Lajme
DOKUMENT| Përparim Rama bën gati mbi 1 milion euro për vendosjen e kamerave për identifikimin e targave të automjeteve
Demokracia
13:04 | 17 Gusht 2023

Share:

Së shpejti do të bëhet identifikim i targave të automjeteve përmes kamerave në kryeqytet. Kjo pasi Komuna e Prishtinës tashmë ka hapur tender për vendosjen e kamerave nëpër qytet. 

Komuna e Prishtinës e cila udhëhiqet nga Përparim Rama i LDK-së ka ndarë mbi 1 milion euro për vendosjen e këtyre kamerave, shkruan Demokracia.com.

Krejt kjo po bëhet për të ofruar siguri në komunikacion përmes pajisjeve të inteligjencës artificiale.

Përmes këtyre kamerave do të bëhet identifikimi i targave të automjeteve si dhe identifikimi i fytyrës.

Siç bëhet e ditur në dosjen e tenderit të publikuar në KRPP sistemi i dizajnuar i video-vëzhgimit (VSS) do të definoj një nivel të ri të sigurisë së komunikacionit në qytetin e Prishtinës duke përdorur pajisje të avancuara të inteligjencës artificiale (AI) të inkorporuar brenda softuerit për video-vëzhgim që përdoret me lehtësi si dhe pajisjes për identifikimin automatik të targave (ANPR) për ambientet me dendësi të madhe të popullsisë.

“Duke implementuar këtë projekt, klienti ka për qëllim që të parandaloj aktet kriminale dhe dhunën në fushën e sigurisë në trafik si dhe kriminalitetin në përgjithësi”, thuhet në dosjen e tenderit.

Po ashtu, përmes këtyre kamerave të sigurisë do të bëhet zbulimi i incidenteve duke përdorur pajisjen “AI të integruar brenda Sistemit për Video Vëzhgim. Pajisja AI duhet të përdoret për kontrollimin e zonave të ndjeshme dhe monitorimin e rrjetit të rrugëve, bazuar në procesimin dhe analizimin e imazheve ‘live’ dhe atyre të regjistruara të huazuara nga video-kamerat standarde, duke mundësuar zbulimin e ngjarjeve potencialisht të rrezikshme për sigurinë”.

Për të monitoruar trafikun dhe për të reaguar me kohë në rast të incidenteve Qendra për Video-Monitorim duhet të përmbajë një stacion VSS Client me monitorë 4x 27” dhe një ‘single Video Wall’ me monitorë 4x 55”.

Për këtë kontratë Komuna e Prishtinës ka paraparë të shpenzojë 1,350,000 euro nga buxheti i shteti. /Demokracia.com/ 

Të ngjashme