Lajme
DOKUMENT | Shteti posedon rreth 40 pika të karburanteve, rreth gjysma e tyre i janë dhënë me qira një biznesi
Demokracia
15:28 | 20 Nëntor 2023

Share:

Tregtia më naftën është një prej bizneseve më fitimprurëse në Kosovë. Buxhetin e shtetit vazhdon ta mbushë kjo industri më afro 700 milionë euro të hyra vjetore, të paguar në emër të të gjitha tatimeve, shkruan Demokracia.com.

Gati si askund tjetër në Evropë, rrugët e Kosovës janë të mbushura plot më pika të karburanteve, më rreth 900 anekënd vendit.

Këso asetesh ka në posedim edhe shteti. Janë rreth 40 pika të karburanteve që janë asete të Ndërmarrjeve “INA Trgovina” dhe “Jugopetrol”, të cilat evidentohen në bazën e të dhënave të AKP-së dhe administrohen nga kjo agjenci.

Të dhënat e qirave të aseteve të AKP-së të dërguara për Demokracia.com tregojnë se bizneset që kanë marrë me qiera pompat e shtetit paguajnë një shumë mujore mbi 130 mijë euro.

Qiratë për to sillen nga 250 euro deri në rreth 6000 mijë euro, varësisht vendit se ku u ndodhën. Të gjitha janë të lëshuara me qiradhënie nëpërmjet procedurave të konkurrencës, por vërehet se njëra nga pikat e derivateve e bënë dallimin e madh për pikat e karburanteve që ka marrë në shfrytëzim. Bëhet fjalë për kompaninë “IP KOS” SH.P.K.

Ndërmarrja shoqërore “INA-TRGOVINA ZAGREB”, ka 21 pika të pompave dhe një depo. Ato gjenden në Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Mitrovicë të Jugut, Leposaviq, Zubin Potok, etj. Shumica e pompave janë të përcjella edhe me objektet e tjera. Nga to, 11 i janë lëshuar “IP KOS”, shkruan Demokracia.com.

Ndërmarrja “Jugopetrol” ka 20 pika të derivateve të naftës dhe një depo. Veçmas në Prishtinë ka 4 pika. Edhe këtu pika më së shumti ka “IP KOS” SH.P.K, gjithsej 8 sosh.

Në shumicën e pikave të shitjes së karburanteve në Kosovë, çmimi për një litër naftë sillet nga 1.38 euro deri në 1.55 euro.

Çmimet ndryshojnë varësisht nga pikat e shitjes, lokacioni apo edhe qyteti.

Për të gjitha kompanitë, marzha e fitimit me pakicë është 12 centë në litër, kurse me shumicë 2 centë.

Përcaktimi i fitimit është bërë në bazë të një vendimi të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) të datës 28 korrik. /Demokracia.com/

 

DOKUMENT | Shteti i çel letrat, tregon ku do ta ruajë naftën e rezervave shtetërore

Të ngjashme