Lajme
DOKUMENT | Edhe një vendim skandaloz i OSHP-së në dëm të Policisë së Kosovës
Demokracia
21:27 | 27 Nëntor 2023

Share:

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) po e dëshmon çdo ditë se është një institucion që nuk duhet të ekzistojë fare. Punën e tij shumë lehtë mund ta kryejë edhe Gjykata Komerciale. OSHP-ja tek javën e kaluar ka arritur të nxjerrë një vendim për të cilin Policia e Kosovës i kishte kërkuar të reagojë qysh në gusht të vitit të kaluar. Demokracia.com ka gjetur se ky dënim nuk përbën kurrfarë efekti.

Kur një zyrë e prokurimit vëren se një kompani i ka ofertuar me dokumente të rreme, i kërkon OSHP-së që të njëjtën ta fusë në “listën e zezën” dhe ta diskualifikojë nga gara për një periudhë kohore.

Pa u matur fare, kompania “Tromded.co” shpk e zgjodhi institucionin e sigurisë, Policinë e Kosovës, që në një aktivitet të saj të ofertojë me dokumente të rreme. Prokurimi i policisë e hetoi atë dhe menjëherë mori masa ndaj kompanisë. Fillimisht, më datë 15 gusht i kërkoi OSHP-së që ta fusë në “listën e zezë” kompaninë, pasi i ofrojë edhe faktet se kishte ofertuar me dokumente të rreme. Por, policia shkoi edhe më tutje, bëri kallëzim penal ndaj kompanisë dhe shumë shpejt ndaj saj u ngritë aktakuzë për falsifikim të dokumentit zyrtar dhe mashtrim në prokurimin publik. Madje, kompania edhe u dënua. Të gjitha këto ngjarje kanë ndodhur, ndërsa OSHP-ja vendosi të marrë masa tek tash ndaj kompanisë, duke e shqyrtuar kërkesën e policisë. Vendosi që kompaninë ta fusë në “listën e zezë” për një periudhë prej 3 muajve dhe më pas t’i lejohet pjesëmarrja në prokurimet publike.

Por, më gjasë OSHP-ja nuk është në dijeni se kompania tashmë ka marrë një dënim prej gjykatës dhe më nuk bëhet fjalë për diskualifikim prej tre muajve, por për një periudhë prej dhjetë viteve. Pasi kaq është dënimi ndaj një kompanie, e cila merr dënim të formës së prerë nga gjykata, shkruan Demokracia.com.

Më 19 prill, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Petrit Tufa, pronarin e kompanisë ‘Tromded.co”,  duke e dënuar me 2 mijë euro gjobë dhe 6 muaj burgim për veprën penale “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik”.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Tufa ishte dënuar me 2 mijë euro gjobë dhe 6 muaj burgim, por me pëlqimin e tij, dënimi me burgim mund t’i zëvendësohet me 3 mijë euro gjobë.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i pandehuri Petrit Tufa si pronar i kompanisë “Triomed.CO sh.p.k” me vetëdije ka shkelur rregullat e prokurimit publik, në atë mënyrë që më 16 qershor 2022, në zyrën e prokurimit në Policinë e Kosovës në Prishtinë ka dorëzuar ofertën për të marrë pjesë në aktivitetin e prokurimit me titull “Furnizimi me materiale shpenzuese për vendin e ngjarjes”, ku me qëllim mashtrimi në mesin e dokumentacionit ka dorëzuar dokumentin e falsifikuar “vërtetimi tatimor”, të 5 prillit 2022, i cili dokument me numër të njëjtë identifikues është nxjerrë më 27 janar 2022, me qëllim të aplikimit për kredi.

Me këto veprime, Tufa akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” nga neni 415, par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Është interesant se OSHP-ja e ka publikuar të përgjysmuar vendimin ndaj policisë dhe ndryshe nga herët tjera, nuk e ka publikuar fare arsyetimin përse e ka futur në “listën e zezë” kompaninë. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme