Lajme
DOKUMENT | 222 kontrata për shërbime të veçanta në Komunën e Prishtinës
Demokracia
19:51 | 22 Shkurt 2024

Share:

Prej kohës kur në krye të Prishtinës ka ardhur Përparim Rama me LDK-në janë rritur punësimet me kontrata të parregullta, që sipas ligjit njihen “kontrata për shërbime të veçanta”, shkruan Demokracia.com.

Fiks 222 persona kanë qenë të punësuar me kontrata mbi vepër në Komunën e Prishtinës deri më 31 dhjetor 2023.

Marrëveshjet për shërbime të veçanta ose kontratat mbi vepër janë një formë e veçantë e rekrutimit apo angazhimit për punë në shërbimin civil. Këto janë forma të veçanta të rekrutimit, sepse sipas Ligjit për Shërbimin Civil, kontratat kanë një afat jo më të gjatë se gjashtë muaj dhe janë për punë specifike, me pagesa fikse mujore dhe lidhen me procedurë të thjeshtëzuar të rekrutimit. Por, të punësuarit në komunë, siç ka mësuar Demokracia.com, po paguhen edhe për periudha shumë më të gjata se gjashtë muaj.

Numri prej 222 është zyrtar dhe është cekur në raportin buxhetor për vitin 2023, të cilin e ka parë Demokracia.com.

Nga ta, 157 janë të punësuar në Drejtorinë e Administratës, 31 në Drejtorinë e Shëndetësisë, 14 në Drejtorinë e Mirëqenies Sociale dhe 4 Drejtorinë e Arsimit. Që të gjithë janë më orar të plotë.

Sipas raportit, numri i punonjësve me kontrata për shërbime të veçanta në vitin 2022 ka qenë më i vogël ose fiks 206. Edhe më i vogël ka qenë në vitin 2021, fiks 146.

Meqë për këto kontrata nuk respektohet konkursi publik, atëherë menaxherët e institucioneve e kanë më të lehtë të rekrutojnë militantë partiakë edhe pa kualifikimet e nevojshme për ato pozita.

Zakonisht këto kontrata përdoren nga institucionet për qëllime punësimi deri në 6 muaj dhe pastaj kalimi në staf të rregullt pasi personi përkatës ka bërë një përvojë të punës prej 6 muajsh dhe realisht ka mësuar punën. Pastaj, ka shumë raste kur persona të caktuar kanë qëndruar shumë më gjatë se 6 muaj, pra edhe me vite, ndonëse kjo ka qenë krejt e kundërligjshme.

Megjithëkëtë, shpeshherë institucionet pretendojnë që buxheti i ulët dhe numri i kufizuar i punësimeve është arsyetim për punësimet. Sipas tyre, këta faktorë e pamundësojnë rekrutimin e punëtorëve përmes kontratave të rregullta. Për shkak të kësaj, ata punësojnë punëtorë që nuk paguhen përmes buxhetit të pagave, por me linja të tjera buxhetore, për shembull të mallrave dhe shërbimeve, gjë e cila e mundëson rekrutimin ad-hoc.

Auditori Gjeneral disa herë ka thënë në raportet e tij se angazhimi i punonjësve për punë dhe detyra specifike për pozita të rregullta të punës pa respektuar parimet bazë për një proces fer, transparent dhe konkurrues, përveç se mund të mos jetë në harmoni me obligimet e tanishme ligjore, rrit edhe rrezikun e angazhimit të personave jo të duhur në pozitat e caktuara. /Demokracia.com/

Të ngjashme