Lajme
DOKUMENT | Si ishte takuar ambasadori Kapiti me agjentët e patundshmërive para blerjes së vilës 7.4 milionëshe në Londër
Demokracia
17:04 | 11 Prill 2023

Share:

Kosova ka blerë një vilë luksoze në mes të Londrës në vlerë 6.5 milionë funte (7.4 milionë euro), për ta zhvendosur ambasadën e saj në të.

Siç bën të ditur e përditshmja britanike, The Telegraph, vila që ka rreth 530 m2 hapësirë, deri tash i përkiste komedianit të njohur, Spike Milligan.

Por blerja e vilës është bërë krejt fshehurazi.

Demokracia.com në mars të vitit të kaluar ishte interesuar për këtë çështje, por nga ministria që drejtohet nga Donika Gërvalla nuk kishin kthyer ndonjë përgjigje.

Më 10 mars 2022, ministrja Gërvalla kishte marrë vendim për themelimin e Komisionit për Blerjen e objekteve të ambasadave në SHBA dhe në Mbretërinë e Bashkuar.

Ndërkohë, në një raport të punës së MPJD-së të cilin Demokracia.com e kishte publikuar vitin e kaluar, kishte raportuar se me çështjen e blerjes së ambasadës në Londër po merrej vetë ambasadori Ilir Kapiti.

Sipas këtij raporti të publikuar nga Demokracia.com, ambasadori Kapiti më datën 9 mars 2022 kishte takuar disa agjentë të patundshmërive.

“Më 9 mars Ambasadori Kapiti priti në takim dy agjentë të pasurive të paluajtshme, të cilët ofruan informata rreth situatës aktuale në tregun londinez të patundshmërive”, thuhej në raportin që e posedon Demokracia.com.

Edhe mediumi anglez e ka konfirmuar raportimin e Demokracia.com se “pazarin” për blerjen e rezidencës e ka bërë ambasadori i Kosovës në Britani, Ilir Kapiti ndërkaq marrëveshja e shitjblerjes është ndërmjetësuar nga agjencia “Beauchamp Estates”.

Nga rruga “John Street” në Holbron ku tani ndodhet ambasada e Kosovës në Londër, do të zhvendoset në vilën që gjendet fare pranë një prej parqeve më të mëdha të Londrës, i njohur si Hyde Park.

Sipas mediumit britanik, stafi kosovar i ambasadës do të hyjë në objekt pasi që punët e renovimeve të jenë përfunduar.

Kjo vilë është ndërtuar në vitin 1890, dhe raportohet se ka dhoma të mëdha në përdhesë dhe katin e parë. Po ashtu ka tavane të larta dhe dritare të gjata dhe është e vendosur në një prej rajoneve më të favorshme që kërkohen për ambasada.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka planifikuar edhe blerjen e një objekti për Ambasadën e Kosovës në Uashington. /Demokracia.com/

Të ngjashme