maskarada e Përparim Ramës me mbeturinat, Prokurimi i vonoi tenderët e BËRLLOKUT për një vit për shkak të manipulimeve
Demokracia
14:13 | 16 Shkurt 2024

Share:

Komuna e Prishtinës që udhëhiqet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në krye me Përparim Ramën po mundohen të heqin përgjegjësinë për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet, shkruan Demokracia.com.

Meqë PDK i doli kundër për aferën “Badovci”, LDK-ja vendosi të hakmerrej duke i shkarkuar njerëz në mënyrë të pakoordinuar partnerit të saj të koalicionit qeverisës në Prishtinë. Akuza e parë u hodh mbi Drejtorin e Shërbimeve Publike, i cili ndonëse lavdërohej vazhdimisht nga Rama, atë ditë u shkarkua menjëherë me arsyetimin se nuk po menaxhonte me mbeturinat si duhet. Madje, këto ditë, kryetari Rama ka nxjerr edhe një vendim për shpallje emergjente në kryeqytet për shkak të rrezikut të shpërndarjes së epidemisë nga mbeturinat. Në vendimin e Ramës, pos tjerash, si arsye është përmendur edhe mungesa e madhe e kontejnerëve dhe makinerisë për këto shërbime.

Por, kush është përgjegjës për mungesën e këtyre dy komponentëve qenësorë për pastrimin e kryeqytetit?

Demokracia.com ka gjetur se Zyra e Prokurimit, e cila i jep përgjegjësi drejtpërdrejtë kryetarit Përparim Rama ka prolonguar dy tenderë të mëdhenj që kanë të bëjnë me furnizimin me kontejnerë dhe pajisje për pastrimin e kryeqytetit. Rrjedhimisht, zyra e prokurimit në Prishtinë ka tentuar t’i manipulojë të dy tenderët dhe për këtë shkak furnizimi nuk ka mundur të bëhet për disa muaj. Asnjë masë nuk është marrë ndaj prokurimit nga ana e menaxhmentit komunal deri më tani.

Manipulimi i tenderit 1.5 milionësh

Fillimisht, tenderi “Furnizimi me pajisje për pastrimin e kryeqytetit” është hapur më 13 korrik 2023. Vlera e parashikuar e kontratës është 1.5 milionë euro.

Më 27 tetor 2023, prokurimi i Komunës së Prishtinës e ka rekomanduar për kontratë grupin e operatorëve “D&T Group” Shpk; “Kosova Motors J.S.C”, me vlerë të ofertës 1,250,800.00 euro. Vendimi është nënshkruar nga menaxheri i prokurimit, Visar Shehu, i cili është vendosur në krye të prokurimit me aktemërim të kryetarit Përparim Rama.

Pas këtij vendimi ka pasur ankesa në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Dy kompani e kanë fituar rastin në ‘Gjykatën e tenderëve’, nën pretendimin se Zyra e Prokurimit ka bërë dallavere kur ka rekomanduar për kontratë operatorin e lartpërmendur.

Paneli i OSHP-së ia ka miratuar ankesat veç e veç të dy kompanive dhe ka urdhëruar Komunën e Prishtinës që të anulojë vendimin për dhënie të kontratës dhe lëndën ta kthejë edhe një herë në rivlerësim.

Komuna e Prishtinës e ka përfillur këtë vendim dhe aktualisht është duke e rivlerësuar tenderin.

Çfarë gjeti paneli?

Pas shqyrtimit të pretendimeve ankimore dhe administrimit me të gjitha provat në dispozicion të shkresave të kësaj lënde, në të dyja rastet, respektivisht dosjet ankimore, vërehet se të dy ankuesit e kanë atakuar në parim vendimin e AK, posaçërisht në vështrim të kërkesave të përshtatshmërisë, përfshirë: a) përshtatshmërinë profesionale; b) kapacitetin ekonomik dhe financiar; c) lidhur me dokumentet e kërkuara lidhur me këto kërkesa. Mirëpo, duke i analizuar ankesat në rastin konkret, përfshirë edhe mendimet e ekspertëve shqyrtues, Paneli tërhoqi vëmendjen e tij lidhur me faktin se:

1.Sipas ankuesit “N.P.T. “Haxhijaha” SHPK, GOE të rekomanduar për kontratë, nuk ka saktësuar modelin e superstrukturës me të cilën ka ofertuar [pa nevojë për t’i përsëritur sërish nga ky aspekt pohimet ankimore] duke e atakuar posaçërisht Vendimin e Komunës në kontekstin e përputhshmërisë së katalogut, në vështrim të pikave 9.1 & 9.2 te FDT.

2.Po ashtu edhe ankuesi “Vibtis” në raportin e ekspertit shqyrtues përkitazi me këtë ankesë, pretendohet se kompanitë e rekomanduara për kontratë nuk i ka plotësuar kërkesat e DT duke theksuar se makineritë e ofruara i takojnë dy prodhuesve të ndryshëm, rrjedhimisht nuk është plotësuar kërkesa e kapacitetit teknik, duke theksuar më tej se kompanitë kanë dorëzuar katalog me të dhëna të pasakta që dallojnë nga të dhënat e prodhuesit.

Duke marrë parasysh këto gjetje, OSHP-ja e urdhëroi komunën që të bëjë rivlerësimin edhe një herë të këtij procesi.

Pronari i kompanisë fituese në gjykatë për falsifikim

Kompania D&T që është përzgjedhur si kompani fituese në tenderin rreth 1.5 milionë euro në Komunën e Prishtinës ka histori të pasur për dyshime për falsifikim. Bledar Kusari, drejtori i kësaj kompanie është i akuzuar për mashtrim në prokurim publik e falsifikim. Ministria e Shëndetësisë muajin e kaluar ka bërë kërkesë që të futet në listë të zezë për shkak se në konzorcium me një kompani tjetër kanë konstatuar se ka falsifikuar në tenderin për blerjen e autoambulancave.

Dy vite më parë ishte liruar nga një aktakuzë për shkak të parashkrimit dhe vdekjes juridike të një rasti.

Në tetor të 2023, ndaj të njëjtit ka filluar një proces ligjor. Ai akuzohet për falsifikim e mashtrim në prokurim publik në lidhje me kompaninë ‘’D&T”.

“I akuzuari Bledar Kusari ka shkelur Ligjin për Prokurimin Publik, ashtu që gjatë një ofertë për dhënien e kontratës së prokurimit publik ka paraqitur dokumente të rreme me qëllim të mashtrimit dhe ndikimit të autoritetit kontraktues, me çka ka kryer veprën penale: Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik nga neni 415 par.1 të KPRK-së. Në dispozitivin e tretë të kësaj akuze, i akuzuari Bledar Kusari përpilon dokumentin e falsifikuar në emër të biznesit ‘’Florida’’ SH.P.K, me qëllim të shfrytëzimit të atij dokumenti si origjinal për biznesin e tij ‘’D&T Group’’ SH.P.K, me qëllim të kompletimit të dokumentacionit për tenderim, me çka ka kryer veprën penale: Falsifikim i dokumentit nga neni 390 par.1 të KPRK-së”, thuhet në aktakuzë.

Në fundin e vitit 2023, Ministria e Shëndetësisë ka konstatuar që e njëjta kompani në konzorcium edhe me një kompani tjetër ka falsifikuar dokumentet për tenderin e blerjes së autoambulancave.

Kjo vërtetohet nga një shkresë e këtij institucioni dorëzuar në OSHP, ku kërkohet që kjo kompani të futet në listën e zezë.

Prokurimi bëri dallavere në tenderin e kontejnerëve, zvarriti procesin 7 muaj

Më 17 korrik, Zyra e Prokurimit e Komunës së Prishtinës, ka hapur tender për furnizim më kontejnerë. Vlera e paraparë ka qenë 400 mijë euro.

Me të shkarkuar dosjen e tenderit, kompanitë kanë vërejtur se komuna ka vendosur kritere që i përshtaten vetëm kompanive të caktuara. Pra, ka vendosur kritere diskriminuese ose favorizuese dhe menjëherë janë ankuar tek Zyra e Prokurimit. Kjo zyre më pas ka bërë disa korrigjime të dosjes, por nuk ka bërë përmirësim ashtu siç kanë qenë ankesat. Më pas kompanitë janë ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, me të njëjtat arsye, se aty janë vendosur kritere të kundërligjshme. OSHP e ka marrë në trajtim lëndën e tyre dhe e ka mbajtur për disa muaj. Më 26 tetor, Paneli i OSHP-së ka miratuar kërkesën e tyre, duke konsideruar se Autoriteti Kontraktues në kundërshtim me dispozitat ligjore ka hartuar specifikat e dosjes së tenderit, duke hartuar specifika të paqarta që kanë mundur të orientojnë drejt rrethanave diskriminuese/ favorizuese dhe kufizuese. Andaj e ka urdhëruar që të anulojë tërë procesin e prokurimit dhe të bëjnë korrigjimet e nevojshme në dosje, nëse është e interesuar që edhe më tutje të vazhdojë me këtë aktivitet të prokurimit.

Këtë vendim e zbatoi Komuna e Prishtinës dhe pasi humbi kohë disa muaj, në nëntor 2023 hapi tender të ri. Në muajin janar e ka shpallur fitues konzorciumin Horn & Co. Kosova SH.P.K.; Knettenbrech + Gurdulic Umwelt GmbH, në vlerë të ofertës 348,743.00. Mësohet se kontrata është nënshkruar dje. /Demokracia.com – Mentor Buzhala/

Të ngjashme