Lajme
DOKUMENT| Argjira Asllani emërohet udhëheqëse e divizionit për mbrojtjen e të akuzuarve nga Gjykata Speciale
Demokracia
19:09 | 02 Qershor 2022

Share:

Argjira Asllani është emëruar udhëheqëse e Divizionit për Koordinimin e Procesit për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencial në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.

Asllani është emëruar sot në krye të këtij divizioni, pas shkarkimit të Pranvera Ejupit, e cila deri tash mbante këtë pozitë.

Demokracia.com ka mësuar se Asllani ka qenë pjesë e këtij divizioni edhe deri më tani, por në një pozitë tjetër.

Në vendimin e Ministrisë së Drejtësisë thuhet se Argjira Asllani emërohet Udhëheqëse e Divizionit për Koordinimin e Procesit për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencial në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

Mandati i saj filloi sot më 2 qershor 2022 dhe do të zgjasë deri më 31 maj të vitit 2024, përkatësisht derisa të mos merret ndonjë vendim tjetër, raporton Demokracia.com.

Në arsyetim të vendimit thuhet se emërimi i saj u bë meqë pozita e Udhëheqësit të Divizionit për Koordinimin e Procesit për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave pranë Dhomave të Specializuara në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë ka mbetur e zbrazët dhe me qëllim të përmbushjes së obligimeve dhe përgjegjësive që dalin nga legjislacioni përkatës në fuqi i kësaj fushe.

Ditë më parë, udhëheqësja e deritashme e këtij divizioni, Pranvera Ejupi-Hajzeraj, me vendim të ministres Albulena Haxhiu ishte liruar nga detyra.

Në vendimin zyrtar të Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për lirimin nga detyra të Pranvera Ejupi-Hajzeraj, thuhej se ajo nuk u ishte përmbajtur obligimeve të saj.

Në arsyetimin e këtij vendimi thuhej se gjatë ushtrimit të përgjegjësive të saj, ajo në mënyrë të përsëritur nuk i është përmbajtur obligimeve që rrjedhin nga përgjegjësitë e angazhimit të saj, duke tejkaluar kompetencat dhe gjithashtu duke raportuar në mënyrë të pasaktë.

“Raportimi i pasaktë dhe tejkalimi i kompetencave bie ndesh me rregullore përkatëse dhe legjislacionin në fuqi dhe për arsyet e tilla, u vendos si në dispozitiv të vendimit”, thuhej në vendim. /Demokracia.com/

DOKUMENT| Ky është arsyetimi i Ministrisë së Drejtësisë për lirimin e Pranvera Ejupit nga detyra

 

Të ngjashme