Lajme
DOKUMENT | Ish-drejtori mori pesë paga pas dorëheqjes, Komuna e Shtimes thotë se problemi ishte te Thesari i Kosovës
Demokracia
13:34 | 29 Nëntor 2023

Share:

Drejtori i Arsimit në Komunën e Shtimes, Lulzim Sahiti, në fund të janarit 2023 kishte dorëzuar pranë ekzekutivit komunal dorëheqjen nga kjo pozitë. Por, paga i doli edhe disa muaj pas, shkruan Demokracia.com.

Sahiti si Drejtor i Arsimit ishte emëruar nga Kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu, si profesionist në fushën e arsimit, por ai kishte vendosur të kalonte aty ku kishte qenë për shumë vite, në Zyrën për Informim.

Ndonëse dha dorëheqje nga pozita e drejtorit në fund të janarit, Demokracia.com ka gjetur se të njëjtit i doli paga edhe në muajin shkurt, mars, prill e qershor.

Kjo shihet nga një dokument që e posedon redaksia e mediumit.

Nga ana tjetër, në dokument shihet se edhe Yllka Fejzullahu, drejtoreshë aktuale e Arsimit ka marrë pagën nga muaji shkurt si drejtoreshë e DKA-së.

E gjithë kjo ka qenë një ngatërresë që është prodhuar nga Ligji i Pagave, sipas zyrtarëve komunalë.

Meqenëse Ligji i Pagave ka hyrë në fuqi në muajin shkurt të këtij viti, nga ana e Thesarit të Kosovës ka pasur probleme në sistemin e zyrtarëve në Listën e Pagave. Përndryshe, Zyra e Personelit ka proceduar me kohë të gjitha ndryshimet e zyrtarëve komunalë sa i përket pagave. Problem me ndryshim të pagës nuk ka pasur vetëm ish-drejtori i Arsimit, Lulzim Sahiti por edhe zyrtarë të tjerë, mirëpo të gjithë zyrtarëve u janë bërë ndalesat dhe për këtë mund ta vërtetoni në Zyrën e Personelit të Komunës së Shtimes përmes Qasjes në Dokumente Publike”, ka bërë të ditur për Demokracia.com, Zyra për Informim e Komunës së Shtimes.

Me gjithë shpjegimin e komunës, shihet se ish-drejtorit i ka dalë paga e drejtorit për pesë muaj radhazi dhe jo për një ose dy muaj.

Lulzim Sahiti, aktualisht është Zyrtar për Informim në Komunën e Shtimes. /Demokracia.com/

 

 

 

Të ngjashme