Lajme
DOKUMENT| Gjykata ia pezullon punën Përparim Ramës për ndërtimin e Rrugës A, tenderi 8.5 milionësh dyshohet që u fitua me dallavere
Demokracia
16:14 | 20 Tetor 2023

Share:

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, bashkë më Kryetarin e Prishtinës, Përparim Ramën, në verën e këtij viti u panë bashkë pas shumë kohësh. Ata u shfaqen për ta prerë shiritin e njërit prej projekteve më të mëdha në kryeqytet: ndërtimin e Rrugës A.

Gjykata Komerciale në Prishtinë sot ka marrë vendim që të pezullohet ndërtimi i Rrugës A në Prishtinë.

Ky vendim i Gjykatës Komerciale ia ka komplikuar punën Kryetarit të Prishtinës lidhur më tenderin e shumëpërfolur mbi 8 milionë euro, që Komuna e Prishtinës ia kishte dhënë kompanisë ”Sallahu”, shkruan Demokracia.com.

Nëse vërtetohet se Komuna e Prishtinës ka lidhur kontratë për ndërtimin e Rrugës A me një kompani, e cila nuk i ka plotësuar kriteret dhe për më tepër pronari i të cilës ishte i dënuar, atëherë ligjërisht kontrata në mes kompanisë “Sallahu” dhe Komunës së Prishtinës duhet të prishet.

Faktikisht, Gjykata Komerciale e Prishtinës ka vendosur që tani për tani të pezullohet vetëm ndërtimi i Rrugës A, pas ankesës që e ka bërë ndërrmarja “Pro & CO Group” për tenderin 8.5 milionësh që i ishte dhënë operatorit ekonomik “Sallahu”.

Kështu thuhet në vendimin që e ka siguruar ekskluzivisht Demokracia.com.

Gjykata e ka pezulluar vendimin e Organit Shqyrtues të Porkurimit, i cili i ka dhënë të drejtë Komunës së Prishtinës që të lidhë kontratë më kompaninë ”Sallahu”.

Vendimi i nxjerr më 17 tetor thotë se “Gjykata po ashtu vlerësoi se shtyrja e ekzekutimit të vendimit dhe pezullimi i aktivitetit të prokurimit “Ndërtimi i Rrugës A – Pjesa e parë”, me numër të prokurimit 616-22-7096-5-1-2, iniciuar nga Autoriteti Kontraktues, Komuna e Prishtinës, deri në shqyrtimin e pretendimeve të ngritura për shkeljet e pretenduara procedurale është më së i duhuri që të ruhet interesi publik”, saktëson vendimi i Gjykatës Komerciale, përcjell Demokracia.com.

Ky vendim ka ardhur pas ankesës që në këtë gjykatë e ka bërë ndërrmarrja “Pro & CO Group” SHPK.

“Kjo pasi Paneli Shqyrtues nuk është marrë fare me pretendimin kryesor të ngritur nga ankuesi që ka të bëjë me shkelje të nenit 65 të LPP-së nga AK, duke e shpërblyer me kontratë Operatorin Ekonomik Sallahu SHPK, drejtori i të cilës është i dënuar për veprën penale Falsifikim i Dokumentit Zyrtar”, shkruhet në vendimin e Gjykatës Komerciale.

“Gjykata vlerëson se shtyrja e eksekutimit të vendimit nuk do t’i sillte dëm të paditurit apo ndonjë personi të interesuar, sepse përkundër shtyrjes se realizimit të projektit, shtyerja e ekzekutimit të vendimit deri në vlerësimin e ligjshmërisë së procedurës së prokurimit do të jetë edhe në dobi të paditurit – kundër propozuesit, sepse do të evitohej çfarëdo dyshimi për keqpërdorim të fondeve publike nga AK, që potencialisht do të ndikonte negatvisht në besimin e publikut ndaj AK”, thotë vendimi i Gjykatës.

Kontratën që peshon 8.5 milionë euro e kishte fituar kompania private nga Kaçaniku, “Sallahu SH.P.K“. /Demokracia.com/

Të ngjashme