Lajme
DOKUMENT EKSKLUZIV| Guvernatori i BQK-së iu ankua presidentes Osmani për presione politike, pak muaj më pas gati t’ia punësojë të vëllain
Demokracia
10:59 | 11 Nëntor 2022

Share:

Banka Qendrore e Kosovës tash e një kohë të gjatë është duke u përballur me presione politike. Këtë fakt e ka thënë edhe vetë guvernatori Fehmi Mehmeti përmes një letre drejtuar presidentes Vjosa Osmani. Në këtë letër që ka siguruar Demokracia.com, kërkohet që politika të qëndrojë sa më larg BQK-së. Por, duket se tash edhe vetë Osmani po ushtron presion mbi guvernatorin Mehmeti për t’ia rehatuar vëllain në BQK.

Nuk janë të pakta rastet kur është dëgjuar e folur për presionet politike që bëhen nëpër ndërmarrje e institucione të ndryshme, që kur Qeveria e Kosovës drejtohet nga Albin Kurti.

Përveç presioneve, tashmë edhe ndërmarrjet publike janë kapur nga pushteti aktual, shkruan Demokracia.com.

Një kapje e tillë po tentohet të bëhet edhe në Bankën Qendrore të Kosovës. Këtë fakt e dëshmon edhe vetë guvernatori Fehmi Mehmeti përmes një letre që ia ka dërguar presidentes Vjosa Osmani.

Në letrën që ka siguruar Demokracia.com, e cila mban datën e 25 mars 2022, ku tregohet sesi po bëhen këto presione që kanë për qëllim pengimin e punës në BQK.

“E nderuar znj. Presidente, përtej arritjeve të mëdha, muajve të fundit BQK është duke u ballafaquar me presione politike të cilat kanë synime të interferojnë në punën e pavarur dhe profesionale të BQK-së. Javët e fundit janë shoqëruar me disa ngjarje politike që godasin në thelb pavarësinë dhe profesionalizmin e BQK-së. Se agjenda politike është e drejtuar ndaj institucionit të pavarur të BQK-së, tanimë konfirmohet edhe nga synimi i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere për të themeluar grup punues lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 03/L-2()9 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës si dhe për Ligjin nr. 05/L-()45 për Sigurimet (e paraparë për mbledhjen e radhës të komisionit përkatës)”, thuhet në këtë letër.

Në letrën që mban nënshkrimin e guvernatorit Fehmi Mehmeti tutje thuhet se këto presione janë duke ndikuar e cenuar thellë integritetin e BQK-së.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ju garanton se ligjshmëria dhe autoriteti i saj është zbatuar plotësisht nga mekanizmat relevantë. Për këtë do të jemi të gatshëm të bashkëpunojmë dhe t’i përgjigjemi çdo institucioni kushtetues për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit. Konsideroj se për këtë çështje kompetencën kushtetuese e ka sistemi i brendshëm i drejtësisë. Por, trajtimi i një teme të tillë nga institucionet politike, e cenon thellë integritetin e BQK-së, e zbehë plotësisht autoritetin e institucionit në raport me institucionet tjera që rregullohen, e mbi të gjitha, cenon procese tejet të rëndësishme, komplekse dhe të ndjeshme për vendin, sikur që është edhe procesi ndërkombëtar i arbitrazhit lute Credit kundër Republikës së Kosovës”, bëhet me dije në letrën e shefit të BQK-së, përcjell Demokracia.com.

Mehmeti në këtë letër i tregon presidentes Osmani se BQK deri më tash ka fituar të gjitha rastet e ballafaquara me drejtësinë, duke ia bërë me dije se nëse lihet rehat, BQK do të ketë suksese të tjera.

“Institucioni ynë ka fituar të gjitha betejat ligjore të deritanishme kundrejt çdo pale. Në asnjë rast, nuk ka lëndë të humbur nga BQK në sistemin e drejtësisë. Prandaj, bindja jonë është se, po që se BQK e ka lirinë dhe autonominë e veprimit, do të arrijë me sukses të plotë të mbrojë detyrimet e saj ligjore, e po ashtu, të kontribuojë edhe në mbrojtjen e vendit e edhe në zhvillimin e mëtejmë ekonomik të vendit. Si menaxhment i BQK-së jemi tejet të shqetësuar lidhur me iniciativën e deputetëve për këtë çështje sepse BQK nuk mund të marrë vlerësim nga institucionet që kanë bazë politike. Për këtë, korniza juridike është e plotë në vendin tonë dhe autonomia e BQK-së sigurohet që nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës e edhe ligjet tjera relevante”, thuhet tutje në këtë letër zyrtare.

Në këtë letër që mban nënshkrimin e guvernatorit, tregohet edhe fakti se është kërkuar prej tij edhe një takim kokë me kokë me presidenten Osmani, për të biseduar mbi çështjet e ngritura.

“E nderuar znj. Presidente, shpresoj që në të ardhmen e afërt të më jepet mundësia që para Jush të paraqes arritjet e BQK-së, përgjatë viteve të kaluara, të cilat kanë qenë vitet më sfiduese për sektorin financiar në vend, por edhe për sfidat dhe interferimet në qeverisjen e njërit nga institucionet me vitale të vendit. Ne do të mbesim të përkushtuar që me profesionalizëm dhe me përgjegjësi të realizojmë detyrat tona, duke e ruajtur po ashtu edhe autonominë e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën e Mehmetit.

Guvernatori i Bankës Qendrore përmes kësaj letre i tregon presidentes Vjosa Osmani, se ky institucion përgjatë këtyre viteve kanë përfunduar disa punë me rëndësi për vendin.

“BQK edhe në Raportin e Bashkimit Evropian për Kosovën vazhdimisht ka vlerësime pozitive, sigurisht, me pozitivet nga të gjitha institucionet vendore. Për ilustrim, në raportin e fundit të komisionit, janë gjithsej katër rekomandime, e tri prej të cilave i kanë takuar Kuvendit të Republikës së Kosovës për t’u plotësuar. Sa për referencë, sipas institutit EPIK, sektori financiar vazhdimisht vlerësohet me notën 3, krahasuar me mesataren prej 1.9 nga gjithsej vlerësimet për vendin. Përmes kësaj reference kam synuar të ilustrojë rëndësinë e vlerësimeve profesionale për BQK-në. Dhe e ripërsërisë, ne asnjë rrethanë nuk i ikim përgjegjësisë ligjore që kemi, përkundrazi, argumentojmë me fakte të drejtpërdrejta se reformat me të mëdha në sistemin financiar në vend kanë ndodhur pikërisht në 3-4 vitet e fundit”.

Mehmeti tregon në letër se si rezultat i përpjekjeve të mëdha profesionale, të përbashkëta edhe me partnerët ndërkombëtarë, është arritur të ndërtohet dhe mirëmbahet Banka Qendrore si institucion i pavarur dhe profesional.

Mirëpo, dje siç u raportua në media, edhe vetë presidentja Osmani është duke ushtruar presion mbi guvernatorin për ta punësuar vëllain në BQK.

Vazhdon të ndreqet jeta e familjes Osmani | Vëllai i presidentes drejt punësimit në Bankën Qendrore të Kosovës – Demokracia

Ramadan Osmani, vëllai i presidentes së vendit, Vjosa Osmanit, është përzgjedhur për t’u punësuar në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK) në pozitën: mbikëqyrës i lartë bankar.

Njoftimi për kandidatin e caktuar për pozitën mbikëqyrës i lartë bankar në Departamentin e Mbikëqyrjes Bankare është bërë në hyrje të objektit të BQK-së. Ky institucion, përkundër që publikon të gjitha vendimet rreth funksionimit të tij, këtë njoftim për punësimin e vëllait të presidentes Osmani nuk e ka publikuar fare në ueb-faqe.

Ramadan Osmani, sipas njoftimit të BQK-së, ka arritur të marrë 176 pikë (në mesatare) në testin me shkrim dhe intervistën nga 200 sa ishte totali i pikëve të mundshme. Në garë për këtë pozitë ishin katër kandidatë, ndërsa kandidati i dytë ka marrë 155 pikë apo 21 pikë më pak se vëllai i presidentes Osmani.

Në ueb-faqen e Bankës Qendrore të Kosovës nuk ka asnjë njoftim për shpallje të konkursit, kriteret, procedurat dhe rezultatet e konkursit. /Demokracia.com/

Të ngjashme