Lajme
Disa harta të publikuara tregojnë se si vendet e pushtuara janë rikthyer nga ukrainasit, gjatë pesë ditëve të fundit
Demokracia
23:32 | 11 Shtator 2022

Share:

Një hartë tregon se kundërofensiva e Ukrainës ka bërë përparime të konsiderueshme ndërsa pushtimi rus i vendit arrin në ditën e tij të 200-të.

Forcat ukrainase kanë “depërtuar në linjat ruse në një thellësi deri në 70 kilometra në disa vende” dhe kanë rimarrë më shumë se 3,000 kilometra katrorë territor që nga 6 shtatori, sipas një vlerësimi nga Instituti për Studimin e Luftës (ISW) të shtunën, shkruan Newsweek.

Kjo përbën më shumë territor sesa kanë marrë forcat ruse në të gjitha operacionet që nga prilli, tha ISW.

Dhe një hartë e kontrollit të terrenit të institutit kërkimor me bazë në SHBA tregon se sa përparim ka bërë kundërofensiva e Ukrainës në rajonin e Kharkiv ditëve të fundit.

George Barros, një analist në ISW, postoi imazhe që tregojnë përparimin e një kundërofensive ukrainase gjatë pesë ditëve të fundit, përcjell Telegrafi.

Me marrjen e raportuar të qytetit të Velykyi Burluk, forcat ukrainase tani janë rreth 25 kilometra (15 milje) nga kufiri me Rusinë, tha Barros.

E ISW tha se kundërofensiva ukrainase “po shkatërron forcat ruse dhe po shemb boshtin verior të Donbasit të Rusisë”.

Forcat ruse nuk po kryejnë një tërheqje të kontrolluar, por po “ikin me nxitim” nga rajoni për të shmangur rrethimin në qytetin e Izyum, sipas ISW.

Këto deklarime vijnë pasi shërbimi i sigurisë i Ukrainës, SBU, tha se trupat e Ukrainës kishin hyrë në qytetin lindor të Kupiansk, i cili ka shërbyer si një qendër hekurudhore dhe logjistike për Rusinë që kur u pushtua në shkurt.

Ndërkohë Ministria britanike e Mbrojtjes tha se marrja e Kupiansk do t’i jepte “një goditje të rëndësishme” Rusisë, sepse ajo shtrihet në rrugët e furnizimit në vijën e frontit të Donbasit.

Të ngjashme