Lajme
DOKUMENT| “Arkitekti i Kryeqytetit”, ekspertiza e OSHP-së thellon dyshimet për tenderin 12 milionësh të Përparim Ramës
Demokracia
13:22 | 18 Maj 2023

Share:

Tenderi për themelimin e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit, i shpallur verën e vitit e kaluar nga Komuna e Prishtinës, ende nuk ka marrë rrugë për realizim. Ky tender që kap vlerën e 12 milionë eurove është në duart e Gjykatës së Tenderëve, ku po shqyrtohen edhe ankesat e kompanive konkurruese. Ditë më parë është publikuar një raport nga ekspertët, ku kërkohet që tenderi të kthehet në rishqyrtim. Për tenderin 12 milionësh janë hedhur akuza e dyshime nga opozita dhe organizata të ndryshme.

Mbi 15 mijë euro për një ditë pune në tre vjet radhazi, Komuna e Prishtinës ka paraparë ta paguajë një kompani për konsulta për themelimin e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit.

Në fakt, Komuna e Prishtinës në korrik të vitit të kaluar kishte shpallur njoftimin për kontratën për themelimin e “Arkitektit të Kryeqytetit”, në vlerë të parashikuar të kontratës prej 12 milionë euro, i cili ishte kategorizuar si aktivitet i prokurimit me dy faza, shkruan Demokracia.com.

Atë kohë, por as tani, komuna nuk ka treguar pse është e nevojshme një kontratë e tillë për konsulta, kur ekziston Drejtoria e Urbanizmit dhe Drejtoria e Planifikimit Strategjik, e cila, ndër të tjera, është përgjegjëse për planifikimin e zhvillimit hapësinor dhe urbanistik, si dhe hartimin e planeve zhvillimore dhe rregulluese urbane.

Kurse, opozita kishte thënë se si Kuvend nuk janë konsultuar dhe as nuk kanë shqyrtuar e diskutuar një projekt të tillë.

Po ashtu, ishte kërkuar që projekti në fjalë nuk duhej të vazhdonte dhe ai nuk ishte i paraparë as në buxhetin e vitit 2022. Sipas tyre, ekzekutivi duhet të ketë vlerësim dhe besim më të madh në punëtorët e Komunës së Prishtinës.

Në njoftimin e shpallur për kontratë që është publikuar, i vetmi përshkrim i punës që do të bëhet për 12 milionë euro është “Konsulencë për themelimin e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit për nevojat e Komunës së Prishtinës sipas përshkrimit teknik”.

Tenderi 12 milionësh në Gjykatën e Tenderëve

E tash kur kanë kaluar shumë muaj e gati po bëhet një vit kur ka nis procesi i këtij tenderi, ende nuk ka asgjë konkrete për realizmin e tij.

Aktualisht, tenderi i Komunës së Prishtinës që kap vlerën 12 milionë euro ka përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, i njohur ndryshe edhe si Gjykata e Tenderëve.

Me 9 mars të këtij viti, Komuna e Prishtinës kishte publikuar rezultatet e pjesës teknike, ku ishin vlerësuar tre (3) operatorë ekonomikë me pikë, të cilët pastaj do të merrnin pjesë në hapjen e ofertave financiare që planifikohej të bëhej me datën 17 mars.

Në lidhje me këtë vendim kishte pasur ankesë nga grupi i operatorëve ekonomikë “Gjeokonsult & Instant AI”, por e cila ishte refuzuar nga Komuna e Prishtinës me arsyetimin se e njëjta ishte paraqitur tre (3) muaj e gjysmë pas përfundimit të fazës së parë.

Të pakënaqur me këtë vendim, GOE “Gjekonsult & Instant AL” kishin deponuar ankesë në Gjykatën e Tenderëve, me pretendimin se kishte pasur shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik, konkretisht që operatorët ekonomikë, të cilët janë vlerësuar me pikët maksimale, në pjesën teknike nuk kishin plotësuar kërkesat teknike e profesionale dhe se të njëjtit kishin ofruar dokumente me “informata të rreme”, me qëllim të përfitimit.

Operatori ekonomik “GJEOKONSULT&CO & INSTANT .AL” përmes ankesës së dorëzuar tek OSHP kishte kërkuar që të kthehet në rivlerësim aktiviteti i prokurimit, duke marrë në konsideratë argumentet dhe problematikat e trajtuara në ankesën e tyre.

Eksperti Shqyrtues: Tenderi duhet të kthehet në rishqyrtim

Ankesë e tyre duket se është marrë parasysh, pasi këto ditë eksperti i OSHP-së ka vlerësuar se tenderi duhet të kthehet në rishqyrtim.

“Eksperti Shqyrtues, kërkon nga AK-ja që të kthej lëndën në Rishqyrtim dhe ti jap përgjigje pretendimeve ankimore, rrjedhimisht vlerësoj se ka shkelje procedurale te dispozitave te nenit 108/A, pasi qe siç u theksua edhe me larte AK-ja, nuk ka dhënë asnjë përgjigje ne pretendimet ankimore të OE ankues. Duke u bazuar në sqarimet e lartpërmendura, eksperti shqyrtues i propozon panelit shqyrtues që ankesa e OE ankues të aprovohet si e bazuar, të anulohet Vendimi i AK për kualifikimin e Operatorëve Ekonomik dhe rekomandon që lënda të kthehet në rishqyrtim”, thuhet në ekspertizë, përcjell Demokracia.com.

Eksperti shqyrtues në raportin e dorëzuar me datën 13.04.2023 kishte treguar se kjo ankesë duhet të shqyrtohej nga OSHP.

“Eksperti Shqyrtues, duke u mbështetur në përgjigjen e KRPP-së, konsideron se kjo ankesë duhet të trajtohet nga OSHP-ja, mirëpo në vendimin e kërkesës për rishqyrtim, AK e refuzon në këtë fazë ankesën e parashtruesit me arsyetimin se: “… në këtë fazë është e pa lejuar në kuptim të nenit 62.1 paragrafi b e Rregullores për Prokurim Publik nr.001/2022”. Pra, nuk i është përgjigjur në asnjë pretendim ankimore të paraparë sipas dispozitave të nenit 108/A. Andaj, mbështetur në interpretimin e KRPP-së, që OE kanë të drejtë të ankohen në çdo fazë, si dhe duke u mbështetur në Nenin 108/A paragrafi 12 ku specifikohet se: “Kundërshtimet dhe vendimet e miratuara në përputhje me paragrafët 8 dhe 10 të këtij neni, duhet të jenë të arsyetuara dhe ti komunikohen me shkrim, në përputhje me këtë ligj, parashtruesit të ankesës dhe të gjitha palëve të interesuara, nëse ka ndonjë”, thuhet në arsyetim.

Dyshime e akuza ndaj Komunës së Prishtinës

Lëvizja Vetëvendosje gjatë vitit të kaluar pati hedhur dyshime për tenderin 12 milionësh të Përparim Ramës.

Asamblistë të VV-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës kishin thënë se kjo kontratë është e dyshimtë, pasi është fushë e njëjtë profesionale me atë të kryetarit Rama.

Asamblistja Triera Kasumi Berisha, në një konferencë për media, kishte thënë se kryeqyteti ka një listë të gjatë problemesh kronike, por sipas saj po jepej një tender milionësh që është sa 13 për qind e buxhetit vjetor të komunës.

“Banorët e këtij qyteti, i cili karakterizohet me më së shumti qenë endacakë në rajon, qyteti i cili është mbuluar me mbeturina, ka mungesë të ujit të pijshëm në disa lagje e fshatra, mungesë të ndriçimit publik, mungesë të rrugëve e cilësi të dobët të asfaltit, uzurpim të hapësirave publike e një listë të gjatë me probleme kronike, më emergjente e kanë themelimin e një shërbimi të arkitekti të kryeqytetit, i cili Prishtinës i kushton sa 13 për qind e buxhetit të përgjithshëm vjetor”, ishte shprehur asamblistja Kasumi-Berisha.

Ky tender, sipas saj, në fushatë është përmendur sipërfaqësisht, ndërsa në Kuvend Komunal nuk është diskutuar fare.

E me këtë ishte marrë madje edhe shefi i kabinetit të kryetarit të Kuvendit, Ilir Kërçeli, përmes një postimi në rrjetin social, Facebook. Ai kishte ironizuar me kryetitullin: Prishtina e përjetimeve!, që në fakt ishte një prej slloganeve të Përparim Ramës në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar.

“Prishtina e përjetimeve! 12 milionë euro per konsulencë me pritu me i shkru zerot se le ma me mendu që vetëm për konsulencë. A e kane lluksin qytetarët e Prishtinës që 4-5 % buxhetit të Komunes me dërgu në konsulencë? Konsulencë për çka? Për me kriju një shërbim brenda komunës, konsulence se qysh me u kriju ai shërbim, i bie qe as mu kriju me këto mjete jo…”, kishte shkruar ai, ndër të tjera.

Çka është Arkitekti i Kryeqytetit?

Në dosjen e tenderit thuhet se qëllimi i këtij projekti është krijimi i hartës unike të planifikimit të kryeqytetit, krijimi i bazave te shënimeve, krijimi i bazës së sistemit gjeografik të informacionit, krijimi i rregulloreve dhe manualeve të nevojshme për funksionimin e pakove programore për përcjelljen e lejeve, ndërtimeve, mirëmbajtjeve, tatimit dhe shërbimeve komunale dhe krijimi i sistemit interaktiv online të komunikimit me qytetarët.

Krahas kësaj, në këtë dokumentacion është përshkruar edhe gjendja aktuale në kryeqytet.

Sipas tyre, ka elemente të trashëguara të planifikimit të cilat janë në zbatim e sipër, një pjesë e tyre vetëm në fazën e planifikimit, komunikacioni i stërngarkuar, objekte të shumta të ndërtuara pa zbatim të plotë të rregullatives përkatëse, shumë të tilla me tejkalime si në sipërfaqe, poashtu edhe në etazhitet, tejkalime në vijat rregulluese dhe ndërtimore, dhe mangësi në trajtimin adekuat në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë së jetës dhe shëndetit.

“Janë të evidentuara, por jo edhe të sistemuara shkeljet në ndërtim dhe tejkalimet në shumë raste, por të njëjtat nuk janë të sistemuara dhe nuk ka regjistra unik dhe nuk ka prezantime përkatëse dixhitale apo analoge. Kjo vështirëson monitorimin e gjendjes, planifikimin dhe zbatimin e strategjisë së re zhvillimore interaktive të kryeqytetit”, thuhet në dosje, përcjell Demokracia.com.

Në këtë aspekt është përmendur siguria e këmbësorëve, e cila është përshkruar të jetë problematike për shkak të “planifikimit të gabuar apo mosplanifikimit të zonave të sigurta, sinjalizimit të dobët nëpër rrugët e kryeqytetit dhe moszbatimit të plotë të planifikimit ekzistues”.

Gjithashtu, sipas tyre, shërbimi për qytetarin, posaçërisht në lëminë e zbatimit të Planeve Rregulluese, nëpëmjet portalit online nuk është mjaftueshëm i promovuar.

“Planet rregulluese janë të gjitha të prezantuara me standarde të ndryshme dhe të njëjta nuk janë të paraqitura së bashku, kështu që planifikimi është kryer parcialisht, me pak përshtatje në zonat përreth. Shërbimi për qytetarin, posaçërisht në lëmin e zbatimit të Planeve rregulluese, nëpëmjet portalit online nuk është mjaftueshëm i promovuar dhe i mungon ndërlidhja mes drejtorive përkatëse (Urbanizëm, Kadastër, Inspekcion, Plnifikim strategjik…) dhe shërbimeve përkatëse komunale dhe Shërbimeve. Portali qëndron ende në versionin provues “Beta””, thuhet tutje.

Sipas tyre, edhe shërbimet aktuale të portalit kërkojnë një rifreskim dhe një ripërtritje, përshtatje me trendet aktuale dhe me sasinë gjithnjë e më të madhe të shënimeve të përfshira dhe atyre që do të përfshihen.

Si rrjedhojë, me të gjitha problematikat që i kanë përmendur që ekzistojnë në kryeqytet në këtë drejtim, përmes këtij projekti 12 milionësh pritshmëritë në përfundim të konsulencës janë:– Arritja e objektivit të parashtruar të funksionalizimit të përcjelljes së të gjitha ndërtimeve online, deri te certifikimi final i tyre.

Mundësia e përcjelljes se afateve të shërbimit, mirëmbajtjes dhe sigurisë së pajimeve relevante të objekteve komunale.-Trajnimi i personelit për shfrytëzimit të veglave programore bashkëkohore, përfshi edhe menaxhimin e informatave të ndërtimit  [BIM – Building Information Management]-Përpilimi i Manualeve te përgatitjes së dokumentacionit për lejet e ndërtimit-Formimi dhe menaxhimi i bazes unike të shënimeve lidhur me ndërtimet, relacionet pronësore, infrastrukturës dhe në veçanti objekteve nën menaxhim direkt, me theks në menaxhimin e mirëmbajtjes së objekteve të Komunës: shkollave, ambulancave etj. në kohë reale.-Formimi i bazës së shënimeve të kostove mesatare të ndërtimit, meremetimit, mirëmbajtjes, rindërtimit të nevojshëm për vlerësime, për nevoja të prokurimit dhe për planet strategjike të Kryeqytetit-Formimi i Hartës Unike të Kryeqytetit, shumështresore, për nevoja të planifikimit, zhvillimit dhe strategjisë së Kryeqytetit, për veprim të shërbimeve të mbrojtjes dhe sigurisë, shpëtimit; për shërbimet komunale. /Demokracia.com/

Të ngjashme