Lifestyle
Disa arsye pse fëmijët vjedhin dhe disa mënyra si ta parandalosh veprimin
Demokracia
19:04 | 19 Tetor 2022

Share:

Para moshës 3-vjeçare, fëmijët nuk i kuptojnë konceptet e pronësisë dhe nuk e bëjnë dallimin nga çfarë u përket dhe çfarë jo. Pra, përkatësia për ta nuk ekziston, por mësohet pasi rriten dhe arrijnë ta kuptojnë se jo çdo gjë që shohin mund ta marrin. Nëse fëmija yt, është mbi 3 vjeç dhe sërish vjedh, kjo mund të ndodhë për disa arsye:


Nuk e ka të qartë gabimin

A e kupton fëmija se ka bërë një veprim të gabuar dhe se sendi që ka vjedhur nuk i përket?

Tundimi

Me shumë gjasa, sendi i vjedhur është i bukur në sytë e fëmijës dhe vogëlushi ende nuk i bën dot ballë tundimit.

Mungesa e vëmendjes

A pasqyron ky veprim një dëshirë për vëmendje dhe sipas fëmijës, a është sendi i vjedhur një formë për të marrë vëmendje dhe dashuri?

Hakmarrja/zemërimi

Zakonisht, kur fëmijët vjedhin ndodh sepse janë të zemëruar dhe ndihen xhelozë pse dikush merr më shumë dhurata, apo ka më shumë të mira materiale se ata.

Kënaqësia

Ndonjëherë, fëmijët vjedhin sepse i kënaq ky veprim.

Testimi i limiteve

Ose, sepse duan ta dinë deri ku mund të shkojnë apo duan të zbulojnë se ç’do të ndodhë më pas.

Për t’ia dhuruar dikujt tjetër

Në disa raste, edhe pse dikush ka shprehur admirim për sendin në fjalë. Fëmija e vjedh dhe ia dhuron, sepse për të, primare është që të falë dashuri dhe t’i kujtojë personit që dëshiron sendin, se fëmija kujdeset për të.

Pavarësia

Një tjetër mundësi mund të jetë edhe dëshira për të treguar lirinë dhe autonominë e tij.

Presioni

Ndoshta, bashkëmoshatarët e “vënë në sedër” dhe i bëjnë presion për të vjedhur diçka.

Drejtësia

Nëse fëmija mendon se e meriton sendin e vjedhur, atëherë ai do ta marrë atë, edhe padrejtësisht.

Por, ç’të bësh ti nëse fëmija shfaq këto sjellje?

Krijo lidhjen e duhur

Bëj një rezyme të marrëdhënies me të. Sigurohu që fëmija të ndiejë praninë, dashurinë dhe aprovimin tënd. Bëja të ditur pse të vjedhësh është një veprim i gabuar dhe sqaroje me argumente të përshtatshme për moshën dhe kapacitetin.

Shmang ndëshkimet

Një ton i ashpër, apo epitetet si “i keq” apo “hajdut” nuk pijnë ujë. Ndëshkimet aq më pak, pasi në shumë raste, në vend që ta zgjidhin problemin, e përkeqësojnë atë.

Tregoji raste konkrete

Tregoji fëmijës raste të vjedhjes. Merr si shembull lodrën e tij të preferuar dhe shtyje të imagjinojë se si do të ndihej nëse dikush do t’ia merrte padrejtësisht.

Riparo dëmin

Sigurohu që në asnjë mënyrë, fëmija të mos përfitojë nga vjedhja. Nëse ka marrë para, zëvendësoji ato, nëse i ka vjedhur një send të vyer një familjari apo miku, thjesht ktheja dhe tregoji situatën. Askush nuk të gjykon apo të konsideron si prind të keq.

Gjyko arsyet e vjedhjes

Listës së mësipërme mund t’i shtohen edhe një mori arsyesh të tjera. Fol hapur dhe butësisht me fëmijën, në mënyrë që të kuptosh problemin dhe të gjesh zgjidhjen.

Tregoji se ndershmëria është vlera që duhet të përqafojë

Ndihmoje fëmijën të kuptojë se ndershmëria është vlera e duhur, jo vjedhja.

Bëhu model

Nëse të kthejnë më shumë para në supermarket, kthe kusurin dhe në asnjë rast mos trego se po shfrytëzon situatën. Fëmijët nëse nuk na dëgjojnë, na imitojnë.

Kërko ndihmë

Nëse sheh dhe gjykon që situata ka dalë jashtë kontrollit, kërko ndihmë profesionale.

Të ngjashme