Lajme
DOKUMENTE | Përparim Rama krijoi kundërligjshëm shumë drejtori në Prishtinë, MAPL e konfirmon
Demokracia
15:04 | 18 Shkurt 2024

Share:

Statuti i komunës është akti më i lartë juridik i një komune, që miratohet nga Kuvendi i Komunal në pajtim me legjislacionin në fuqi. Statuti rregullon kompetencat dhe pushtetin e komunës. Komuna e Prishtinës e ka në fuqi statutin e vitit 2010. Kryetari aktual i Prishtinës e ka shkelur atë para pak ditëve kur vendosi të bëjë disa ndryshime në kabinetin qeverisës, shkruan Demokracia.com.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë disa ndryshime të drejtorive në komunën që e udhëheq tash e dy vjet.

Rama i ka shuar disa drejtori për t’i shtuar disa të reja. Ai ka zbardhur emrat që i ka vendosur në dikasterët e rinj. Drejtoria e re e themeluar është ajo për Transformim.

Këtë vendim, Rama e mori duke e shkelur Statutin e Komunës, pasi kjo normativë ia ka përcaktuar qartë kryeqytetit sa drejtori duhet t’i ketë. Gjithsej janë të përcaktuara 11, ndërsa aktualisht ka mbi 15.

Rama ka qenë i detyruar që fillimisht ta bëjë ndryshimin e statutit, i cili bëhet nga Kuvendi Komunal me 2/3 e votave dhe pastaj të themelojë drejtori të reja.

Këtë e ka vërtetuar edhe vetë Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në një interpretim ligjor të kërkuar nga Demokracia.com lidhur me themelimin e drejtorive të reja nga ana e pushteteve lokale.

“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), në përputhje me mandatin e saj të përcaktuar me Ligjin Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale, shtojcën I, pika 9 të Rregullores (QRK) – Nr. 14/2023 për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive, pas shqyrtimit të kërkesës suaj sqaron se: Ligji Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale, nuk e përcakton numrin e drejtorive në komuna, kjo çështje është kompetencë e komunës. Numrin e drejtorive, komunat e kanë të përcaktuar në Statut të komunës apo Rregullore të komunës. Komunat në rast se dëshirojnë të shtojnë numrin e drejtorive, atëherë këtë e bëjnë duke ndryshuar dhe plotësuar Statutin apo Rregulloren e komunës, varësisht se me cilin akt i ka të përcaktuar drejtoritë, kjo ka qenë praktika e deritanishme të cilën komunat e kanë zbatuar. MAPL, është e gatshme të ofrojë përkrahje dhe ndihmën e nevojshme, për zbatimin e plotë të obligimeve që dalin nga legjislacioni i zbatueshëm për vetëqeverisje lokale në Republikën e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e MAPL-së për Demokracia.com.

Ndërkohë, komuna e Prishtinës pos që nuk e ka ndryshuar statutin, nuk ka bërë as ndonjë ndryshim të rregulloreve që e rregullojnë këtë çështje.

Neni 56 i Statutit të Komunës së Prishtinës ka përcaktuar sa drejtori duhet të ketë kryeqyteti.

Sipas këtij neni, Prishtina i ka të përcaktuara 11 drejtori.

Por, Rama me të marrë pushtetin kishte bërë shkelje duke e rritur numrin e drejtorive, pa e ndryshuar statutin. Shkeljen e njëjtë e ka përsëritur edhe para pak ditëve. Mbetet të shihet cili do të jetë reagimi i MAPL-së në ketë rast. /Demokracia.com/

Të ngjashme