Lajme
DOKUMENT | KEK-u nuk lëshon pe, përdor sërish procedurën e njëjtë për tenderin 10 milionësh të ushqimit që i kishte dështuar vjet
Demokracia
22:38 | 08 Mars 2024

Share:

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) po synon ta funksionalizojë menzen e vet dhe aty të ushqehen mijëra punëtorë të saj. Pas funksionalizmit të menzes, plani është të gjendet edhe një kompani që do të përgatisë ushqimin, me blerje, përgatitje dhe shërbime. Për këtë ka hapur një tender qysh më 21 janar, por prokurimi është duke ngarkuar dokumente të korrigjimit që tri herë radhazi. Kjo kontratë, e cila do të jetë kornizë është paraparë të ketë validitet 36 muaj dhe tashmë për të janë ndarë 10,891,270.00 euro, shkruan Demokracia.com.

Në vitin e kaluar i dështoi tenderi i njëjtë, por KEK-u nuk po heq dorë nga kërkesa e tij.

Që të realizojë këtë projekt, KEK-u nuk zgjodhi procedurën e hapur, një nga metodat më transparente të prokurimit publik, por procedurën konkurruese me negocim, e cila është më transparente se procedura me negocim pa publikim të njoftimit për kontratë dhe më jotransparente sesa e hapura. Por, telashe e madhe është mënyra e vlerësimit për përzgjedhjen e operatorëve.

“Autoriteti kontraktues konsideron se përdorimi i procedurës konkurruese me negociata është i përshtatshëm dhe i autorizuar nga ligji aktual për arsyet dhe faktorët e përcaktuar në “Shpjegimi dhe përcaktimi me shkrim për zgjedhjen e procedurës së prokurimit”, të përcaktuara në Aneksin 5. Autoritetet kontraktuese mund të shpërblejnë kontrata në bazë të tenderëve fillestarë pa negociata, duke zbatuar kriteret e përcaktuara për dhënien e kontratës. Nëse pas pranimit të tenderëve fillestarë nuk do të propozojë për dhënien e kontratës, atëherë Autoriteti kontraktues do të zhvillojë negociata me të gjithë kandidatët që kanë paraqitur propozimet e pranueshme gjatë gjithë kohës dhe në fund do të dërgojë dosjen finale për të parashtruar ofertat. OE përfitues i kontratës do të jetë dhe OE që ka çmimin më të ulët”, thuhet në dosjen e këtij tenderi, duke u shpjeguar pse KEK-u vendosi të përdor këtë procedurë. Siç shihet, kjo procedurë lejon edhe hapësirë për manovrime e vlerësime subjektive, shkruan Demokracia.com.

Pra, lënda e kontratës është furnizimi, përgatitja, funksionalizimi i menzave dhe shërbimet që kanë të bëjnë me ushqimin e punëtorëve të KEK sh.a, Divizioni i Qymyrit, TC Kosova A dhe TC Kosova B.

Ose më saktë, lot 1: Furnizimi, përgatitja dhe shërbimi që kanë të bëjnë me ushqimet e punëtorëve.

Lot 2: Funksionalizmi i menzes në KEK.

Lot 1 : 9,891,270.00 euro.

Lot 2 : 1,000,000.00 euro.

Tri herë korrigjohen gabimet

Nga dokumentet e ngarkuara në E-prokurim, Demokracia.com ka parë se tri herë i ka korrigjuar KEK-u kërkesat e veta për këtë procedurë tenderuese. Dy herë e ka zgjatur afatin për dorëzimin e kërkesave për sqarime nga ana e kompanive të interesuara dhe dy herë e ka zgjatur afatin për dorëzimin e aplikacioneve lidhur me pjesëmarrjen në këtë procedurë tenderuese. Kurse, në rastin e fundit i ka ashpërsuar disa kritere teknike të vendosura në njoftimin për kontratë.

Këtë e ka bërë duke ngarkuar në E-prokurim tri herë “Formularin standard për korrigjimin e gabimeve në njoftimin për publikim”.

Herën e parë e ka zgjatur edhe për disa ditë afatin për dorëzimin e kërkesave për sqarimin e dosjes së tenderit, i cili ka qenë deri më 1 shkurt dhe është bërë deri më 9 shkurt 2023. Pastaj e ka zgjatur afatin e aplikimit, i cili ka qenë më së largu deri më 12 shkurt dhe është bërë 22 shkurt 2023.

Këto data të zgjatjes i janë dukur pak prokurimit të KEK-ut dhe i ka zgjatur edhe një herë. Tash afati për sqarime që ka qenë deri më 9 shkurt zgjatet deri më 20 shkurt dhe afati për dorëzimin e aplikacionit, i cili ka qenë deri më 22 shkurt është bërë deri më 1 mars. Kjo formë, pos që garanton pjesëmarrje më të madhe dhe gjithëpërfshirës të operatorëve ekonomikë, rrit dyshimet edhe për rritjen e afatit kohor për ndonjë operator të caktuar, i cili nuk ka qenë në rregull me letra (specifikat teknike që ka kërkuar KEK në dosje të tenderit) dhe kësisoj është pajisur me to gjatë kësaj kohe.

Në shkurt, KEK-u e ka ngarkuar edhe një formular tjetër në dosjen e tenderit. Në vend që të zbusë kriteret, të cilat do të ndikonin në gjithë pjesëmarrje, KEK-u i ka ashpërsuar ato. Për ofertimin në lot 1, ishte kërkuar që qarkullimi të jetë jo më i vogël se 300.000,00 euro në vit për tri vitet e fundit (2021, 2022 dhe 2023), për kompanitë garuese. Kjo është modifikuar, duke u rritur kërkesa në “Qarkullimi jo më i vogël se 600.000,00 €”.

Pastaj te dëshmitë e kërkuara dokumentare ishte kërkuar që “Kopja e Deklaratës Tatimore vjetore të dorëzuar në Administratën Tatimore nga vendi i themelimit”. Kjo është modifikuar në “1. Kopja e Deklaratës Tatimore vjetore të dorëzuar në Administratën Tatimore nga vendi i themelimit apo pasqyrat financiare te audituara për vitet ( 2020, 2021 dhe 2022).

Derisa tri herë janë korrigjuar kërkesat e vendosura në njoftimin për kontratë dhe dosjen e tenderit, ato nuk do të mund të ndryshohen më, pasi ka kaluar afati për dorëzimin e ofertave. Nuk dihet sa kompani kanë garuar, pasi ende nuk është bërë hapja e tenderit.

Ashtu siç e kërkon edhe procedura konkurruese me negociata, tenderi në këtë rast do t’i nënshtrohet tri herë vlerësimit.

fazën e parë të procedurës, faza e kualifikimit, nga operatorët ekonomikë kërkohet që t’i përmbushin kushtet për pjesëmarrje dhe kriteret e përzgjedhjes të përcaktuara në këtë dokument. Kërkesa për pjesëmarrje do të vlerësohet në bazë të kritereve të përcaktuara në këtë dokument. Qëllimi është kualifikimi i kompanive të afta në kryerjen e detyrave të tilla.

fazën e dytë të procedurës, faza tenderuese, vetëm ata operatorë ekonomikë të ftuar nga autoriteti kontraktues pas vlerësimit të informacionit të ofruar mund të dorëzojnë një tender fillestar.

Operatorët të cilët kanë dorëzuar tenderët fillestarë (propozimet e tyre) vlerësohen kryesisht në aspektet e përputhshmërisë formale dhe administrative dhe si vlerësim/shqyrtim preliminar i përputhshmërisë teknike të propozimeve. Kjo pasi që këto propozime do të vlejnë vetëm si bazë për zhvillimin e negociatave për të finalizuar kushtet e kontratës. Nuk ka hapje publike të ofertë-propozimeve, por vetëm një hapje e brendshme me qëllim që të ruhet integriteti dhe paanësia e procesit.

fazën e tretë të procedurës, faza e negociatave dhe e dhënies së kontratës.

Vitin e kaluar dështoi tenderi me procedurë të njëjtë të negocimit

Procedura e njëjtë e prokurimit ishte përdorur edhe në vitin e kaluar për tenderin e njëjtë, por kishte dështuar për shkak siç kishte thënë KEK-u, nuk kishte operatorë të përgjegjshëm gjatë kualifikimit të paktën tre nga ta.

Njoftimi për kontratën “Furnizimi, përgatitja, funksionalizimi i mensave dhe shërbimet që kanë të bëjnë me ushqimin e punëtorëve e KEK sh.a”, ishte publikuar më 21 gusht 2023 dhe ishte anuluar në nëntor. Edhe këtu prokurimi i korporatës e kishte korrigjuar njoftimin për kontratë tri herë për shkak të gabimeve të bëra.

Aktualisht, shujta e punëtorëve në KEK është në vlerën prej pesë eurosh, shumë kjo që bartet në kontot personale të tyre.

Deri në muajin prill 2023, një shujtë e punëtorëve në këtë korporatë ka qenë 1.74 euro. Pas protestave të tyre për të shprehur pakënaqësi rreth kësaj çështjeje dhe duke kërkuar rritje të pagave, nga muaji maj, shuma e shujtës ishte rritur në 5 euro.

KEK-u numëron përafërsisht rreth 3 mijë e 200 punëtorë. /Demokracia.com/

Të ngjashme