Lajme
Dita e Zajednicës dhe modelet e saj | Për cilin do të përcaktohen Kurti e Vuçiq para liderëve evropianë?
Demokracia
12:27 | 26 Tetor 2023

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, sot do të qëndrojnë në Bruksel, ku do të kenë takime të ndara me liderët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë.

I pari që do të nisë këto takime është kryeministri Albin Kurti. Ai do të nisë takimin me krerët evropianë rreth orës 14:00, shkruan Demokracia.com.

Kështu ka bërë të ditur edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

“Takimet janë paraparë të nisin në orën 14:00. Së pari kryeministri Kurti takohet me përfaqësuesin e lartë të BE-së Josep Borrell dhe emisarin Miroslav Lajçak dhe liderët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë”, ka thënë Stano.

Ai ka bërë të ditur se pas Kurtit, rreth orës 14:30 do të nisë takimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiq me përfaqësuesit e BE-së dhe liderët gjerman, francez e italian. Një ditë më parë, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, u shpreh se këto takime janë mbështetje për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Merre ose leje” pritet ta kenë sot në tavolinën e Brukselit “propozimin modern evropian” për statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Ndonëse dyshja Kurti-Vuçiq nuk parashihet të kenë takim ballë për ballë me njeri-tjetrin, përgjigjet për propozimet që emisari Miroslav Lajcak dhe 4 të tjerët i sollën në fundjavë në Prishtinë dhe Beograd, ata do t’i kumtojnë tek shefat e emisarëve, presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe tek Josep Borrell.

Kurti e Vuçiq pritet të dorëzojnë komentet për “propozimin modern” të BE-së, për njërin nga 15 modelet e përfolura të draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i cili qysh nga fundjava u është lënë në zyre.

Afër 20 modele të llojeve të ndryshme të autonomive, vetëqeverisjeve e zonave vetëmenaxhuese në shtete të ndryshme të Evropës janë shqyrtuar për të gjetur organizimin e përshtatshëm për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Mediat kanë raportuar se për Qeverinë e Kosovës, nga modelet “moderne” të BE-së për Asociacionin, më i pranueshmi për t’u hartuar si statut i ASK-së është ai sipas modelit “vetëmenaxhues” të pakicave gjermane në Belgjikën Lindore.

Çfarë është modeli i Belgjikës Lindore?

Gjuha gjermane në Belgjikën Lindore përdoret në shërbimin civil, në shkolla dhe në gjykata. Komuniteti gjermano-folës shtrihet në pjesën lindore të Belgjikës, duke mbuluar një sipërfaqe prej 854 kilometra katrorë përgjatë kufijve të vendit me Gjermaninë, Holandën dhe Luksemburgun.

Ky komunitet në Belgjikë përfshin nëntë komuna, ka asamblenë, qeverinë dhe flamurin e saj.

Falë sistemit politik shumë të decentralizuar të Belgjikës, “Ostbelgien” ka gjithashtu aftësinë për të vënë veton ndaj traktateve ndërkombëtare, duke përfshirë marrëveshjet tregtare të BE-së.

Rreth 77,000 njerëz jetojnë në nëntë komunat e DG-së, në kryqëzimin e dy kulturave, gjermane dhe latine.

Ky model, kompetencat politike në masë të madhe i zhvendosë në sektorë të tjerë, siç janë sistemi arsimor, sistemi i drejtësisë, siguria, etj. Megjithatë, modeli belg ka edhe kompetenca politike, ku të gjitha së bashku i bëjnë të domosdoshme edhe ndryshimet kushtetuese, pasi që si rajon ka fuqi legjislative dhe e ruan një autonomi të gjerë me një parlament, një qeveri dhe një shërbim civil.

Drejtoria e Përgjithshme atje është përgjegjëse kryesisht për çështjet kulturore, arsimin, formimin profesional, punësimin, familjen dhe mirëqenien sociale, si dhe mbikëqyrë autoritetet lokale.

Po ashtu, Kushtetuta e Belgjikës përfshin krijimin e zonave gjuhësore, të cilat kanë kompetenca në shumë fusha.

Neni 4 i Kushtetutës së Belgjikës thotë: “Belgjika përbëhet nga katër zona gjuhësore: zona e gjuhës gjermane, zona e gjuhës frënge, zona e gjuhës holandeze dhe zona dygjuhëshe Bruksel – Kryeqytet”.

Modeli i Finlandës

Një prej modeleve sa i përket rregullimit të të drejtave gjuhësore, kulturore të minoriteteve është edhe ai i Finlandës.

Minoriteti suedez që jeton në Finlandë, sipas Kushtetutës së këtij shteti, ka të drejtë të përdorë gjuhën amtare në shkolla, por edhe dialektet e pjesëtarëve të komunitetit suedez janë të mbrojtura.

Edhe në Kosovë, në bazë të Kushtetutës, gjuhë zyrtare është ajo shqipe dhe serbe. Por, në Finlandë, rajoni i ishujve Aland, ka një autonomi më të gjerë sa i përket gjuhës suedeze dhe komuniteti suedez ka edhe përgjegjësi të tjera.

Shembull, komuniteti lokal në këta ishuj mund të vendosë nëse banorë nga pjesë të tjera të Finlandës mund të zhvendosen atje.

Demokracia.com në vazhdim ju sjell edhe disa prej modeleve të implementuara në vende të ndryshme dhe çfarë parasheh Asociacioni?

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe parashikohet të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Sipas marrëveshjeve, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të këtyre komunave, veçmas në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban e rural dhe të ekonomisë.

Marrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin thekson se ai do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Po ashtu, thuhet se Asociacioni do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht sesi delegohen nga autoritetet qendrore dhe që do të ketë një rol përfaqësimi tek autoritetet qendrore.

Sipas marrëveshjes së vitit 2015 për parimet për krijimin e Asociacionit, objektivat kryesore të Asociacionit janë: ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtron vështrimin e plotë në fushën e arsimit; ushtron vështrimin e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; promovon, shpërndan dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore; vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare, etj.

Disa shtete evropiane kanë rregullime të ndryshme sa i përket të drejtave të minoriteteve, duke nisur nga të drejtat gjuhësore e kulturore, si dhe përgjegjësi të tjera, sikurse ato të rendit dhe mbledhjes së taksave.

Por, analistët evropianë thonë se një model për Asociacionin duhet të bazohet në strukturën demografike dhe kontekstin politik të Kosovës.

Modeli i Zvicrës

Marko Prelec, analist i lartë në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, thotë se ka shumë praktika evropiane sa i përket të drejtave të minoriteteve, por çështja qëndron se cilat nga këto modele janë të përshtatshme për Kosovën.

Shembullin e parë që ai përmend, që do të mund të aplikohej edhe në Kosovë është ai i Zvicrës, e cila përbëhet nga 26 kantone.

“Në kontekstin e raporteve të mira dhe tensioneve të ulëta, mund të shikoni shembujt sikurse të kantoneve zvicerane, që në masë të madhe janë vetëqeverisëse, deri në pikën që janë përgjegjëse për kufijtë e jashtëm të Zvicrës. Kur arrini në aeroport, kaloni përmes kontrolleve të policisë së kantonit, pra nuk ka polici zvicerane. Pra, të gjitha kantonet kanë përgjegjësi për kufijtë e jashtëm në emër të Konfederatës Zvicerane”, thotë Prelec.

Në Zvicër, përveç zbatimit të ligjit, kantonet kanë fuqi dhe përgjegjësi edhe sa i përket fushës së shëndetësisë, mirëqenies, edukimit dhe mbledhjes së taksave.

Prelec, po ashtu, tregon se në disa rajone spanjolle, sikurse Katalonja, kanë forca të veçanta policore, krahas atyre kombëtare. Katalonja është një rajon që ka status autonom dhe që për një kohë të gjatë kërkon pavarësi nga Madridi zyrtar.

Edhe në marrëveshjen e parë të Asociacionit, të vitit 2013, ishte paraparë që katër komunat në veri të Kosovës (Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq), udhëheqësi i policisë të ishte një serb nga Kosova. Ndërkaq, që atëherë, në struktura të policisë veçse janë inkuadruar pjesëtarët e komunitetit serb.

Të drejtat gjuhësore të minoriteteve në Itali

Italia, po ashtu, është një shembull sa i përket disa rregullimeve për të drejtat e minoriteteve. Nga 20 rajonet, në Itali janë pesë rajone me status autonom. Këto rajone, pavarësisht këtij statusi, janë ende pjesë e Italisë, por gëzojnë një kontroll më të madh mbi rregullimin e brendshëm, duke filluar nga gjuha, por te disa edhe te mbledhja e taksave.

Një prej tyre është rajoni Trentino-Alto Adige, ku jeton minoriteti gjermano-folës, por edhe minoritete të tjera gjuhësore. Ky rajon, sipas Prelecit, ka rregulla mjaft të komplikuara sa i përket gjuhës dhe gjuhë zyrtare janë italishtja dhe gjermanishtja.

“Përfaqësimi është i strukturuar duke pasur për bazë balancat demografike midis gjermano-folësve dhe italiano-folësve. Rajonet italiane, po ashtu, kanë përgjegjësi të ndryshme sa i përket mbledhjes së taksave dhe vetëm një prej tyre ka përgjegjësinë e plotë për mbledhjen e taksave në territorin e tyre”, thotë ai.

Në këto rajone italiane, gjithashtu, aplikohen sisteme të përziera të mbledhjes së taksave, ku shumica e tyre shkojnë në qeverisjen qendrore dhe qeverisja qendrore vendos për shpenzimin e tyre për projektet në këto zona.

Në këtë kuadër, edhe marrëveshja për Asociacionin parasheh që ky organ të merret me zhvillimin e ekonomisë lokale dhe të fushave të tjera, përfshirë shëndetësinë dhe arsimin.

Prelec shton se të gjitha këto modele mund të funksionojnë nëse krijohen politika që u mundësojnë serbëve të zgjedhin vetë përfaqësuesit e tyre dhe jo të jenë, siç thotë ai, të deleguar nga Beogradi.

Por, ai tërheq vërejtjen se jo domosdo këta shembuj do të ishin një ide e mirë për Kosovën.

“Janë më shumë dëshmi se ka shumë mundësi që mund të bëni dhe njëkohësisht të ruani integritetin e shtetit. Është e mundshme që të bëhet pothuajse gjithçka kur ka vullnet politik, por tani nuk ka vullnet politik”, thotë ai.

Por, Weber, është më pesimist sa i përket Asociacionit. Ai thotë se pavarësisht se ka modele të shumta në Evropë, “asnjëra nuk do ta zgjidhë” problemin e Asociacionit.

Megjithatë, Kosova vazhdimisht ka kundërshtuar idenë për një autonomi për serbët, që ka thënë se do të mund të ishte e paraqitur si një Republika Serbe, ndërkaq Escobar më 5 gusht tha se Asociacioni nuk duhet të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe nuk duhet të krijojë “shtet brenda shtetit”, ashtu siç është thënë vazhdimisht që nga viti 2013.

Për shkak të konteksteve të ndryshme, specifikave dalluese dhe rrethanave të tjera do të bëhet një kombinim modelesh, varësisht se si pajtohen palët.

Ideja qendrore është që të ruhet karakteri unitar i shtetit të Kosovës.

Modelet që janë shqyrtuar janë nga Italia, Finlanda, Spanja, Danimarka, Portugalia, Norvegjia, Gjermania, Franca dhe Belgjika.

Janë afër 20 sosh, duke filluar nga Ishujt Aland dhe Asambleja apo Parlamenti i popullit Sami në Finlandë, pastaj komuniteti autonom i Baskëve në Spanjë apo siç njihet Euskadi dhe Katalunia.

Më pas Ishujt Faroe në Danimarkë dhe në Itali, Tiroli Jugor, Trieste, Sardinia, Lugina Aosta, kurse Azores dhe Madaira në Portugali.

Gjithashtu është shqyrtuar edhe arkipelagu i Svalbardit që i takon Norvegjisë, kurse nga Gjermania janë tri modele: Heligoland, Schlesëig dhe Autonomia e Sorbëve në Saksoni.

Modelet e shqyrtuara nga Franca janë ishulli i Korsikës dhe Alzazi që është në kufi me Gjermaninë dhe Zvicrën.

Disa nga këto modele paraqesin autonomi të fuqishme me të drejta shumë të mëdha dhe nivele tejet të fuqishme pushteti brenda shteteve respektive, kurse disa të tjera janë pa nivele pushteti të veçanta, por më shumë vetëm njohje simbolike e një kulture të veçantë që dallon nga popullsia shumicë.

Në mesin e kaq shumë modeleve dhe formave të ndryshme të vetëqeverisjes për pakicat kombëtare, që aktualisht aplikohen në territorin e Bashkimit Evropian, zgjidhja për Asociacionin e Komunave më Shumicë Serbe kërkohet në kombinimin e elementeve të ndryshme që aktualisht aplikohen në Gjermani, Itali, Francë dhe Belgjikë, përkatësisht modelet e Belgjikës Lindore (vetëqeverisja e komunitetit gjerman), modeli i Alzasit në Francë, modelet e vetëqeverisjes për Komunitetin Gjermanisht-folës dhe frankofon në Itali si dhe modeli i vetëqeverisjes së komunitetit danez në Gjermani.

Për shkak se asnjë nga modelet nuk mund të aplikohet dot me metodën “copy-paste”, është duke u menduar që të krijohet një model i veçantë i përshtatshëm për Kosovën.

Nga një model do të merret ideja e statusit të përgjithshëm të Asociacionit. Nga një tjetër model mendohet të merren elementet si e drejta për të organizuar sistemin arsimor dhe sisteme të tjera të lidhura direkt me komunitetin dhe sistemi i rregullimit të mbështetjes financiare nga shteti amë.

Kurse një model për shkak se nuk ka kompaktësi territoriale, po shërben për organizimin e bashkëpunimit mes komunave në veri dhe komunave të tjera me shumicë serbe në pjesën tjetër të Kosovës, pra modeli i jodomosdoshmërisë së lidhjes territoriale në mes të komunave.

Pos detajeve praktike, nga modele të tjera mendohet të merret fryma shumë e rëndësishme e mirëbesimit. Një detaj ky shumë i rëndësishëm për Kosovën.

Më poshtë do të shpjegojmë disa nga modelet bazë të cilat po shërbejnë për përpunimin e statusit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Alzas, nën-rajon në Francë
Alzas është pjesë e Francës, por siç njihet atje një “collective territoriale”, pra një autoritet territorial, si nën-ndarje në Francë, të cilit i është njohur autoriteti qeverisës. Ky emër u njihet të gjitha atyre pjesëve që janë një entitet zgjedhor dhe kanë një qeverisje lokale dhe autoritet të rregulluar lokal. Franca e ka brenda Kushtetutës autoritetin territorial me Nenin 72. Ky nen mundëson një autonomi të limituar sipas ligjeve në fuqi.

Alzasi, në kufi me Gjermaninë dhe Zvicrën ka afër 2 milionë banorë dhe cilësohet si një nën-ndarje kulturore nga pjesa tjetër e Francës me banorët që kulturalisht janë një kombinim mes influencës gjermanike dhe franceze.

Aktualisht gjuha zyrtare është frëngjishtja, për shkak se me Kushtetutën e Francës është e ndaluar të ketë një gjuhë tjetër zyrtare, por kohëve të fundit në nivel lokal, nacional, por edhe evropian është promovuar gjuha alzasiane si element i identitetit të alzasianëve.

Gjuha alzasiane është një gjuhë që përbëhet nga kombinime të dialekteve gjermane dhe i takon familjes së gjuhëve indo-evropiane gjermanike. Shteti francez e njeh si një nga gjuhët që flitet në rajon, por nuk është në nivel të gjuhës zyrtare. Kjo gjuhë mësohet në shkollë në këtë pjesë, por jo si obligative. Në Alzas mësohet gjithashtu edhe gjermanishtja në shkollë. Për nga tingulli gjuha alzasiane tingëllon si gjermanishtja e zviceranëve.

Rajoni, përgjatë historisë dhe luftërave mes Gjermanisë dhe Francës ka ndërruar anë plotë pesë herë, varësisht kush ka qenë fituesi.

Statusi politik i Alzasit brenda Francës është ai i një “departamenti” plus disa kompetenca shtesë si të një rajoni. Pra ka një fuqi të ndërmjetme, nuk është rajon, por është mbi komunë dhe konsiderohet si një nën-rajon. Është më pak autonom se sa Korsika për shembull. Emri zyrtar i Alzasit është Kolektiviteti Evropian i Alzasit.

Franca, përveç nivelit qendror të pushtetit, ka edhe tri nivele të tjera – Rajonet administrative, departamentet, komunat. Alzas është nivel mbi-komunal dhe nën-rajonal. Statusi i veçantë u votua në parlamentin francez me 25 korrik të vitit 2019, derisa Ligji që ia përcakton fuqitë u shpall me 2 gusht 2019.

Komuniteti Gjermanisht-folës i Belgjikës
Komuniteti Gjermanisht-folës i Belgjikës apo Komuniteti Federal Gjerman, njohur ndryshe edhe si Belgjika Lindore, është një nga tri komunitetet federale të Belgjikës. Është territorialisht Brenda Provincës Liege në Valloni. Ka afër 80 mijë banorë dhe përbën 0.7 për qind të territorit të Belgjikës. Karakteristikë është se brenda Belgjikës ka edhe zona të tjera gjermanisht-folëse por nuk janë pjesë e Komunitetit Gjermanisht-folës. Ndërsa zona ku është e shtrirë Komuniteti Gjermanisht-folës që njihet edhe si Kantonet e Lindjes, përveç nëntë komunave të Komunitetit Gjermanisht-Folës ka edhe dy komuna frëngjisht-folëse – Malmedy dhe Vaimes. Për shkak të strukturës administrative komplekse të Belgjikës shpesh ka kombinime të tilla. Karakteristikë e Komunitetit Gjermanisht-folës është se nuk ka kompaktësi territoriale.

I gjithë shteti i Belgjikës është i strukturuar si një kompromis për shkak të tensioneve gjuhësore, kulturore, sociale dhe ekonomike. Prandaj, ka ndarje federale, regjionale, dhe nën-organizime të komuniteteve.

Komuniteti Gjermanisht-folës ka parlamentin dhe qeverinë e vetë.

Qeveria e Komunitetit Gjermanisht-folës është trupë ekzekutive. Anëtarët vijnë nga Parlamenti i Komunitetit Gjermanisht-folës. Udhëhiqet nga kryeministri apo ministri-president dhe përbëhet edhe nga 2 ose 3 ministra të tjerë.

Parlamenti ka 25 anëtarë të zgjedhur çdo pesë vjet. Shtesë ka edhe disa anëtarë të cilët nuk zgjidhen dhe nuk kanë të drejtë vote, por kanë role këshilluese.

Para vitit 1973 Komuniteti Gjermanisht-folës nuk ka pasur parlament, por një dhomë që njihej si Këshilli dhe ku anëtarët nuk zgjidheshin direkt, por shpërndarja e ulëseve bëhej nga zgjedhjet për parlamentin nacional. Nga viti 1973 anëtarët zgjidhen direkt dhe ka marrë emrin Parlament në vend të Këshillit.

Kompetencat e institucioneve të Komunitetit Gjermanisht-folës kanë të bëjnë me çështje gjuhësore, kulturore, në arsim, shëndetësi dhe të drejta të njeriut. Kanë gjithashtu edhe disa të drejta që u takojnë regjioneve, siç janë ato për Monumentet dhe Trashëgiminë kulturore, Çështje Arkeologjike dhe Politika Punësimi, derisa nga viti 2005 kanë marrë të drejta edhe në Çështje të mbikëqyrjes së komunave dhe sigurisë, financave dhe çështje të tjera të preokupimeve lokale.

Territori disa herë ka kaluar nga Belgjika në Gjermani dhe anasjelltas për të mbetur përfundimisht pjesë e shtetit të Belgjikës.

Schlesëig-Holstein në Gjermani
Në shtetin e Schlesëig-Holstein në Gjermani jetojnë diku rreth 50 mijë danezë etnikë që përbën afërsisht 10 për qind të popullatës në rajonin e kufirit me Danimarkën.

Për shkak të përkatësisë së tyre ata kanë një trajtim më unik dhe iu njihen disa të drejta si komunitet. Vetë rajoni ishte pjesë e kontestuar prej kohësh dhe kalonte herë në Danimarkë dhe herë të tjera në Gjermani.

Ndryshe nga rastet e më sipërme danezët në Schlesëig-Holstein nuk kanë rregullim autonom me institucione të tyre, por në zgjedhje lokale nuk kanë prag zgjedhor prej 5 për qind siç kanë partitë e shumicës gjermane.

Popullata është kryesisht e koncentruar në qytetin Flensburg në kufi me Danimarkë.

Minoriteti ka objektet e veta kulturore dhe të edukimit, derisa në anën tjetër të kufirit, për shkak të një minoriteti gjerman në Danimarkë, gjermanët gëzojnë të njëjtat të drejta sipas rregullit të reciprocitetit. Gjithçka është e rregulluar nga autoritet daneze në njërën, vlen edhe për gjermanët në anën tjetër.

Komuniteti ka shkollat, organizatat e veta fetare, mediat, libraritë dhe muzetë.

Kushtetuta e shtetit gjerman të Schlesëig-Holstein ruan të drejtat e minoritetit, derisa ata kanë shtetësi gjermane.

Ata kanë një parti politike e cila quhet Shoqata e Votuesve të Schlesëig Jugor. Partia nuk merr pjesë në zgjedhjet nacionale, por vetëm në ato shtetërore të Schlesëig-Holstein.

Ekziston gjithashtu Asociacioni i Shkollave Daneze që është i ngarkuar me përgjegjësitë e organizmit të shkollave private dhe gjithashtu kurseve dhe edukimit të ndryshëm për të rritur brenda komunitetit danez.

Danimarka është përgjegjëse për mbështetje financiare të vazhdueshme të komunitetit danez në Gjermani. Por, gjithashtu edhe Gjermania mbështet financiarisht minoritetin. Kështu, dy minoritetet, danezët në Gjermani dhe Gjermanët në Danimarkë financohen nga të dy qeveritë.

Çdo vit, minoriteti danez pranon mbi 67 milionë euro nga qeveria e Danimarkës, për 50 mijë danezët në Gjermani.

Dy minoriteteve u garantohet autonomia kulturore nga qeveritë respektive. Shkollat daneze për komunitetin përkundër se konsiderohen shkolla private kanë status special me ligj të Gjermanisë dhe kanë rëndësinë e njëjtë si shkollat në gjermanisht.

Kjo ndihmë financiare merret si një nga sistemet më të mirë-organizuara për ndihmën e minoritetit nga shtetit amë. Kjo është edhe një nga modelet që është shikuar për ndihmën financiare që Serbia mund t’ia bëjë komunitetit serb në Kosovë.

Danimarka dhe Gjermania e kishin rregulluar gjithë problemin me atë që njihet si Deklarata Bon-Kopenhagë. Në fakt janë dy deklarata të ndara, por të njëjta në përmbajtje dhe të nënshkruara në vitin 1955.

Përkundër se deklaratat nuk janë ligjërisht të obligueshme në të drejtën ndërkombëtare, dy shtetet menjëherë pas nënshkrimeve i kishin bërë pjesë të ligjeve nacionale.

Deklaratat konstatonin se minoritetet në të dy anët e kufirit kanë të drejta të barabarta me qytetarët e tjerë, por edhe ishin paraparë lehtësira për nevojat specifike të minoriteteve.

Shembulli i rregullimit të çështjeve për minoritetet kufitare në mes të Gjermanisë dhe Danimarkës është një shembull i suksesit që është studiuar shumë gjatë edhe nga vende të tjera.

Tiroli Jugor
Tiroli Jugor është një nga shembujt më të njohur dhe të përmendur më shumë. Tiroli Jugor është një Provincë Autonome brenda shtetit të Italisë me kryeqytet Bolzanon. Tiroli Jugor ka rreth 540 mijë banorë dhe sipas censusit të fundit të vitit 2011, 62.3 për qind kanë gjermanishten si gjuhë të parë, 23.4 për qind italishten, 4.1 për qind gjuhën e quajtur Ladine, derisa pjesa tjetër flasin gjuhë të tjera si gjuhë të para.

Provinca ka një nivel të lartë të vetë-qeverisjes, me të drejta të zgjeruara legjislative dhe ekzekutive dhe një regjim fiskal që e lejon të mbajë për vete 90 për qind të të ardhurave. Tiroli Jugor është provinca më e pasur në Itali dhe një nga më të pasurat në Bashkimin Evropian.

Qeveria lokale është e bazuar në Kushtetutën e Italisë që i jep status të Autonomisë. Për shkak të një politike fiskale, provincës i lejohet të mbajë shumicën e taksave brenda për të ekzekutuar dhe administruar me kompetencat e veta.

Qeveria e Provincës që ndryshe quhet edhe si Komiteti i Provincës udhëhiqet nga Guvernatori dhe një numër këshilltarësh. Guvernator aktualisht është Arno Kompatscher, derisa ka 8 këshilltarë. Zëvendësit e guvernatorit emërohen nga këshilltarët.

Guvernatori dhe këshilltarët zgjedhën nga parlamenti me një votim të fshehtë me shumicë votash. Kompozicioni i qeverisë duhet patjetër të reflektojë proporcionalisht popullsinë në provincë, sipas gjuhës. Për shkak se grupi që flasin gjuhën ladine përbëjnë vetëm 4 për qind dhe nuk kanë fuqi elektorale është e rregulluar me statut të provincës që i lejon ladinët të jenë pjesë e qeverisë pavarësisht rezultatit zgjedhor, apo numrit të deputetëve në parlament.

Asnjë nga këto modele nuk do të aplikohet i plotë në Kosovë. Por, këto janë disa nga modelet kryesore nga të cilat janë marrë specifika të caktuara për të krijuar një model unik për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Të ngjashme