Lajme
Skandali 12 milionësh i Përparim Ramës: “Takimi sekret” me kryetaren e OSHP-së dhe favorizimi i “miqve” në tenderin e madh
Demokracia
10:24 | 22 Maj 2023

Share:

Për tenderin “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit”, i shpallur verën e vitit të kaluar nga Komuna e Prishtinës, veç janë rritur e trashur dyshimet për dallavere e manipulime. Për tenderin 12 milionësh, Përparim Rama po përflitet se ka zhvilluar edhe një takim sekret me kryetaren e “Gjykatës së Tenderëve”, Vjosa Gradinaj-Mexhuani.

Me dyshime kishte nisur e me dyshime është duke vazhduar.

Në fakt, për tenderin “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit”, i shpallur verën e vitit të kaluar nga Komuna e Prishtinës, ditëve të fundit veç janë rritur e trashur dyshimet për dallavere e manipulime.

Ditë më parë, Demokracia.com raportoi se ekspertiza e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) ka thelluar edhe më shumë dyshimet për tenderin 12 milionësh të Përparim Ramës, duke treguar se eksperti i këtij institucioni ka kërkuar që tenderi në fjalë të kthehet në rishqyrtim.

“Eksperti Shqyrtues, kërkon nga AK-ja që të kthej lëndën në Rishqyrtim dhe ti jap përgjigje pretendimeve ankimore, rrjedhimisht vlerësoj se ka shkelje procedurale te dispozitave te nenit 108/A, pasi që siç u theksua edhe më lartë AK-ja, nuk ka dhënë asnjë përgjigje në pretendimet ankimore të OE ankues. Duke u bazuar në sqarimet e lartpërmendura, eksperti shqyrtues i propozon panelit shqyrtues që ankesa e OE ankues të aprovohet si e bazuar, të anulohet Vendimi i AK për kualifikimin e Operatorëve Ekonomik dhe rekomandon që lënda të kthehet në rishqyrtim”, thuhet në ekspertizë, përcjell Demokracia.com.

DOKUMENT| “Arkitekti i Kryeqytetit”, ekspertiza e OSHP-së thellon dyshimet për tenderin 12 milionësh të Përparim Ramës – Demokracia

Por, duket se ky rekomandim i dhënë nga eksperti i “Gjykatës së Tenderëve”, ka shqetësuar fort kryetarin e Prishtinës, i cili nga burime brenda OSHP-së thuhet se kishte bërë edhe një lëvizje taktike, duke e takuar kryetaren e OSHP-së. Këto burime kanë thënë për Demokracia.com se Përparim Rama ka pasur një takim sekret me kryetaren e OSHP-së, Vjosa Gradinaj-Mexhuani, i cili as nuk është mohuar dhe as nuk është pohuar nga OSHP.

Demokracia.com ka dërguar pyetje në OSHP lidhur me këtë takim, por edhe pas konfirmimit se i kanë pranuar pyetjet, ende nuk kanë kthyer asnjë përgjigje.

Tashmë dihet se aktualisht, tenderi i Komunës së Prishtinës që kap vlerën 12 milionë euro, është në duart e Organit Shqyrtues të Prokurimit. Ende nuk është dhënë ndonjë vendim final, përveç rekomandimit të ekspertit shqyrtues që rekomandon rishqyrtim.

Gjatë muajit mars të këtij viti, Komuna e Prishtinës kishte publikuar rezultatet e pjesës teknike, ku ishin vlerësuar tre (3) operatorë ekonomikë me pikë, të cilët pastaj do të merrnin pjesë në hapjen e ofertave financiare që planifikohej të bëhej më datën 17 mars.

Në publikimin e Komunës së Prishtinës thuhej se “Operatori ekonomik, Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit” ishte vlerësuar me 92.40 pikë. Kurse, “Grupi i Operatorëve “Gjeokonsult & Instant AI” është vlerësuar me 75.40 pikë dhe “operatorët F dhe M, Kutia, Seed Consulting” me 66.00 pikë.

E këtu janë ngritur edhe shumë dyshime për favorizime të bëra nga Komuna e Prishtinës ndaj operatorit “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit”, që edhe për çudi e ka emrin siç quhet edhe vetë tenderi i shpallur nga Komuna e Prishtinës.

Person përgjegjës për operatorin ekonomik të shpallur fitues figuron Astrit Nixha, i cili njihet si arkitekt në disa projekte, por edhe si përfitues i shumë tenderëve. Po ashtu, Nixha dhe grupi i arkitektëve të përfshirë në këtë grup njihen edhe për afërsinë me vetë Përparim Ramën.

Në emër të Nixhes janë tri kompani të tjera, por jo edhe kjo që është rekomanduar për fitim të tenderit nga Komuna e Prishtinës.

 

Një dyshim të fortë për manipulime me këtë tender e ka ngritur edhe faqja “Arkitektura Kosovare”.

Siç shkruhet në këtë faqe, tenderi 12 milionësh është afera më e madhe korruptive.

“Afera më e madhe korruptive me dokumente të falsifikuara dhe mashtrim prej 12.000.000 Euro (12 Milion) e orkestruar nga Banda e madhe kriminale e njohur ndërkombëtarishtë si falsifikatorë, mashtrues dhe gënjeshtarë në krye me Astrit Nixhën dhe në bashkëpunim me Bandën kriminale të Komunës së Prishtinës ka hasur në një pengesë. Eksperti i OSHP-së i ka konfirmuar falsifikimet, mashtrimet dhe dallaveret e Komunës kriminale se nuk mund të shqyrtohet ankesa dhe ka rekomanduar të bëhet rivlerësimi dhe banda kriminale të hetohet”, thuhet në postimin e kësaj faqeje.

E për vendimin e komunës dhe listën me tre operatorë kishte pasur ankesë nga grupi i operatorëve ekonomikë “Gjeokonsult & Instant AI”.

Të pakënaqur me këtë vendim, GOE “Gjekonsult & Instant AL” kanë deponuar ankesë në Gjykatën e Tenderëve, me pretendimin se kishte pasur shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik, konkretisht që operatorët ekonomikë, të cilët janë vlerësuar me pikët maksimale, në pjesën teknike nuk kishin plotësuar kërkesat teknike e profesionale dhe se të njëjtit kishin ofruar dokumente me “informata të rreme”, me qëllim të përfitimit.

Në ankesën e tyre thuhet se “Pika e parë e cila duhet të përmendet është se ne date 30.11.2022 – Njoftim mbi vendimin e AK për listën e ngushte Emri i Kandidatit te pare te përfshirë në këtë liste rezulton te jete Grupi i Operatoreve Ekonomik Sherbimi i Arkitektit te Kryeqytetit duke mos dhene asnje informacion e duke fshehur ne kete menyre identitetin e operatoreve ekonomik te perfshire ne kete grup, gje e cila eshte ne kundershtim me Nenin 10 te LPP. Neni 10 eshte shkelur edhe gjate realizimit te qasjes ne  dokumentacion zyrtare me date 13.03.2023. Ne kerkesen tone per qasje ne dokumentacion zyrtar eshte  kerkuar po citoj: raportin e vleresimit te komisionit dhe propozimin teknik te GOE te poentuar me lart (bashkelidhur kerkesa per qasje ne dokumente me dokumentet e listuara). Asnje nga keto dokumenta nuk i kemi marr dhe kjo ka veshtiresuar vlersimin e plote mbi shkeljet qe Komisioni i Vleresimit ka bere gjate egzaminit dhe vleresmit te materialit ofertues. Pra, edhe pse ne jemi pale me interes ne kete  aktivitet prokurimi, ne kete rast transaprenca nuk eshte respektuar fare”, thuhet në ankesën e konsorciumit të dytë më të poentuar, përkatësisht në ankesën e grupit të operatorëve ekonomikë “Gjeokonsult & Instant AI”.

Tutje në këtë ankesë thuhet se “Ne date 09.03.2023 jemi njoftuar me ane te sistemit te e-prokurimit me dokumentin Raporti i Hapjes se ky GOE perbehej nga Operatori ekonomik Ardi CC L.L.C i themeluar ne vitin 2008 dhe ANARCH SH.P.K i themeluar ne 2018 sipas te dhenave te marra nga ARBK, po ashtu asnje nga Operatoret ekonomik te GOE Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit nuk ka te perfshire ne aktivitetin e biznesit te deklaruar ne ARBK “Aktivitete te Zhvillimit dhe Programimit Softverik”, duke qene ne kundershtim me NENIN 66 te LPP”.

Mbi 15 mijë euro për një ditë pune në tre vjet radhazi, Komuna e Prishtinës ka paraparë ta paguajë një kompani për konsulta për themelimin e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit.

Në fakt, Komuna e Prishtinës në korrik të vitit të kaluar kishte shpallur njoftimin për kontratën për themelimin e “Arkitektit të Kryeqytetit”, në vlerë të parashikuar të kontratës prej 12 milionë euro, i cili ishte kategorizuar si aktivitet i prokurimit me dy faza.

Atë kohë, por as tani, komuna nuk ka treguar pse është e nevojshme një kontratë e tillë për konsulta, kur ekziston Drejtoria e Urbanizmit dhe Drejtoria e Planifikimit Strategjik, e cila, ndër të tjera, është përgjegjëse për planifikimin e zhvillimit hapësinor dhe urbanistik, si dhe hartimin e planeve zhvillimore dhe rregulluese urbane.

Kurse, opozita kishte thënë se si Kuvend nuk janë konsultuar dhe as nuk kanë shqyrtuar e diskutuar një projekt të tillë.

Po ashtu, ishte kërkuar që projekti në fjalë të mos vazhdonte dhe ai nuk ishte i paraparë as në buxhetin e vitit 2022. Sipas tyre, ekzekutivi duhet të ketë vlerësim dhe besim më të madh në punëtorët e Komunës së Prishtinës.

Në njoftimin e shpallur për kontratë që është publikuar, i vetmi përshkrim i punës që do të bëhet për 12 milionë euro është “Konsulencë për themelimin e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit për nevojat e Komunës së Prishtinës sipas përshkrimit teknik”./Demokracia.com/

Të ngjashme