Lajme
DOKUMENT| Tenderi 12 milionësh i Përparim Ramës për “dostat”, OSHP shpërfill rekomandimet e ekspertit të saj
Demokracia
11:38 | 23 Maj 2023

Share:

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), e ka hedhur poshtë rekomandimin e ekspertit të saj për kthimin në rishqyrtim të tenderit 12 milionësh të Komunës së Prishtinës “Konsulencë për themelimin e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit ”, duke i dhënë kështu dritën jeshile komunës për vazhdimin e procedurave tenderuese.

Tenderi i Komunës së Prishtinës që kap vlerën 12 milionë euro ishte duke u shqyrtuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit. Eksperti i këtij institucioni kishte rekomanduar që i tërë tenderi të rikthehet në rishqyrtim, por OSHP nuk e ka përfillur ekspertizën e tij, duke lejuar që të zhvillohen procedura të reja për realizimin e tij.

“Hedhet si e palejuar ankesa e OE “Gjeokonsult&CO”, me nr. 2023/0161, e datës 24/03/2023, kurse vendimi i AK Kuvendi i Komunës së Prishtinës lidhur me aktivitetin e prokurimit Konsulencë për themelimin e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit për nevojat e Komunës së Prishtinës, me numër të prokurimit 616-22-7431-3-1-2, iniciuar nga AK-Kuvendi i Komunës së Prishtinës. 2. I Lejohet, autoritetit kontraktues – Komuna e Prishtinës që të vazhdoj më tutje, me procedurat e prokurimit lidhur me aktivitetin e prokurimit: “Konsulencë për themelimin e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit për nevojat e Komunës së Prishtinës” me numër të prokurimit: 616-22- 7431-3-1-2”, thuhet në vendimin e OSHP-së, përcjell Demokracia.com.

Ditë më parë, Demokracia.com raportoi se ekspertiza e ekspertit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) kishte thelluar edhe më shumë dyshimet për tenderin 12 milionësh të Përparim Ramës, duke treguar se eksperti i këtij institucioni kishte kërkuar që tenderi në fjalë të kthehej në rishqyrtim.

“Eksperti Shqyrtues, kërkon nga AK-ja që të kthej lëndën në Rishqyrtim dhe ti jap përgjigje pretendimeve ankimore, rrjedhimisht vlerësoj se ka shkelje procedurale te dispozitave te nenit 108/A, pasi që siç u theksua edhe më lartë AK-ja, nuk ka dhënë asnjë përgjigje në pretendimet ankimore të OE ankues. Duke u bazuar në sqarimet e lartpërmendura, eksperti shqyrtues i propozon panelit shqyrtues që ankesa e OE ankues të aprovohet si e bazuar, të anulohet Vendimi i AK për kualifikimin e Operatorëve Ekonomik dhe rekomandon që lënda të kthehet në rishqyrtim”, thuhej në ekspertizë.

E ky rekomandim i dhënë nga eksperti i “Gjykatës së Tenderëve”, duket se e kishte shqetësuar fort edhe vetë kryetarin e Prishtinës.

Demokracia.com ka raportuar dje nga burime brenda OSHP-së, se Rama kishte bërë edhe një lëvizje taktike, duke e takuar kryetaren e OSHP-së. Këto burime kanë thënë për Demokracia.com se Përparim Rama ka pasur një takim sekret me kryetaren e OSHP-së, Vjosa Gradinaj-Mexhuani, i cili as nuk është mohuar dhe as nuk është pohuar nga OSHP.

Demokracia.com kishte dërguar pyetje në OSHP lidhur me këtë takim, por edhe pas konfirmimit se i kishin pranuar pyetjet, ende nuk kanë kthyer asnjë përgjigje.

Gjatë muajit mars të këtij viti, Komuna e Prishtinës kishte publikuar rezultatet e pjesës teknike, ku ishin vlerësuar tre (3) operatorë ekonomikë me pikë, të cilët pastaj do të merrnin pjesë në hapjen e ofertave financiare që planifikohej të bëhej më datën 17 mars.

Në publikimin e Komunës së Prishtinës thuhej se “Operatori ekonomik, Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit” ishte vlerësuar me 92.40 pikë. Kurse, “Grupi i Operatorëve “Gjeokonsult & Instant AI” është vlerësuar me 75.40 pikë dhe “operatorët F dhe M, Kutia, Seed Consulting” me 66.00 pikë.

E këtu janë ngritur edhe shumë dyshime për favorizime të bëra nga Komuna e Prishtinës ndaj operatorit “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit”, që edhe për çudi e ka emrin siç quhet edhe vetë tenderi i shpallur nga Komuna e Prishtinës.

Person përgjegjës për operatorin ekonomik të shpallur fitues figuron Astrit Nixha, i cili njihet si arkitekt në disa projekte, por edhe si përfitues i shumë tenderëve. Po ashtu, Nixha dhe grupi i arkitektëve të përfshirë në këtë grup njihen edhe për afërsinë e tyre me vetë Përparim Ramën.

Në emër të Nixhes janë tri kompani të tjera, por jo edhe kjo që është rekomanduar për fitim të tenderit nga Komuna e Prishtinës. /Demokracia.com/ 

Vendimi i plotë i OSHP-së:

Skandali 12 milionësh i Përparim Ramës: “Takimi sekret” me kryetaren e OSHP-së dhe favorizimi i “miqve” në tenderin e madh

 

DOKUMENT| “Arkitekti i Kryeqytetit”, ekspertiza e OSHP-së thellon dyshimet për tenderin 12 milionësh të Përparim Ramës

Të ngjashme