Lajme
Dodiku kërcënon me bllokim të Qeverisë në Bosnjë
Demokracia
22:35 | 28 Mars 2024

Share:

Udhëheqësi serb i Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik, ka kërcënuar me bllokim të punëve të Qeverisë, raportoi Reuters.

Ai ka thënë të enjten se serbët do ta bllokojnë punën e ekzekutivit nëse ligjet zgjedhore të vendosura nga një i dërguar ndërkombëtar nuk anulohen dhe ambasadorët perëndimorë nuk dëbohen nga vendi.

Mbikëqyrësi i paqes i Bosnjës, Christian Schmidt, ka vendosur të martën ndryshime në ligjin zgjedhor për të garantuar integritetin e tij nëpërmjet përmirësimeve teknike pasi liderët rivalë etnikë të vendit nuk arritën të bien dakord për reformën zgjedhore.

Zyrtarët serbë të Bosnjës nuk e njohin Schmidtin si Përfaqësues të Lartë për Bosnjë-Hercegovinën, duke thënë se ish-ministri i qeverisë gjermane nuk u miratua nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Ata kanë paralajmëruar se nuk do ta pranojnë vendimin e tij dhe përkundrazi do ta miratojnë ligjin e tyre zgjedhor.

Dodiku ka thënë se nëse vendimi i Schmidtit nuk anulohet brenda një periudhe 7-ditore dhe shpallet i pavlefshëm nga parlamenti kombëtar, deputetët serbë do të bojkotojnë punën.

“Ambasadorët e SHBA-së, Britanisë dhe Gjermanisë, si dhe Schmidt, duhet të shpallen armiq të Bosnjës dhe të dëbohen nga vendi”, ka thënë ai, duke paralajmëruar se nëse nuk plotësohen kërkesat e tij, partia e tij në pushtet SNSD do të prishë partneritetin e saj me partnerët aktualë në qeveri dhe do ta bllokojë punën.

Të ngjashme