Lajme
Shkelje të mëdha në tenderin 11 milionësh për uniformat e policisë
Demokracia
21:20 | 18 Maj 2024

Share:

Tenderi në vlerë 11 milionë euro për blerjen e uniformave të Policisë do të anulohet, në rast se kolegji i Organit Shqyrtues të Prokurimit përfill rekomandimin e ekspertëve të këtij institucioni.

Bazuar në ekspertizën që është bërë për këtë tender, në të ka pasur kritere të paqarta, specifika që e eliminojnë konkurrencën, e edhe devijime mbi normalen, raporton Koha.net.

Të shumta janë pikat e tenderit në vlerë të rreth 11 milionë eurove e gjysmë për uniformat në Policinë e Kosovës, e për të cilat ekspertë të Organit Shqyrtues të Prokurimit kanë konstatuar se janë në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit.

Në ekspertizën 28-faqëshe janë të përmbledhura edhe pretendimet e një kompanie që lidhen me eliminimin nga gara, por edhe arsyet pse konsorciumi fitues nuk do të duhej ta fitonte tenderin.

Nga 17 pretendime në tërësi, ekspertët kanë konstatuar se 14 sosh janë pjesërisht ose plotësisht të bazuara.

Në njërën pikë, ekspertiza konstaton se kërkesa për testet laboratorike në lidhje me cilësinë e uniformave nuk është bërë në linjë me Ligjin e Prokurimit Publik. Mes gjetjeve është edhe ajo se Policia e Kosovës e ka ndryshuar në sistemin elektronik një nga kriteret.

“Ekspertët e kanë sqaruar edhe më herët që sipas tyre, nuk është e pranueshme që për mostrat e kërkuara sipas specifikave të parapara teknike, ndër të tjera, duke përfshirë gjatësinë, gjerësinë, lartësinë, peshën, qëndrueshmërinë e larjeve, temperaturën e larjes.. etj., specifikat të përcaktohen në vitin 2023 përmes publikimit të njoftimit për kontratë dhe për të njëjtat mostra, testet laboratorike të jenë të realizuara në vitin 2021”, thotë ekspertiza e OSHP-së.

Sipas ekspertizës, devijime nga Policia ka pasur edhe te specifikat e kërkuara për secilin produkt.

“Në rastin konkret bëhet shumë problematike të dihet se ku është kufiri se deri ku mund të lejohet të shkojë ky devijim, sepse konsiderojmë që devijim pas devijimit nuk duhet të lejohet dhe jo në shumë raste të artikujve siç ka qenë në rastin e operatorit të rekomanduar”, thotë ekspertiza.

Ekspertiza thotë se kërkesat në dosjen e tenderit kanë qenë shumë të paqarta dhe se kriteret që e kufizojnë konkurrencën nuk do të duhej të lejoheshin.

Në ankesë janë ngritur edhe pretendime për mashtrim e falsifikim në këtë tender milionësh.
Por ekspertët kanë thënë që nuk janë kompetentë për të trajtuar të tilla pretendime.

“Për pretendimin e ngritur që mosofrimi i komunikimeve nga ana e AK-së me laboratorët dhe trupat certifikuese është fakti se disa certifikata të OE i rekomanduar kanë rezultuar false dhe me të dhëna të pasakta, edhe për këtë pikë eksperti sqaron se nuk është i thirrur profesionalisht për të vërtetuar falsifikimin e këtyre dokumenteve, andaj këto kërkesa duhet të drejtohen në organet kompetente”, thuhet në ekspertizën.

Për shkak që janë konstatuar shumë shkelje, ekspertët kanë propozuar anulimin e tenderit.

“Duke marrë parasysh situatën e krijuar, ku është e vështirë të bëhen vlerësimet e duhura në bazë të kritereve ekzistuese dhe ecurinë e këtij projekti të përshkruar më lart, ekspertët vlerësojnë që ky aktivitet prokurimi në këtë pikë duhet të anulohet”, thuhet në ekspertizë.

Të ngjashme
Lajme • 02 Qershor 2024