Lajme
DOKUMENT | Drejtoritë e kundërligjshme të Përparim Ramës me nga pesë punëtorë
Demokracia
11:31 | 23 Shkurt 2024

Share:

Pas prishjes së koalicionit me PDK-në në Prishtinë, kryetari Përparim Rama ka nisur të emërojë drejtorët e rinj të kabinetit të tij. Tashmë është konfirmuar se disa nga drejtoritë, ai i ka formuar në kundërshtim më statutin e Komunës së Prishtinës, shkruan Demokracia.com.

“Me shumë kënaqësi ju njoftoj me Drejtorin e ri të Sportit në Kryeqytet, Bardh Krasniqi”. Kështu bëri të ditur kryetari Rama teksa e prezantoi drejtorin e ri, i cili deri më tani ishte drejtor i Ndërmarrjes së Komunës së Prishtinës “NPL Sport Marketing SH.A”. Por, drejtori i ri nuk është se do të këtë shumë punë në Drejtorinë e Sportit. Demokracia.com ka gjetur se kjo drejtori ka veç pesë punëtorë dhe bashkë me drejtorin e ri gjithsej gjashtë zyrtarë publikë.

Më të marrë Përparim Rama drejtimin e Prishtinës, kjo drejtori kishte nisur punën veç me katër punëtorë. Nga 2021, Rama e kishte rritur për një punëtor.

Kështu të paktën thuhet në Raportin e buxhetit për vitin 2023, të cilin e ka parë Demokracia.com.

Fiks pesë punëtorë i ka edhe Drejtoria e Parqeve, e cila drejtohet nga Donika Çetta. Sa këto dy drejtori ka staf, zyra e prokurimit me gjithsej 11.

Zyra e kryetarit Rama i ka 40 zyrtarë, përcjell Demokracia.com.

Krejt administrata komunale i ka 712 punonjës, por totali i punonjësve që marrin pagë nga Komuna e Prishtinës është 4581 persona.

Demokracia.com ka raportuar dje se janë mbi 200 persona me kontratë për shërbime të veçanta.

DOKUMENT | 222 kontrata për shërbime të veçanta në Komunën e Prishtinës

Statuti i komunës është akti më i lartë juridik i një komune, që miratohet nga Kuvendi i Komunal në pajtim me legjislacionin në fuqi. Statuti rregullon kompetencat dhe pushtetin e komunës. Komuna e Prishtinës e ka në fuqi statutin e vitit 2010. Kryetari aktual i Prishtinës e ka shkelur atë para pak ditëve kur vendosi të bëjë disa ndryshime në kabinetin qeverisës.

Demokracia.com ka raportuar se Rama i ka shuar disa drejtori për t’i shtuar disa të reja. Ai ka zbardhur emrat që i ka vendosur në dikasterët e rinj. Drejtoria e re e themeluar është ajo për Transformim.

Këtë vendim, Rama e mori duke e shkelur Statutin e Komunës, pasi kjo normativë ia ka përcaktuar qartë kryeqytetit sa drejtori duhet t’i ketë. Gjithsej janë të përcaktuara 11, ndërsa aktualisht ka mbi 15.

Rama ka qenë i detyruar që fillimisht ta bëjë ndryshimin e statutit, i cili bëhet nga Kuvendi Komunal me 2/3 e votave dhe pastaj të themelojë drejtori të reja.

Këtë e ka vërtetuar edhe vetë Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në një interpretim ligjor të kërkuar nga Demokracia.com lidhur me themelimin e drejtorive të reja nga ana e pushteteve lokale.

“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), në përputhje me mandatin e saj të përcaktuar me Ligjin Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale, shtojcën I, pika 9 të Rregullores (QRK) – Nr. 14/2023 për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive, pas shqyrtimit të kërkesës suaj sqaron se: Ligji Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale, nuk e përcakton numrin e drejtorive në komuna, kjo çështje është kompetencë e komunës. Numrin e drejtorive, komunat e kanë të përcaktuar në Statut të komunës apo Rregullore të komunës. Komunat në rast se dëshirojnë të shtojnë numrin e drejtorive, atëherë këtë e bëjnë duke ndryshuar dhe plotësuar Statutin apo Rregulloren e komunës, varësisht se me cilin akt i ka të përcaktuar drejtoritë, kjo ka qenë praktika e deritanishme të cilën komunat e kanë zbatuar. MAPL, është e gatshme të ofrojë përkrahje dhe ndihmën e nevojshme, për zbatimin e plotë të obligimeve që dalin nga legjislacioni i zbatueshëm për vetëqeverisje lokale në Republikën e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e MAPL-së për Demokracia.com.

Pas kësaj përgjigje të MAPL-së, Demokracia.com është në rritje të këtij institucioni se çka do të ndërmerret ndaj Komunës së Prishtinës, pasi kryetari i saj e ka shkelur aktin më të lartë juridik Statutin.

MAPL-ja ende nuk ka kthyer një përgjigje. /Demokracia.com/

DOKUMENTE | Përparim Rama krijoi kundërligjshëm shumë drejtori në Prishtinë, MAPL e konfirmon

Të ngjashme