Lajme
DOKUMENT: Komuna e Prishtinës rekomandon për kontratë kompaninë që u akuzua për përshtatje të tenderit për kamera
Demokracia
15:59 | 18 Dhjetor 2023

Share:

Komuna e Prishtinës është e vendosur të instalojë kamerat nëpër kryeqytet. Në kohën kur ishte hapur thirrja për këtë, akoma pa u ditur se kush do të garojë, Komuna e Prishtinës ishte akuzuar se ka vendosur kritere diskriminuese, respektivisht favorizuese ndaj një operatori ekonomik, që ta fitojë tenderin. Sot është bërë e ditur se fituese është pikërisht kompania që ishte akuzuar që po favorizohej, shkruan Demokracia.com.

Një kompani dhe dy konzorciume kanë qenë në garë për vendosjen e kamerave në kryeqytet, deri sa për këtë komuna kishte vendosur një vlerë të parashikuar të kontratës prej pak mbi 1.3 milion euro. Por, dukshëm më poshtë kanë qenë ofertat e pranuara.

Prokurimi komunal ka rekomanduar për kontratë kompaninë “E Connect. AL Shpk”; e cila nenkontraktor e ka edhe kompaninë “Kompania Prishtina” NPSH. Oferta që ka marrë komuna ka qenë në vlerë 412,804.63 euro.

Në garë kanë qenë edhe NPSH “Elting – electronics”; “Liria” Shpk, 447, 879.51 euro.

“Inet” Shpk, më çmim prej 451,283.30 euro.

Kompania e akuzon komunën për kurdisje

Fillimisht, Komuna e Prishtinës në cilësinë e Autoritetit Kontraktues, më datë 16.08.2023 ka paraqitur ‘Njoftimin për kontratë’ për aktivitetin e prokurimit me titull “Vendosja e kamerave në Kryeqytet”. Pasi janë bërë disa kërkesa për sqarim të dosjes së tenderit, në shtator, kompania “Professional Alarm” LLC ka parashtruar kërkesë për rishqyrtim, duke kërkuar nga komuna që të korrigjojë dosjen e tenderit, pasi sipas saj disa prej kritereve aty janë në kundërshtim më ligjin, respektivisht ato mund t’i plotësojë vetëm një operator në Kosovë.

Komuna ia ka refuzuar kërkesën për rishqyrtim, duke mos e marrë parasysh me faktin se kompania nuk ka bërë ankesë brenda afatit kohor prej pesë ditëve, ashtu siç e parasheh ligji.

Në ankesën e parashtruar pranë OSHP-së, “Professional Alarm L.L.C”, ka paraqitur dëshmitë e saj mbi dyshimet për përshtatjen e kritereve të tenderit për një operator ekonomik.

Kriteret i janë përshtatur prodhuesit kanadez të kamerave, “AVIGILON”.

Sipas Dosjes së Tenderit, produktet e kërkuara nga Komuna e Prishtinës përmes këtij tenderi “i përshtaten një prodhuesi dhe është e pamundur që këto specifika të plotësohen nga prodhues të tjerë”.

“Duhet theksuar që jo vetëm pozicionet e cekura më lartë i janë përshtatur prodhuesit AVIGILON, por ka edhe produkte tjera qe i janë përshtatur po të njëjtit prodhues, i cili është një prodhues i veçantë dhe është e pamundur qe këto specifika të plotësohen me prodhues tjerë dhe kështu ju keni diskriminuar të gjithë prodhuesit tjerë dhe rrjedhimisht edhe OE qe merren me sisteme te sigurisë dhe qe operojnë në Kosovë”, thuhet në një nga pikat e pretendimeve të ngritura nga ankuesi në OSHP.

Kush është kompania partnere në Kosovë e prodhuesit kanadez “AVIGILON”? Janë disa. Por, një nga partnerët e “AVIGILON” në Kosovë, e cila dyshohej se është e interesuar të marrë pjesë në këtë tender, ishte kompania “E-Connect AL Sh.P.K.”, thuhet në ankesën e deponuar në OSHP.

Për shkak të vendosjes së kritereve dhe specifikimeve diskriminuese, kompania ankuese ka kërkuar nga OSHP-ja që ta anulojë procedurën tenderuese të hapur nga Komuna e Prishtinës.

“Me këto kritere siç janë tani mund të jetë i përgjegjshëm vetëm një OE për të cilin ne mendojmë që i është përshtatur ky specifikim teknik dhe ky operator ekonomik është ‘E Connect AL SH.P.K’”, theksohet në ankesë.

Eksperti gjen shkelje

Por, me gjithë këto pretendime, komuna ia ka hedhur poshtë ankesën kompanisë më arsyetimin se nuk e ka bërë më kohë brenda 5 ditëve, ashtu siç e parasheh ligji.

E pakënaqur më vendimin e Komunës së Prishtinës, kompania ankuese ka parashtruar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Ky institucion më 28 shator e ka autorizuar eksperten e vet shqyrtuese, Agnesë Ibrahimi, që të shoshis provat e ankesës dhe më pas të dalë me rekomandim për Bordin e OSHP-së, respektivisht për Panelin Shqyrtues.

Ekspertja Ibrahimi pas dy javëve, siç ka parë Demokracia.com, ka nxjerr raport ku ka konstatuar se Komuna e Prishtinës e ka shkelur ligjin, pasi ankesa është bërë më kohë.

Duke u bazuar në sqarimet e lartpërmendura, eksperti shqyrtues i propozon panelit shqyrtues që ankesa e OE ankues të aprovohet si e bazuar, dhe rekomandon që lënda të kthehet në rishqyrtim”, thuhet në vendimin përfundimtar të ekspertit shqyrtues.

Paneli pro komunës, kundër ekspertit të vet

Më pas lëndën e ka marrë për trajtim Paneli i OSHP-së dhe si rrallëherë e ka hedhur poshtë mendimin e ekspertit të vet. Bordi nuk është marrë fare më trajtimin e lëndës, nëse ka apo jo kurdisje, por vetëm ka konsideruar se ankesa nuk është bërë më kohë, andaj i ka dhënë të drejtë Komunës së Prishtinës në vendimin e vet.

Prokurimi komunal sot ka bërë ‘njoftim për dhënie të kontratës’, duke e rekomanduar konzorciumin “E Connect . AL Shpk”; “Kompania Prishtina” NPSH.

Tash kompanitë sërish kanë të drejtë ankesë tek Komuna e Prishtinës dhe, po ashtu, më pas në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Pra, siç shihet në gjithë këtë, as komuna, as eksperti e as Paneli nuk kanë shoshitur provat nëse i janë përshtatur apo jo kriteret një prodhuesi. Ata janë marrë vetëm më atë, nëse ankesa ka qenë apo jo e afatshme.

“E Connect AL Sh.P.K.” është një kompani me bazë në Prishtinë, bazuar në regjistrin e të dhënave në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve. E njëjta kompani, tre muaj më parë e ka fituar tenderin për vendosjen e kamerave në qytetin e Fushë-Kosovës. Vlera e projektit në Fushë Kosovë parashikohet të kalojë shumën e mbi 500 mijë eurove. /Demokracia.com/

Të ngjashme