Lajme
DOKUMENT | Shteti i çel letrat, tregon ku do ta ruajë naftën e rezervave shtetërore
Demokracia
19:13 | 16 Nëntor 2023

Share:

Ruajtja e rezervave shtetërore të Kosovës deri më tani është konsideruar si ”Top Sekret”. Por, autoritetet shtetërore aksidentalisht janë hapur pak, duke treguar kështu vendndodhjen ku do të ruhet nafta e blerë për rezervat shtetërore, shkruan Demokracia.com.

Nafta e blerë nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për rezervat shtetërore, do të ruhet në njërën prej depove të derivateve të naftës së Ndërmarrjes Shoqërore INA-TROGOVINA ZAGREB, asetet e të cilës janë të lëshuara me qira nga AKP-ja. Lista e aseteve të lëshuara me qira nga ky institucion i është ofruar Demokracia.com përmes kërkesës për qasje në dokumente publike.

Aty shihet edhe vendndodhja e depos së marrë me qira nga MINT-i për ruajtjen e derivateve të naftës si rezervë shtetërore.

Kjo është bërë e ditur në një raport të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), që objekti (vend i njohur për redaksinë) është marrë me qira vjetore nga MINT dhe kushton 20 mijë euro.

Në raport shihet se janë rreth 20 pompa të INA-TROGOVINA ZAGREB, të cilat janë nën autoritetin e AKP-së të lëshuara me qira për disa biznese. Të gjitha janë të lëshuara me qira nëpërmjet procedurave konkurruese, pos kësaj të MINT-it, e cila është dhënë me negocim direkt, shkruan Demokracia.com.

 

(Dokumenti i AKP-së: Ndonëse aty shihet vendndodhja se ku është depoja, pasi që nuk kanë ditur ta ruajnë sekretin shtetëror, Demokracia.com ka vendosur të mos e bëjë publike atë pjesë).

Deri më tani, siç ka mësuar Demokracia.com, nafta është ruajtur në depot e një operatori privat të derivateve të naftës.

Qeveria e Kosovës sot ka marrë vendim që të “Ndryshohet dhe plotësohet Programi vjetor 2023 për Rezervat Shtetërore të Mallrave”. Në vendim nuk është bërë më shumë e ditur se kaq.

Nga ana tjetër, Prokuroria Speciale ka filluar ta trajtojë rastin e rezervave shtetërore, ku pretendohet për keqpërdorime nga ana e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përfshirë edhe vetë ministren Rozeta Hajdari dhe një zyrtar të lartë të institucionit kryesor të sigurisë në vend.

Pas hapjes së hetimeve nga Prokuroria, deputetët kanë kërkuar edhe hetim parlamentar për këtë çështje.

Sot për herë të shtatë ka dështuar të bëhet konstituimi i Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla. Dështimi i shtatë me radhë po ndodh për shkak se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, duke mos dashur që të hetohet ky skandal i Qeverisë Kurti, nuk po marrin pjesë në mbledhjen e ftuar për konstituimin e Komisioni Hetimor për të pamundësuar krijimin e tij. /Demokracia.com/ (M.B.)

Të ngjashme