Lajme
DOKUMENT | Në këto katër shtete vendosi Qeveria t’i blejë objektet për ambasada
Demokracia
21:27 | 13 Mars 2024

Share:

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për blerjen e objekteve të ambasadave të Republikës së Kosovës në Francë, Itali, Turqi e Kanada. 

Ky vendim është marrë në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, shkruan Demokracia.com.

“Aprovohet propozimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për fillimin e procedurave për blerjen e objekteve për nevoja të ambasadave të Republikës së Kosovës në: Paris\ Republika e Francës; Romë\ Republika e Italisë; Otavë\ Kanada dhe Ankara Republika e Turqisë”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Qeveria e Kosovës ka obliguar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe institucionet e tjera përgjegjëse për zbatimin e këtij vendimi.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka blerë vitin e kaluar edhe një ndërtesë për Ambasadën e Kosovës në Uashington.

Lajmi për objektin e ri u bë i ditur nga MPJD-ja në faqen zyrtare në Facebook.

“Jemi të lumtur të ju njoftojmë se Ambasada 🇽🇰 është zhvendosur në një lokacion të ri. Nga tani, mund të na gjeni në adresën: 3612 Massachusetts Ave NW, Washington, D.C. 20007.”, ka njoftuar MPJD.

MPJD blen vilën e një egjiptiani për Ambasadën e Kosovës në Uashington, vlera 3.5 milionë dollarë

Po ashtu, Kosova ka blerë një vilë luksoze në mes të Londrës në vlerë 6.5 milionë funte (7.4 milionë euro), për ta zhvendosur ambasadën e saj në të.

Siç bën të ditur e përditshmja britanike, The Telegraph, vila që ka rreth 530 m2 hapësirë i përkiste komedianit të njohur, Spike Milligan.

Por, blerja e vilës është bërë krejt fshehurazi.

Demokracia.com në mars të vitit të kaluar ishte interesuar për këtë çështje, por nga ministria që drejtohet nga Donika Gërvalla nuk kishin kthyer ndonjë përgjigje.

Më 10 mars 2022, ministrja Gërvalla kishte marrë vendim për themelimin e Komisionit për Blerjen e objekteve të ambasadave në SHBA dhe në Mbretërinë e Bashkuar.

Ndërkohë, në një raport të punës së MPJD-së të cilin Demokracia.com e kishte publikuar vitin e kaluar, kishte raportuar se me çështjen e blerjes së ambasadës në Londër po merrej vetë ambasadori Ilir Kapiti.

Sipas këtij raporti të publikuar nga Demokracia.com, ambasadori Kapiti më 9 mars 2022 kishte takuar disa agjentë të patundshmërive.

“Më 9 mars Ambasadori Kapiti priti në takim dy agjentë të pasurive të paluajtshme, të cilët ofruan informata rreth situatës aktuale në tregun londinez të patundshmërive”, thuhej në raport. /Demokracia.com/

DOKUMENT | Si ishte takuar ambasadori Kapiti me agjentët e patundshmërive para blerjes së vilës 7.4 milionëshe në Londër

Të ngjashme